Shqipëria, në vendin e 101 për lirinë e medias
Raporti i fundit i "Freedom House" e rendit Shqipërinë në vendin e 101 për lirinë e medias. Në këtë raport janë përfshirë 195 vende dhe Shqipëria cilësohet si vend pjesërisht i lirë për lirinë e mediave në Shqipëri. Në konferencën që është mbajtur dje në Uashington, Shqipëria është lënë pas nga vende si Bosnja dhe Hercegovina dhe fqinji i saj, Maqedonia, që mbajnë të dyja vendin e 98-të në klasifikimin e vendeve me liri të shtypit. Shqipëria ndodhet në vendin e 101 në të njëjtin pozicion me Tanzaninë dhe Turqinë. Në vendin e 100 ndodhet Argjentina. Shqipëria në këtë pozicion pasohet nga Madagaskari, Kongo, Senegali dhe Uganda, të cilat ndodhen 1-4 vende poshtë në renditje. Në këtë raport për vitin 2009 janë gjithsej 70 vende ku liria e shtypit nuk cenohet, janë 61 vende me liri të pjesshme të medias dhe 64 vende, të cilat konsiderohen të izoluara nga pushteti, duke sjellë shtypje të medias së lirë. Klasifikimin e "Freedom House" e zë Islanda, e cila ndodhet në vendin e parë për lirinë e medias dhe pasohet nga Finlanda, Norvegjia dhe Danimarka. Në fund të klasifikimit ndodhen vende si Koreja e Veriut, Turkmenistani, Libia dhe Kuba.