E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha, PS-së: Dëmshpërblyet Ramiz Alinë dhe Aranit Çelën

Kryeministri Sali Berisha ka mbrojtur dje para Kuvendit në një fjalim të gjatë ligjin e ri për hapjen e dosjeve të ish-Sigurimit me anë të të cilit pritet të pastrohen figurat e zyrtarëve të lartë dhe politikanëve. Ai e ka vlerësuar këtë ligj si ligj që nuk sjell hakmarrje, por vetëm drejtësi për viktimat, por ndërkohë, ka akuzuar opozitën për mungesë vullneti për të hapur dosjet, duke u kujtuar atyre dhënien e pavarësisë dhe dëmshpërblimin për ish-presidentin komunist, Ramiz Alia dhe prokurorin Aranit Çela, të dënuar për krime të komunizmit. Berisha tha se ky ligj nuk ka për qëllim hakmarrjen apo sulmin ndaj figurave të njohura, por vetëm një shërim shoqëror. Kryeministri theksoi se përvoja shqiptare e ligjit të vitit 1995, sipas ligjit çek, u amendua nga socialistët kur erdhën në pushtet, të cilët sipas tij, janë kundër lustracionit. “Në vitin 1997 erdhën në pushtet ata që erdhën në pushtet, hapin e parë që bënë ishte zhbërja e procesit të lustrimit. I njohën pafajësinë Arianit Çelës dhe i dhanë dëmshpërblim për vitet e burgut. Do të thotë kjo se ti o shoku Aranit ke pasur shumë të drejtë që ke adaptuar këtë politikë çnjerëzore, që ke urdhëruar varje, pushkatime etj. etj., kampe përqendrimi, je i pafajshëm. Sepse komunizmi i Alisë është i pafajshëm, shteti kishte të drejtë. Iu dha pafajësia dhe shpërblimi Ramiz Alisë”, - tha Berisha, duke iu drejtuar opozitës dje në Kuvend. Por duke vazhduar logjikën e tij, kreu i qeverisë tërhoqi vëmendjen tek ajo çfarë përfaqësojnë këto dy figura. “Por, a nuk ishte Ramiz Alia ai që ka firmosur me dokument zyrtar në arkiva gjyqin e 27 intelektualëve të Tiranës. A nuk dha dorëheqje Manol Konomi sepse akuzohej se firmoste dhe vuri shpirtin e tij, nuk pranoi. 27 intelektualë të ekzekutohen dhe pastaj t’u bëhej gjyqi, se ishte marrë vendimi i Enver Hoxhës në Moskë. A nuk kishte Ramiz Alia Sekretar i Parë i komitetit të partisë, kur iu vunë minat monumenteve, kishës së Shën Pjetrit dhe në Va të Dejës, më të vjetrat të Ballkanit dhe më të vjetrat në Evropë”, - tha Berisha. Lideri i mazhorancës u ndal më tej në dëmet e shkaktuara nga diktatura komuniste në Shqipëri. Ai tha se diktatura e Hoxhës ishte një diktaturë hitleriane, e cila nxiti ndarje klasore mes njerëzve. Berisha tha se ligji i propozuar nga mazhoranca nuk ka qëllime hakmarrëse pasi është pjesë e një përvoje të njohur. “Ligji çek atë kohë njihej edhe si ligji i Presidentit Haver, këtij vigani të disidencës evropiane, humanistit të madh dhe burrit të shquar. Ishte dhe kjo një frymëzim që këtë ligj mund ta adaptonim më të qetë. Ligji u adaptua, u vu në funksionim, shërbimet inteligjente u pastruan, Sigurimi i Shtetit, u bë verifikimi i figurave të zgjedhura nga ato që ishin përcaktuar, u bë një përjashtim i të gjithë atyre që kishin miratuar platformën e shtypjes së terrorit. Ishin bërë internime mbi baza gjenetike njëlloj si Hitleri”, - tha Berisha. Kryeministri Berisha ftoi opozitën të marrë pjesë në votim dhe të pranojë këtë ligj. Ai tha se opozita është e mirëpritur të bëjë amendamente, por opozita nuk pranoi të bëjë amendamente dhe braktisi sallën. Madje Berisha kujtoi parullën e përdorur nga në vitet ‘90 nga lëvizja demokratike: “Opozitarë por vëllezër”, duke e cilësuar të drejtë pas kaq vitesh. “Përzgjedhjen e kam bërë me vetëdije të plotë, sepse ne ishin e vetmja opozitë në Evropën ish-komuniste që patëm guxim, kurajo, ndonëse në shërbimin më të polarizuar, më të ndarë, më të përçarë të dalë e të shprehet “Opozitarë, por vëllezër”, - tha ai duke nënvizuar karakterin johakmarrës të ligjit. Më tej, shtoi se “sado që u diskutua platforma jonë “Opozitarë, por vëllezër”, unë formuluesi i saj s’kisha pasur asnjë ditë persekutim dhe po ta marrësh në rrafshin e së drejtës, çdo njeri mund të më thoshte mua: Ku e ke ti tagrin që të shpallësh këtë platformë, por historia e provoi të drejtë”. Kryeministri gjithsesi nuk ka lënë pa akuzuar kreun e PS-së, Edi Rama, si nip të nomenklaturës komuniste.

Ndoka kundër ligjit

Deputetët e djathtë kanë mbështetur këtë iniciativë me përjashtim të demokristianëve. Kryetari i tyre, Nard Ndoka, tha se ky ligj është antikushtetues, por atij iu kundërpërgjigj Kryeministri Berisha. “Diskutimi juaj ishte copy-paste (i ngjashëm) i Valentina Leskajt. Je deputet dhe pavarësisht nga pozicioni politik nuk duhet të shtrembërosh të vërtetën. Ky ligj plotëson dhe realizon hapjen e menjëhershme të dosjeve. Nuk ka Kushtetutë demokratike që mbron krime”, - iu kundërpërgjigj Berisha Ndokës.

Baki Shehu: Opozita po hedh gurë mbi Bashën

Deputeti i Partisë Demokratike, Baki Shehu, deklaroi dje në Kuvend se sulmi i opozitës ndaj ministrit të Jashtëm, Lulzim Basha, është një inskenim antikombëtar. Shehu e cilësoi këtë sulm politik si hedhje gurësh mbi një politikan të suksesshëm të qeverisë, i cili i hapi rrugë ndërtimit të rrugës më të rëndësishme që kanë pasur shqiptarët. “Ndërsa qeveria po ndërton rrugën e integrimit rajonal, opozita godet me gurë. Opozita ka sulmuar ministrin tonë të suksesshëm Lulzim Basha. Kjo gjë i shërben vetëm Serbisë e cila nëpërmjet përçarjes së shqiptarëve kërkon të arrijë ndarjen e Kosovës. I gjithë projekti është detajuar me saktësi dhe po zbatohet dhe madje opozita nuk e ka ankimuar”, - tha deputeti i PD-së, Baki Shehu, i cili shtoi se opozita duhet të ndalë sulmet e saj politike pasi sipas tij, ajo po denigron veten.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›