Rama kërkon kohë, votojmë dosjet pas kodit
Partia Socialiste është e gatshme që të ulet me mazhorancën për ligjin e dosjeve, por më parë kërkon miratimin dhe zbatimin e Kodit Zgjedhor. Pak orë para se ligji për pastërtinë e figurës të kalonte në Parlament, kryetari i PS-së, Edi Rama, bëri një ofertë në adresë të Kryeministrit Berisha, si të vetmen tentativë për të shmangur miratimin e ligjit për hapjen e dosjeve të Sigurimit të Shtetit gjatë diktaturës komuniste. Rama tha se PS është e gatshme të ulet në tavolinë me mazhorancën dhe të bëjnë një ligj sipas standardeve evropiane, pasi ka kohë për këtë, ndërsa kërkoi miratimin sa më shpejt të Kodit Zgjedhor. “I kemi të gjitha mundësitë të bëjmë një ligj evropian për këtë çështje, e cila në thelb nuk është e asnjë partie më vete, po e të gjithë shoqërisë shqiptare si një e tërë. Ne jemi gati të japim konsensus mbi cilindo model të suksesshëm të vendeve të ish-Lindjes komuniste, ku duhet të bazohet ky ligj dhe jemi të bindur se të gjithë do ta përshëndesnin një proces të hapur e konstruktiv në hartimin e këtij ligji, për të cilin s'ka asnjë ngut në një moment si ky, kur ende duhet të përfundojmë detyrën tonë të përbashkët për nxjerrjen e Kodit Zgjedhor nga Kuvendi dhe hapjen e rrugës për implementimin e tij”, - tha Rama në një komunikim me mediat. Ai kërkoi që mazhoranca të mos votojë me ngut “atë që kanë gatuar pa asnjë debat dhe asnjë mirëkuptim as me opozitën, as me shoqërinë civile, as me kategoritë drejtpërdrejt të interesuara dhe as me partnerët ndërkombëtarë”. Ish-të përndjekurit si grupe interesi janë shprehur pro miratimit të ligjit sa më parë, ndërsa nga ana tjetër, kryetari i PS-së kërkon që Parlamenti të miratojë një tjetër ligj, siç është Kodi Zgjedhor, i cili ka pasur kontestime të mëdha.
Me rikthimin e Kodit Zgjedhor, socialistët kanë përforcuar kërkesën e miratimit sa më parë të këtij ligji duke arsyetuar se po shkelen afatet e tij. Por Kryeministri Berisha, nga ana tjetër i ka trembur mjaft, pasi ai është shprehur pro dialogut PS-LSI për Kodin Zgjedhor. Të premten, Konferenca e Kryetarëve vendosi ringritjen e Komisionit të Reformës Zgjedhore për të bërë rregullimet e nevojshme juridike mbi kërkesat e Presidentit. Në këtë mbledhje, kryetarja e grupit parlamentar të PS-së, Valentina Leskaj, kërkoi që të përcaktohej qartë se komisioni do të shqyrtojë vetëm amendamentin e Presidentit, ndërsa neni 86, pika dy e rregullores së Parlamentit lejon që gjatë punës së komisionit lejohet ndryshimi i neneve të tjera, natyrisht nëse ka vullnet politik. Socialistët vazhdojnë t’i qëndrojnë idesë se nuk ka nevojë për ndryshime të tjera, ndërsa tentojnë herë pas herë për të bindur Kryeministrin, që kodi të kalojë sa më shpejt. Ligji i dosjeve apo dhe ligje të tjera me rëndësi të veçantë edhe për mazhorancën mbeten gurët që mund të përdorë si formë presioni apo edhe konsensusi, me qëllim kalimin sa më parë të dekretit të Presidentit për ligjin elektoral. Në përfundim të deklaratës së tij, kryesocialisti bëri thirrje për rikthim në tryezën e diskutimit për të gjetur mirëkuptimin e të gjithëve, sepse të gjithë e dëshirojnë miratimin më në fund të një ligji evropian për çështjet e dosjeve të diktaturës komuniste.