E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shpërblimet e fundvitit 62 milionë euro

Qeveria zhvendos destinacionin e disa projekteve financiare. Këshilli i Ministrave miratoi dje dekretin qeveritar për një rialokim fondesh prej 12 miliardë lekësh, gjysma e të cilave do të përdoren për shpërblimet e fundvitit, për pensionistët dhe administratën publike. Kryeministri Sali Berisha në mbledhjen e djeshme të qeverisë, shpjegoi se nga fondi prej 12 miliardë lekësh, 62 milionë euro janë parashikuar për shpërblimin që do t’u jepet pensionistëve në mbarë vendin, si dhe punonjësve të administratës. Sipas tij, janë realizuar të ardhura jobuxhetore rreth 2 miliardë lekë të tjera dhe zhvendosja bëhet nga disa projekte në projekte të tjera. Në këtë rast fondi i rialokuar është 12 miliardë lekë. “Nga këta 12 miliardë, 62 milionë euro janë shpërblimi që ne do t’u japim pensionistëve të vendit për Vitin e Ri dhe punonjësve të administratës, shumë kjo e konsiderueshme, sepse në njëfarë mënyre kjo është e barabartë me rritjen qartësisht prej 5% të pensioneve të fshatit mbi rritjen që kemi bërë në muajin korrik dhe rritja prej 3% e pensioneve të qytetit mbi rritjen që kemi bërë në muajin maj. Po kështu është shpërblimi për punonjësit buxhetorë nga 100 mijë lekë deri në një rrogë”, - deklaroi z. Berisha. Ai qartësoi drejtuesit e institucioneve se aty ky fond i pagave lejon për të dhënë rrogën, rroga shtesë do t’u jepet e plotë punonjësve me rrogë të ulët dhe pjesa tjetër do të ndahet sipas përqindjes që kanë. Sipas tij, nuk do të ketë shpërblim nën 100 mijë lekë dhe nuk mund të ketë shpërblim më të lartë se një rrogë. Rroga siguron të gjithë rrogulëtit. Edhe kjo përbën një rritje shtesë prej 12% për rrogulëtit mbi rritjen që kemi bërë në 1 korrik”. Sipas Kryeministrit Sali Berisha, këto fonde janë rezultat i një perfomance financiare më të mirë nga ç’ishte parashikuar, të cilat burojnë nga miradministrimi i borxhit dhe interesave të borxhit, si dhe nga ruajtja e fondit të kontigjencës. Në mbledhjen e djeshme të qeverisë, jashtë radhës, Berisha vuri në dukje se në fillim të vitit 2008, fondi i kontigjencës është fondi që ruhet për problemet madhore që mund të krijohen gjatë vitit. Berisha pohoi se në fillim të vitit 2008 edhe FMN-ja, por edhe ne ishim dakord të rrisnim fondin e kontigjencës për të gjitha eventualitetet e mosrealizimeve apo problemeve të papritura që mund të krijoheshin. Para kabinetit qeveritar, Kryeministri informoi se nga ky fond 4.2 miliardë lekë kanë mbetur të paprekura dhe ky është një zhvillim shumë pozitiv. Kryeministri bëri të qartë se janë shkurtuar në masën 1,2 miliardë lekë shpenzimet për personelin dhe shpenzimet e tjera duke e vlerësuar këtë si një kursim shumë të rëndësishëm.

Qeveria 26 milionë euro KESH-it, në 2009-ën energji pa ndërprerje

Shqiptarët, vitin që vjen, do të furnizohen 24 orë me energji elektrike. Me qëllim përmbushjen e premtimit të furnizimit pa ndërprerje me energji elektrike dhe pavarësisht shirave të bollshëm të këtyre ditëve, qeveria ka vendosur të blejë sërish energji nga importi. Këshilli i Ministrave i akordoi dje KESH-it 26 milionë euro subvencion dhe kredi për të bërë importe të tjera të energjisë. Kryeministri Berisha bëri të ditur se një pjesë e fondit të rialokuar do të përdoret si kredi dhe subvencion për KESH-in. Duke e konsideruar furnizimin pa ndërprerje me energji elektrike, si domosdoshmëri absolute, Kryeministri theksoi se si rezultat i mbajtjes së këtij premtimi, tremestri i tretë i vitit u mbyll me një rritje ekonomike 2-shifrore. “Furnizimi me energji elektrike pa ndërprerje ka pasur efektin më të shkëlqyer, se sërish tremestri i tretë u mbyll me rritje 2-shifrore. Në qoftë se do të kishte pasur ndërprerje energjie, ju garantoj se nuk do të kishte një rritje të tillë. Ndaj dhe do t’i japim KESH-it kredi dhe subvencion ujësjellësve për të paguar në mënyrë që të futemi në rrugën e sigurisë së furnizimit të energjisë elektrike. Mund të them se në vitin 2008 ne hymë në këtë rrugë. Kjo rrugë përforcohet me ndërtimin e TEC-it në Vlorë dhe vullneti ynë është importi në të gjithë sasinë e nevojshme për qytetarët”. Berisha vlerësoi se KESH-i ka zbatuar me rigorozitet direktivën e qeverisë për importin e sasive maksimale të mundshme të energjisë, duke u shkëputur kështu nga praktikat e kufizimit të energjisë, si dhe duke përmbushur një premtim të qeverisë se fundi i vitit 2007 do t’u japë fund ndërprerjeve të energjisë elektrike. “Ka qenë një premtim i hershëm imi se fundi i vitit 2007 do t’u japë fund ndërprerjeve të energjisë elektrike. Gjatë këtij viti, në përputhje me ketë premtim, KESH-i ka zbatuar me rigorozitet direktivën e qeverisë për importin e sasive maksimale të mundshme, në mënyrë që të shkëputemi nga praktika ndëshkuese e shkëputjeve të energjisë elektrike. Ne kemi blerë energji këtë vit, i cili është viti i dytë i importit më të madh të energjisë, pas vitit të kaluar. Dhe këto ditë që qytetarët shohin se shirat janë të bollshëm, por që digat ishin në nivelet më minimale, edhe këto ditë ne kemi blerë dhe do të blejmë energji, pavarësisht nga moti. Nuk kemi derdhur një pikë ujë dhe kjo është e rëndësishme. Drejtuesit kanë qenë në krye 24 orë në 24 orë për të menaxhuar turbinat dhe kanë përballuar situata mjaft kërcënuese në Vaun e Dejës dhe në Koman, por nuk është derdhur nga tunelet asnjë pikë ujë”. Kryeministri informoi se shuma e akorduar KESH-it si subvencion dhe kredi do të jetë 26 milionë euro dhe do të përdoret për të bërë importe të tjera të energjisë. “Si rezultat i këtij regjimi importi, - u shpreh Kryeministri, - u arrit që të mos ketë ndërprerje të programuara të energjisë, por vetëm ndërprerje aksidentale apo për shkak të remonteve. Përsëri ne po importojmë. Prapë do të importojmë. Uji në diga është rezerva më e shkëlqyer që ne mund të kemi, prandaj dhe qeveria ka vendosur t’i akordojë KESH-it edhe 26 milionë euro subvencion dhe kredi për të bërë importe të tjera. Dua të informoj qytetarët se vjet, gjatë dimrit ne kemi importuar dhe ky regjim importi bëri që këtë vit të mos ketë ndërprerje të programuara. Nuk them se nuk ka pasur aksidente apo ndërprerje për shkak të remonteve. Në mënyrë absolute direktiva ka qenë të mos ketë asnjë minutë ndërprerje”.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›