Të burgosurit nxitojnë për karta identiteti
Të paraburgosurit kanë nxituar dje të aplikojnë për karta identiteti. Në institucionin që mban emrin "313" në Tiranë, ritmet kanë qenë të shpejta. Megjithëse aplikimi për karta identiteti kishte filluar para 30 minutave, rreth orës 14:00 të ditës së djeshme në paraburgim kishin aplikuar rreth 50 persona. Të burgosurit ishin vënë në radhë për të depërtuar në një zyrë të improvizuar në katin e dytë të burgut. Aplikimi ishte në ritme të shpejta dhe sipas përllogaritjeve, brenda disa ditëve do të realizohet i gjithë procesi. Sipas drejtorit të këtij paraburgimi, Shkëlqim Kalemi, pjesa më e madhe e të burgosurve kanë shprehur dëshirën për të bërë aplikimin, madje edhe krerët e disa organizatave kriminale. Burime nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve thanë se kartat do të jenë falas dhe në ditët në vazhdim procesi do të zhvillohet në të gjithë burgjet në Shqipëri.