E Shtunë, 31 Tetor 2026

KE: Zgjedhjet, termometër i mirë për progresin e Shqipërisë



Komisioni Evropian i cilëson zgjedhjet në Shqipëri si një termometër i mirë për të matur përparimin e dukshëm të demokracisë së brendshme. Në një intervistë për BBC, zëdhënësi i Komisionerit të Zgjerimit, Olli Rehn, Amadeu Altafaj, deklaroi se në Shqipëri ka shenja pozitive të zhvillimit demokratik. “Për sa i përket zhvillimit demokratik të Shqipërisë, ka pasur disa shenja pozitive dhe zgjedhjet parlamentare ishin një termometër i mirë për të vlerësuar përparimin e bërë, por gjithashtu edhe përparimin që duhet bërë në muajt dhe vitet e ardhshme”, - deklaroi Altafaj. Ai konfirmoi: “Tani ne jemi gati të përgatisim opinionin tonë sapo të na ftojnë ta bëjmë këtë vendet anëtare”.

Zëdhënësi tha më tej se zgjedhjet ishin një ngjarje për Shqipërinë, pasi u plotësuan standardet kryesore, por ai shtoi se vërejtjet e konstatuara në raport duhet të plotësohen në vijim. “Ka pasur disa ngjarje të rëndësishme muajt e fundit që janë nënvizuar në raport, si për shembull zgjedhjet parlamentare që u zhvilluan duke plotësuar shumicën e standardeve ndërkombëtare, megjithëse kishte disa të meta që duhen trajtuar në zgjedhjet e ardhshme. Megjithatë, sigurisht, vlerësimi ynë arrin në përfundimin sot se disa çështje, si për shembull sundimi i ligjit apo garantimi i funksionimit si duhet të institucioneve shtetërore kanë qenë, janë dhe do të mbeten sfida të mëdha. Pra, ne presim më shumë përparim”, - deklaroi ai më tej.

Por, në të njëjtën ditë, foli edhe ministri i Jashtëm i Suedisë, Carl Bildt, i cili deklaroi se BE është gati të zgjerohet me vendet e Ballkanit Perëndimor. “Në të vërtetë, rekomandimet për nisjen e bisedimeve me ish-Republikën Jugosllave të Maqedonisë dhe hapat në drejtim të liberalizimit të vizave për një numër shtetesh në Ballkanin Perëndimor janë shenja të qarta për qytetarët e këtyre vendeve që grupimi i BE-së jep rezultate dhe përfitime praktike”, - deklaroi ministri i Jashtëm suedez.

Liberalizimi i vizave

Zëdhënësi i Rehn tha më tej se Komisioni pret që në pranverën e vitit 2010, të propozohet heqja e vizave me Shqipërinë. “Një gjë është se çfarë shpresojmë ne dhe se çfarë duam të shohim dhe në këtë kuptim ne presim që në pranverë të vitit 2010 ne të bëjmë propozimet për këtë. Por, çdo gjë pritet të shihet dhe përgjegjësia kryesore qëndron me autoritetet shqiptare”, - tha Altafaj. Ai më tej shtoi: “Është shumë e rëndësishme për ne, por më e rëndësishme për vetë qytetarët dhe ne presim që qeveria të plotësojë kushtet bazë, të njëjtat kushte që u plotësuan kohët e fundit nga Serbia, Mali i Zi, ish-Republika Jugosllave e Maqedonisë, që do të na lejojë ne që të ecim në atë drejtim për të rekomanduar udhëtim pa viza”.

Ndërkohë, zëdhënësi Altafaj foli edhe për bojkotin e opozitës, duke thënë se në Kuvend duhet të bëhet dialogu mes palëve. “Ne presim që të ketë një dialog të vërtetë politik midis forcave politike. Parlamenti është vendi ku duhet të zhvillohet ky dialog, kryesisht. Por, sigurisht që zgjedhjet ishin një test. Shumica e standardeve ndërkombëtare u plotësuan, siç e kuptojmë ne, por megjithatë ende kishte të meta dhe ato duhen trajtuar në të ardhmen”, - deklaroi më tej zëdhënësi i Komisionerit të Zgjerimit, Olli Rehn.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›