Berisha: PR mafioze? Lapsus i Topallit
Alfred Peza
Kryeministri Sali Berisha e ka vlerësuar si një lapsus deklaratën e Topallit një javë më parë në Shkodër, ku e konsideroi Partinë Republikane një parti mafioze dhe spiune. Në një intervistë në emisionin “Ora e debatit” në TV Ora, kreu i PD-së flet edhe për vrasjen e kryetarit të PDK-së së Malësisë së Madhe dhe qëndrimin nëse humbet në 28 qershor.
Në përgjithësi fushata elektorale nga vëzhguesit e ODHIR është përcaktuar si fushatë e qetë, por nuk kanë munguar edhe incidentet, deri në humbje jetësh njerëzore dhe disa lojë luftërash, mes militantëve, posterave etj. A keni një mesazh për partitë politike dhe për militantët më 28 qershor?
Ajo që mund të them, forca politike që unë kryesoj ka bërë një fushatë kryekëput konstruktive, ka respektuar kundërshtarin, ka pasur një incident tragjik shumë të rëndë, që ishte vrasja e aktivistit tonë të shquar Artan Zeka, në Katundin e Ri, nga një fanatik, me një akt të shëmtuar, ai vendoste posterat në palestrën e tij. Ky i thoshte pse i vendoste posterët. Nuk ka pasur incident tjetër.
Vrasja e kryetarit të degës së PDK-së në Malësi të Madhe...
Këtu mua më vjen keq, nëse ka elementin më të vogël të karakterit politik, por deri sot ka zero element politik, tani nëse një funksionar i një partie pëson aksident, apo një vrasje dhe quhet politike, kjo është qesharake, kjo është qesharake zotëri. Më thuaj cili ishte elementi politik i saj?
Elementi është se ai ishte kryetar i një partie në një zonë të caktuar, ishim në kulmin e fushatës elektorale dhe nga ana tjetër ka pasur edhe një vrasje të një deputeti të PS-së përpara fushatës zyrtare, faktikisht. Elementi politik lidhet me lehtësinë për t’u goditur drejtuesit politik, qofshin këta lokalë, nga elementë kriminalë...
Së pari, nuk ka shqiptar që thotë, ose që ka thënë deri më tani se problemi i deputetit ishte politik...
...Jo, por ishte një njeri me imunitet...
...Prit një minutë, se ishte politik në radhë të parë, po hetohet, do gjenden shkaqet. Problemi i dytë i këtij, as nuk ishte në fushatë, as nuk ishte kandidat, ky ishte një qytetar që pësoi një fat tragjik, për të cilin policia po heton. Nuk ka gjë më të shëmtuar, më të shëmtuar se sa të përdhosësh një të vdekur. Ai vdiq, e vrau dikush, ç’ndodhi do të sqarohet çdo gjë, rrethanat dhe pse vdiq ai tani të tundësh flamurin si bën kryetari i opozitës, ky përsërit Trebickën. Po të hymë në kod, mund ta them unë ty, por kjo s’ndodh kurrë ta themi, ku po shkonte ai të pyes unë ty? Ku po shkonte ai, të pyes unë, ku po shkonte nga Malësia e Madhe, tek kush po shkonte?
Thuhet që do të shkonte të takonte kryetarin e partisë së tij...
Atëherë në kodin më të prerë, ka një problem aty që unë s’e them, se jam i bindur që s’ka asnjë problem.
Ju po akuzoni zotin Ndoka që ka gisht në vdekjen e tij...?
Jo, kategorish jo, e mora si shembull. Është njëlloj si të themi ne tani që ai e thirri dhe shih aty. Është qesharake. Po shkonte të takonte zotin Ndoka, në të gjitha kohërat ajo ka përbërë një problem për Sali Berishën në mënyrë absolute, që e dinë se çfarë mund të them, aty nuk ekziston asnjë problem, nuk bëhet në këtë mënyrë, do të ishte njëlloj sikurse të thoshim ne tani që ai që e thirri, ai e nxori në pritë. Muhabete janë këto? Këto janë turpe. Ky është primitivizëm, politika nuk mund të udhëhiqet nga gjëra të tilla, është një i vdekur, ta hetojnë, familja po e qajnë, familja ka nevojë të dijë edhe ajo se si vdiq djali, burri, prindi.
