Berisha: PS ka zënë portën e hyrjes së Shqipërisë në BE

05/06/2005 Partia Demokratike ka zhvilluar dje, në sheshin përballë Tetrit "Andon Zako Çajupi", miting, ku ka prezantuar kandidatët për deputetë. "Evropa pret Korçën dhe Shqipërinë, por pragun e derës ia ka zënë bajlozi i zi i krimit, i korrupsionit. Ia kanë zënë helikopterët e Fatos Nanos që transportojnë drogë. Ia kanë zënë ryshfetet e Kryeministrit prej 350 milonë euro. Ia ka zënë me jahtet përrallore, me paratë e taksapaguesve shqiptarë. Ia ka zënë dhunimi i shëmtuar që ai bën në sy të korçarëve, në sy të gjithë shqiptarëve, kombit më të lashtë të njeriut të qytetëruar. Më 3 korrik përballen dy kultura: kultura juaj dhe antikultura e Fatos Nanos", tha Berisha. Në parashtrimin e platformës elektorale, Berisha nënvizoi, se programi i PD bazohet parasëgjithash te puna dhe punësimi i korçarëve dhe i gjithë shqiptarëve, te shkollat dhe arsimimi i korçarëve dhe i gjithë shqiptarëve dhe në integrimin me pasaportën evropiane të korçarëve dhe gjithë shqiptarëve. "Ne zotohemi se do të ulim papunësinë në nivelin e vendeve më të zhvilluara. Në këtë kontekst do të përgjysmojmë taksat e biznesit të vogël, do të arrijmë marrëveshjen me çdo sipërmarrës privat, t’i paguajë prim, sigurimet shoqërore, t’i paguaj kualifikimin e çdo punëtori, rishtas të punësuar. Ne zotohemi se do të çlirojmë kreditin për çdo qytetar të Korçës, që dëshiron të ketë një biznes, që do të investojë në fermën e tij, që kërkon të blejë një shtëpi, ta mobilojë atë apo të ndjekë studimet e larta", tha Berisha. Po dje, Berisha ka zhvilluar takime në Elbasan, ku ka theksuar se "pas 3 korrikut nafta do të shitet me 40 lekë për çdo fermer. Ne besojmë se puna është shtylla kryesore krahas familjes, lumturia e saj, ndaj ne e vlerësojmë punën. Do të dyfishojmë rrogat e ulëta. Do të dyfishojmë pensionet. Do të rritim rrogat e mesme. Shkëputja nga varfëria, është qëllimi ynë më madhor. Ne jemi të vendosur ta lemë pas atë".