Klosi: Në fushatë do t'i përmbahemi kodit
05/06/2005 Zëdhënësi i fushatës të Partisë Socialiste, Blendi Klosi, ka bërë publike pikat kryesore, mbi të cilat do të bazohet fushata e kësaj partie 30 ditët në vazhdim. Sipas Klosit, “fushata jonë do të jetë shprehje e faktit, si dhe do të ridëshmojë se së bashku me popullin shqiptar sollëm ndryshimin e madh në mbarë vendin. Fushata jonë do t’i përmbahet së vërtetës së pamohueshme që ne trashëguam një Shqipëri në kaos, anarki dhe ekonomi të shkatërruar“. Gjithashtu Klosi ka rikujtuar se nga ana e Partisë Socialiste gjatë zhvillimit të fushatës nuk do të shënohen shkelje të Kodit Zgjedhor. “Fushata jonë do të dëshmojë aftësinë dhe përkushtimin tonë se ne ia dolëm mbarë ta rikthejmë vendim në normalitet dhe u dhamë qytetarëve rend dhe qetësi“, tha ministri aktual i Kulturës. Sipas Klosit, socialistët janë të aftë të vazhdojnë në rrugën e zhvillimit dhe jemi të bindur se Shqipëria me socialistët është në rrugë të mbarë. “Fushata do të dëshmojë se në përmirësuam cilësinë e të jetuarit, rindërtuam shkollat dhe hapëm vende të reja pune. Do të dëshmojmë se ekonomia është rritur e po rritet dhe se marrëdhëniet me partnerët strategjikë, Shtetet e Bashkuara dhe BE, janë më të mira se kurrë“, tha Klosi.