Por dy ditë para kësaj ngjarje, zëvendësja juaj në PD, Jozefina Topalli, në fushatën elektorale pranë atij fshati bëri një deklaratë, mund të themi jo normale, ku e akuzoi kreun e PDK-së si mafioz. A është normale kjo gjuhë?
Më thuaj mua se çfarë mund të ketë lidhje midis kësaj deklarate dhe atij aksidenti. Ka një lidhje, ta them unë, atyre që u dogji kësula, Edi Ramës i dogji kësula pas veshit, pasi ajo e goditi Edin, pikërisht në pikën e tij më të dobët, në këtë çështjen e të shkuarës së tij dhe lidhjeve familjare me krimet e komunizmit, e të gjitha këta. Tani ky është reagimi, kjo është dobësia e tyre. Ata tani, nga deklarata që dënoi krimin, Edi Rama po të mos donte që të akuzohej, të votonte ligjin e dënimit të krimit kundër komunizmit.
Akuza ishte drejtpërdrejt për PDK-në...
Po lërë ti, reagimin s’e bëri PDK, por Edi Rama.
Kishte një deklaratë të zonjës Topalli, me ketë që ju po thoni se jeni dakord me shprehjet e saj, por a jeni dakord me të njëjtin qëndrim për Partinë Republikane?
Një minutë, përpjekjet për të lidhur vdekjen tragjike të një njeriu, unë për çdo të tillë kam respektin e padiskutueshëm, përpjekjen për të lidhur vdekjen tragjike të njeriu me një denoncim të lidhjeve me krimet e komunizmit të Edi Ramës, kjo është jashtëzakonisht fatkeqe. Për sa i përket PR-së, aleat kryesor i Partisë Demokratike.
Ka dy qëndrime të ndryshme midis jush dhe zonjës Topalli?
Absolutisht jo. Të jesh i sigurt që vetëm një qëndrim ka.
Ishte lapsus i zonjës Topalli?
Mund të jetë një kështu...
..Të nesërmen në mëngjes keni pasur një takim në selinë e PD?
Të nesërmen është bërë sqarimi, PR është aleati ynë.
Do ta keni në qeverinë e ardhshme zotin Mediu sërish ministër?
Kjo s’varet nga unë, ky është problem i PR.
Nëse ua afron, do ta pranoni sërish pjesë të kabinetit tuaj qeveritar?
Zoti Mediu është udhëheqësi i asaj partie dhe ajo parti ka të drejtën e vet të plotë të përcaktojë cilin do të sjellë në qeveri, e para. E dyta, zoti Mediu, e kam thënë dhe do ta them prapë dhe do ta them gjithmonë, në procesin e anëtarësimit në NATO, është një nga njerëzit me kontributin më të madh që unë njoh në këtë vend. E treta, në një akt përgjegjësie të plotë, morale, dha dorëheqjen, u akuzua në mënyrë politike nga ata që u leverdiste të përdornin Gërdecin për qëllime politike dhe morën turpin me akuzën që bënë. U spostuan në fakt ushtarakët. Ndaj edhe unë, zotin Mediu, pa e dënuar gjykata unë e pranoj tërësisht të pafajshëm, nga ana ligjore, nga ana morale ai ka dhënë dorëheqjen.
Në ditën e zgjedhjeve, që ta mbyllim këtë çështje, të deklaratës së zonjës Topalli. A do të ketë vota taktike, apo thirrja juaj për të gjithë votuesit dhe për të gjithë militantët e PD-së është që t’ju votojnë vetëm ju?
Thirrja ime është që të votojnë 10-ën dhe vetëm PD-në. Kjo është thirrja ime shumë e prerë dhe këtë e kanë pranuar aleatët tanë, të cilët janë anëtarë të një koalicioni elektoral, por edhe qeverisës, në bazë të kontributit që kanë, nuk ua injoroj kontributin. Por thirrja ime e prerë për çdo anëtarë dhe aktivist është të votojnë 10, të votojnë Partinë Demokratike.
A ka një pakt le të themi, qoftë edhe të fshehtë, mes jush, zotit Meta, zotit Nano, për të bërë një fushatë kundër zotit Rama siç ka zëra kohët e fundit? Pra ekziston një lloj blloku i politikanëve të filluar më herët...
