E Hënë, 2 Nëntor 2026

Bodinaku nuk po regjistron 1400 studentë në listë

05/06/2005  Pango akuzon kreun e njësisë bashkiake nr 2

Kryetari i Njësisë Bashkiake nr 2, Përparim Bodinaku, ka marrë një vendim përfundimtar për të përjashtuar nga votimet 1400 zgjedhës të zonës elektorale nr.38 në kryeqytet, ku kandidojnë Ylli Pango nga Partia Demokratike dhe Anastas Angjeli nga Partia Socialiste. Njësia Bashkiake ka refuzuar përfundimisht, në kundërshtim të plotë me ligjin, regjistrimin e 1400 studentëve, që kanë paraqitur aplikimin e tyre për t’u regjistruar në votime, konform me ligjin. Studentët kanë ndjekur rrugën ligjore dhe konform të gjitha procedurave dhe brenda afateve kohore kanë bërë aplikimet individuale në dekanatet përkatëse, për t’u çregjistruar nga zonat e mëparshme dhe për t’u regjistruar si votues në zonën 38. Në mbështetje të Kodit Zgjedhor dhe të vendimeve të KQZ-së, këto aplikime janë firmosur nga dekanatet përkatëse dhe i janë përcjellë më pas Rektoratit. Rektorati, pasi ka kryer verifikimet e nevojshme, i ka kaluar dokumentacionin Njësisë Bashkiake nr. 2. Aty është bërë kërkesa për regjistrim konform të gjitha ligjeve. Kryetari i Njësisë Bashkiake, Përparim Bodinaku, ka refuzuar kërkesën, duke thyer çdo ligj. Ai përfundimisht ka dhënë përgjigjen se nuk do të regjistroj 1400 votuesit në këtë zonë. Kandidati për deputet i Partisë Demokratike në këtë zonë, Ylli Pango, ua ka paraqitur shqetësimin zyrës së OSBE-së në Tiranë dhe Misionit të ODIHR.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›