Sllovakia do të hapë ambasadë në Shqipëri
Sllovakia hap ambasadën e saj në Shqipëri. Me rastin e hapjes së zyrës së Republikës së Sllovakisë, që pritet të kthehet së afërmi në ambasadën e Republikës së Sllovakisë në vendin tonë, ministri i Punëve të Jashtme, Lulzim Basha, priti dje të ngarkuarin me punë të zyrës së Republikës së Sllovakisë në Tiranë Ivan Šveda. Ministri Basha shprehu besimin se ky është një hap që do të ndikojë në intensifikimin e mëtejshëm të marrëdhënieve shumë të mira mes dy vendeve në të gjitha fushat me interes të ndërsjellë. Gjithashtu, ministri Basha e njohu të ngarkuarin me punë, Šveda, me përgatitjet e palës shqiptare për hapjen e zyrës së Republikës së Shqipërisë në Bratislavë. Ministri Basha shprehu mirënjohjen për mbështetjen që Sllovakia i ka dhënë Shqipërisë në proceset integruese euroatlantike dhe evropiane, si dhe vlerësoi se përvoja sllovake në këto procese është një model i suksesshëm dhe frymëzues. Duke çmuar rolin konstruktiv që ka luajtur Sllovakia për paqen dhe stabilitetin në rajonin e Evropës Juglindore, ministri Basha e konsideroi si shumë pozitiv vendimin e qeverisë sllovake për njohjen e pasaportave të Kosovës, si dhe u shpreh se janë të mirëpritura edhe qëndrimet e mëtejshme të Sllovakisë që kontribuojnë për rritjen e sigurisë dhe qëndrueshmërisë në rajon.