Berisha: Presidenti dekoroi xhelatin e viktimës
Pak para votimit në Kuvend të ligjit të dosjeve, Kryeministri Sali Berisha denoncoi ashpër paradoksin e dekorimit nga Presidenti i Republikës të xhelatëve të komunizmit. Për këtë, Berisha mori si referencë rastin e patriotit Xhelal Koprencka, duke e cilësuar si veprim të ulët dekorimin e prokurorit që kërkoi dënimin e tij kapital disa muaj më parë. Ndonëse Kryeministri para deputetëve demokratë nuk përmendi emrin konkret të prokurorit, ai kishte parasysh pikërisht persekutonin e z. Koprencka, Skënder Brecajn. Kryeministri Berisha vuri në dukje se në mungesë të ligjit për hapjen e dosjeve, në Shqipëri, 18 vitet e fundit janë regjistruar edhe paradokse të tilla kur dekorohen si viktima edhe xhelati. “Në 18 vjet nuk ka një persekutor që të ketë kërkuar falje publike, nuk ka prokuror të ketë treguar varrin e viktimës. Ne përjetuam këtë vit dekorimin e prokurorit që kërkoi dënimin kapital të Xhelal Koprenckës në vitin 1979, sepse ky pinjoll i një familjeje të shkëlqyer, atdhetar i flaktë, kur dy bashkëvuajtësit i bënin letër diktatorit për t'u hapur drejt Rusisë, ai kërkoi që të hapemi drejt Amerikës, si vendi i lirisë. Për këtë dhe vetëm për këtë mori dënimin kapital dhe sot në mënyrën më të papranueshme, xhelati i tij u dekorua këtë vit për faqen e zezë të tij, për të përdhosur ndërgjegjen e kombit”, - tha z. Berisha. Kryeministri e cilësoi draftin si shumë të rëndësishëm për të ndarë vendin njëherë e përgjithmonë nga e kaluara totalitare. Më tej, Kryeministri Berisha i bëri thirrje kryetarit socialist të heqë dorë nga kundërshtimet për ligjin në fjalë me pretendimin se ky draft cenon pavarësinë e sistemit gjyqësor. Por gjatë mbledhjes së djeshme të grupit parlamentar të PD-së, shpjegoi paqartësitë e opozitës e cila akuzon se përmes këtij ligji qeveria po synon shkarkimin e anëtarëve të Gjykatës së Lartë. Sipas Berishës, qëllimi kryesor është transparenca e ofiqarëve të kohës së regjimit komunist, por pa fshehur faktin se ky ligj detyron të lënë detyrën ata që i ka etiketuar si xhelatë të drejtësisë. Ai akuzoi njërin prej tyre, Zamir Shtyllën, dhe mbrojtjen që po i bën kryetari i PS-së. Në kushte të tilla, Berisha i bëri thirrje kryesocialistit Edi Rama që të votojë ligjin e pastërtisë së figurave dhe të distancohet nga e shkuara komuniste. “Sipas teje, z. Rama, procese madhore mund të fillojnë vetëm ata që kanë duart me gjakun e njerëzve të pafajshëm. 98 për qind e gjykatësve nuk kanë lidhje me këtë shpurë. Por Zamir Shtylla, që urdhëroi lidhjen me tela me gjemba dhe të tjerë si ai, janë aty vetëm për lidhje të shumëllojta me drejtuesit dhe mbrohen jo vetëm nga Rama”, - u shpreh Berisha. Kryeministri lajmëroi se varianti çek do të shoqërohet nga një studim i thellë, i paanshëm dhe objektiv i pasojave të tmerrshme të komunizmit nga një institut që do të ngrihet së shpejti dhe që do të ketë për detyrë kristalizimin, formimin dhe zhvillimin e vetëdijes kombëtare për këtë sistem dhe për pasojat e tmerrshme të tij. Sipas tij, "instituti do të zhvillojë institucionin e pendesës, sepse në 18 vjet nuk ka një persekutor apo prokuror që të ketë kërkuar falje publike". Kreu i qeverisë kërkoi gjithashtu që "në shkollat tona të ketë një lëndë të veçantë të reduktuar mbi barbaritë e komunizmit dhe pasojat e tij tek kombi". Por dhe ngritjen në qendër të Tiranës të një obelisku dhe muzeu. "Është e domosdoshme që të përcaktojmë ditën e nderimit të viktimave të komunizmit, është e domosdoshme që të ngremë obeliskun e tyre në një nga sheshet më të rëndësishme të kryeqytetit të vendit, është e domosdoshme që të ngremë muzeun e barbarive", - tha Kryeministri Berisha. Sipas tij, "lustracioni jo vetëm me këtë ligj, por dhe me Institutin e Kujtesës Kombëtare, është një realitet që është realizuar në të gjitha vendet ish-komuniste". "Ata që anuluan ligjin, ata nxorën Ramiz Alinë nga burgu dhe i dhanë pafajësinë. Cili ishte Ramiz Alia? Ai ka vendosur firmën për ekzekutimin e 27 intelektualëve një ditë para se të bëhej gjyqi në Tiranë, në një kohë kur ministri i Drejtësisë dha dorëheqjen dhe nuk pranoi t`i firmoste, pasi nuk ishte bërë gjyqi. Ramiz Alia kryesoi atë propagandë që shkatërroi të gjitha vlerat kulturore dhe fetare mijëvjeçare të kombit. Ai fsheh krimet më të përbindshme kundër shqiptarëve, si masakrën e Tivarit, masakrën më të rëndë pas vitit '45 në Evropë", - u shpreh Kryeministri Berisha. “Është e vërtetë, - tha Kryeministri Berisha, - se në vitin 1990 Ramiz Alia e pranoi pluralizmin, por e pranoi që të shpëtonte lëkurën e tij dhe të mos pësonte fatin e Çausheskut".