Jo, absolutisht jo. As nuk ka dhe as nuk mund të ketë. Të dy ata janë eksponentë kryesorë të së majtës, asnjëri nuk është i bërë nga Sali Berisha, janë bërë vetë, që dihet. Problemet e tyre janë brenda të majtës, pa asnjë lidhje, po të jetë problemi zoti Peza, në krahun e Ramës qëndrojnë të gjithë ata që kanë ikur nga unë.
Që janë?
Lëre se do t’u prish punë tani, por dihen ata të gjithë, ata që kanë përreth, përfshirë vetë Ramën, ata kanë qenë në partinë time.
Vetëm 20 minuta qëndroi zoti Rama tek partia juaj?
Po, lëre këtë. Kështu që, nuk ka asnjë gjë, nuk konceptoj që të kem një problem. Natyrisht ka një gjë, nuk mund të mos themi që e majta është me probleme, është me probleme.
Të natyrës?
Problemi më madhor dhe historik i të majtës është moskandidimi i Ramës. Ky është një akt i pafalshëm. E ka parë si e ka bllokuar të gjithë reklamat e Korçës me reklamat e tij, kur qytetarët s’votojnë atë. Nuk bëhet ajo. Por nëse ti vendos portretin, vendos emrin në listë.
Por ju në 2005 futët edhe zotin Xhuvelin, ju nuk kishit asgjë programore të përbashkët me të...?
Kisha, mjedisin. Jam një mjek dhe nuk mund kurrsesi të mos jem mjedisor. Kam marrë vendime, kur kam shpallur disa vendime nuk kanë besuar të tjerët. Për imoralitet ndodhi ajo e privatizimit të ARMO-s, por s’do të kishte D2 fare në Shqipëri. Por unë do t’i kushtoj edhe në të ardhmen vëmendje mjedisit.
Këto janë zgjedhjet e shtata të përgjithshme pluraliste ku ju merrni pjesë dhe sigurisht që zgjedhjet kanë dy rezultate, kanë fitoren dhe kanë humbjen, nëse PD dhe koalicioni humbet a do ta pranoni dhe a do i siguroni shqiptarët se do të bëni një kalim të butë të qeverisjes?
Unë po shëtis në të katër anët e këtij vendi.
Përveç kësaj, është detyra juaj të thoni që do të fitoni sigurisht...
Por nuk shoh në rreze, por nga sytë e shqiptarëve buron vetëm drita e fitores. Tani, të më thuash mua që këta qindra mijëra, mos milionë prozhektorë dritë të kësaj fitoreje se nuk i kanë qartësuar gjërat, i kanë qartësuar gjërat përfundimisht. Sikundër unë mbetem gjithnjë në jetën time i vendosur të respektoj çdo verdikt të sovranit, të këtij populli, ndaj të cilit gjithnjë sado që të përpiqesh dhe të bësh, mbetesh i detyruar.
Pra në rast humbjeje ju siguroni që do ta njihni humbjen dhe siguroni tranzicion të butë të pushtetit tek kundërshtarit...
Tek kush? Unë pranoj verdiktin, populli shqiptar do të ma japë mua.
Ju pranoni vetëm fitoren?
Unë pranoj çdo rezultat të shqiptarëve, nuk mund të diskutohet, s’mund të ketë një diskutim kurrë.
Në rast se shqiptarët me verdiktin e tyre ia japin Ramës dhe PS-së, a do ta prisni në zyrë për t’ia dorëzuar qeverinë?
Po s’është ky problemi. Por më thuaj mua se pse ia braktisën festën e 33-t, nuk ishte puna e shiut, por mos e thello më tutje këtë muhabet...
Nëse humbni, ç’do të bëni ditën e parë?
Pas zgjedhjeve, do të shkëmbej mesazhet e urimit për të gjithë mbështetësit e mi, do t’u shpreh mirënjohjen dhe kontributin e jashtëzakonshëm që dhanë në këtë fitore, do të komunikoj edhe me miqtë e mi kudo në botë. Mund të marr një ditë apo dy ditë pushim. Pushime në Shqipëri, jashtë nuk bëj, me familjen, por edhe miqtë. Shkoj unë jashtë, por pushimet i bëj në Shqipëri.