E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha: PD mbron çështjen çame

Partia Demokratike nënshkruan kontratën paraelektorale me Partinë për Drejtësi dhe Integrim, Ballin Kombëtar dhe Lëvizjen e Legalitetit. Lidhur me marrëveshjen e nënshkruar me kryetarin e PDI-së, Tahir Muhedinin, Kryeministri Berisha theksoi se "edhe pse u nxituat duke thënë se me Kryeministrin Karamanlis nuk e diskutova çështjen çame, unë ju them juve se e diskutova problemin dhe e diskutoj atë në çdo takim, pasi unë jam bashkëfirmëtar i atij traktati, i cili, për hir të së vërtetës, ka kthjelluar dhe vendosur shumë gjëra në interesin më të mirë të të dy vendeve dhe unë as që e konceptoj të mos i qëndroj traktatit që kemi firmosur". Kryeministri Berisha shtoi gjithashtu se "dihet që pala tjetër ka mendimet e veta, ne kemi tonat". Shefi i qeverisë bëri me dije se "PD ka mbrojtur çështjen çame, e mbron dhe do ta mbrojë si një çështje të drejtë. Ka sanksionuar në Traktatin e Miqësisë dhe Bashkëpunimit me vendin fqinj, në të cilin çamët, për ata që i thonë miqësisë miqësi, kanë kontributin më të madh historik që nga 1828-a deri në ditët e fundit të Luftës së Dytë Botërore, kanë qenë shembullore në luftën për lirinë e vendit ku jetonin, për dinjitetin e tyre". Kryeministri premtoi se e firmos marrëveshjen me PDI për të qeverisur së bashku me këtë forcë politike. Partia Demokratike nënshkroi dje kontratën paraelektorale edhe me dy forca të tjera politike. "Është një ditë shumë e shënuar dhe e veçantë me një aleat tradicional, që përfaqëson forcën politike me historinë më të gjatë, por edhe të dhimbshme të Shqipërisë, forcë politike që me sakrifica të mëdha mbrojti interesin kombëtar dhe fibrën kombëtare", tha Berisha gjatë nënshkrimit të kontratës me kreun e PLL, Ekrem Spahia. Gjatë nënshkrimit të marrëveshjes PD me Ballin Kombëtar, Kryeministri theksoi se "në supet dhe arkivat e tyre janë shekuj dhe mijëvjeçarë burgje, tortura, ekzekutime. Një gjë është e sigurt se, në qoftë se armiqtë e këtij kombi në Beograd nuk do të arrinin të instalonin me forcë një klikë në krye të këtij vendi, Shqipëria sot do të ishte krejtësisht tjetër".

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›