E Shtunë, 31 Tetor 2026

PS: Edi Rama, Kryeministri i ardhshëm

Edi Rama do të jetë Kryeministri i qeverisë së re socialiste. Për herë të parë, një zyrtar i lartë i selisë rozë artikuloi dje se kryetari i kësaj partie do të jetë Kryeministri i ardhshëm i vendit. Të bindur për fitoren e zgjedhjeve të 28 qershorit, sekretari për çështjet zgjedhore, Kastriot Islami, duke folur për çështjen e kartave të identitetit, deklaroi se qeveria e re me Kryeministër Edi Ramën do të bëjë kompensimin e 200 lekëve të reja për kartat e identitetit. "Edhe një herë ju bëj thirrje të gjithëve: blini kartën për 200 lekë, bëjeni këtë sakrificë, sepse në 29 qershor 2009 qeveria e re me Edi Ramën Kryeministër do t‘jua kthejë këtë 200 lekësh", deklaroi Islami. Statuti i selisë rozë thotë qartë se në rast se PS fiton zgjedhjet, Kryeministër do të jetë kryetari i saj. Sakaq, vetë kryetari i kësaj partie, i pyetur nga gazetarët nëse do të jetë ai Kryeministri i qeverisë socialiste, është shprehur se e rëndësishme është që shqiptarët të shprehin mendimin e tyre përmes votës. Por me afrimin e zgjedhjeve, PS-ja zbardh pjesën më të rëndësishme të kabinetit të ri qeveritar, kush do të jetë Kryeministër. Kreu socialist ka pohuar para mediave se ai ka një strukturë të qeverisë që do dalë nga zgjedhjet e 28 qershorit duke mohuar se ekziston një qeveri hije në sirtarin e tij. Çështja se cila prej partive të majta do të kryesojë qeverinë në rast se fitohen zgjedhjet, pritet që të sanksionohet në marrëveshjen parazgjedhore mes katër partive opozitare. Sanksionimi do të bëhet nisur nga parimi kushtetues që Presidenti i kërkon partisë që ka fituar zgjedhjen të përcaktojë Kryeministrin. Në rastin konkret, nëse fiton e majta, PS, si forca më e madhe e saj, ka të drejtën të bëjë propozime. Me këtë sanksionim merr fund edhe një prej çështjeve që ka sjellë ndarjen mes PS-së dhe LSI-së. Në ambientet opozitare është folur shpesh për pretendimin e kreut të LSI-së, Meta, që të kryesojë qeverinë e së majtës, edhe pse ai e ka mohuar se ekziston një kusht i tillë për Partinë Socialiste.
Sakaq, Partia Socialiste u bëri thirrje dje të gjithë qytetarëve shqiptarë, e në veçanti atyre që nuk kanë pasaportë, që të aplikojnë për kartë identiteti. Sekretari për çështjet zgjedhore në selinë rozë, Kastriot Islami, u shpreh se Berisha nuk mund të vendosë taksë për votën dhe se shuma prej 200 lekësh do të kompensohet nga qeveria e re socialiste menjëherë pas zgjedhjeve. Duke sqaruar pozicionin e PS-së, Islami u shpreh se "mbështesim zbatimin e tij "in ekstremis", por jo filozofinë e vendimit të qeverisë" për t‘i dhënë kartat e identitetit me 200 lekë dhe pjesa tjetër të paguhet pas gjashtë muajsh. "Bëni sakrificën e fundit, duke paguar taksën prej 200 lekësh, sakrificë për të hequr Berishën nga pushteti. Qeveria e dalë nga vota e shqiptarëve do t‘jua kthejë shumën prej 200 lekësh në 29 qershor 2009. Vendimi i fundit i Këshillit të Ministrave i përket tërësisht qeverisë Berisha. Ne nuk jemi autorë të tij", tha Islami. Pavarësisht vendimit të fundit të qeverisë që lehtëson procesin e shpërndarjes së kartave, socialistët vijojnë të mbështesin idenë se shkelen parimet kushtetuese nëse vendoset taksë për votën. "Ne mbështesim zbatimin e tij ‘in ekstremis‘, por jo filozofinë e këtij vendimi. Qëndrimi i PS mbetet i njëjtë për sa i përket moralit dhe filozofisë së kësaj takse, ndonëse ajo është vetëm 200 lekë".

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›