E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: Paneli i hetimit të Bankës Botërore, i korruptuar dhe i lidhur me mafien

Nga Tema

A keni një koment tuajin lidhur me vendimin e Bankës Botërore për pezullimin e projektit në Jalë?

Sot, Banka Botërore ka bërë transparencën, procesin në të cilin merr të gjitha përgjegjësitë e veta dhe dëshmon për korrektesën e plotë të autoriteteve shqiptare në këtë projekt. Presidenti i BB është një personalitet i shquar, ndër më seriozët që unë njoh dhe që njihet nga të gjithë, i cili ka përcaktuar se do të nxjerrë përgjegjësitë për ata që kanë gabuar në hartimin e këtij projekti. Qeveria shqiptare ka zbatuar me përpikëri projektin. Por ka një koluzion të mafies së ndërtimit në Shqipëri me Inspection Panel, për të cilin qeveria shqiptare ruan të drejtën e ndjekjes deri në fund të hetimit të këtij korrupsioni. Raporti i BB thotë se Inspection Panel nuk ka pasur dhe nuk ka mandat tjetër përveç hetimit të veprimtarisë së Bankës. Por, çfarë ka ndodhur me Inspection Panel? Ka ndodhur korruptimi i tij në pjesën për Shqipërinë. Kjo ka ndodhur te pika e “mjaltit”. Qeveria ime, “Edil Edilit”, që kishte shpallur Jalën si fshat të vetin turistik dhe “Edil Veqilit” që kishte shpallur Ksamilin si fshatin e vet turistik etj., u tha: Jo! Këto gjëra i keni bërë me Artan Lamen dhe me Partinë Socialiste. Ne nuk njohim “njolla”. Këtë e bëjmë për të bërë një projekt plan të paqortueshëm. Të gjitha “njollat” janë atribut i autoriteteve vendore. Ndërkohë që këta që kishin gllabëruar Jalën, duket se i futën ca pará në xhep edhe Inspection Panel dhe doli që ai shkroi sikur këto njolla i kishte vendosur qeveria ime, në një kohë kur këto njolla ishte pikërisht qeveria ime që i hoqi. Pra, ishte një koluzion i mafies së betonimit të zonës së Bregut me anëtarë të Inspection Panel.

Banka Botërore bëri shumë mirë që qartësoi çdo gjë, por qeveria shqiptare do t’i kërkojë Bankës të hetojë korruptimin e Inspection Panel nga bosët e betonit të bregut. Ashtu siç ndodhi me “të ndjerin”, por kësaj here nuk zgjati aq shumë, sepse ekspertiza doli më shpejt.

Qeveria në këtë çështje është fare korrekte. Por, është jashtëzakonisht e rëndë, është e turpshme, kur mafiet e gjalla përdorin mediet për të intoksikuar hapësirën mediatike. Shikoni se si shkon përdorimi mercenar i medias. Në Jalë, ai ka përcaktuar parajsën e vet dhe e ka botuar dhe ia ka servirur gjithë Evropës si çifligun e tij dhe, kur kjo i hiqet, ai deklarohet se e ka përcaktuar kjo qeveri. Deri këtu nuk mund të shkojë çështja, sepse është shumë e dhimbshme për qytetarët shqiptarë që të mbushen me mashtrime të tilla, të tëra të dirigjuara nga kryetari i opozitës. A e dini ju se Edi Rama ka pasur së bashku me Edilin Jalën? E kanë pasur së bashku dhe Edi Rama ka qenë aksioner me mbi 40% në Jalë. Nëse nuk do ta kishte, ai nuk do të “frynte” të gjitha mediet dhe do ta linte Edilin të vetmuar. Apo ai tjetri, në rastin kur humbi Ksamilin.

Megjithatë, qeveria është e vendosur që të bëjë transparencën e veprimeve. Ne hoqëm “njollat” dhe ua kemi lënë këtë autoriteteve vendore. Nëse ka një projekt-plan të bërë në historinë e këtij vendi në mënyrën më transparente, është ky i bregdetit të jugut. Ndërkohë që ai deshi të thërriste madje mitingun e Jalës, sepse humbi fshatin. Ndaj duhet të jemi shumë transparentë në këtë drejtim.

Megjithatë, BB e ka pezulluar projektin, por a do të dëmshpërblehen banorët?

Kjo është një çështje shumë e drejtë. Këto janë probleme tërësisht të Bankës Botërore. Banka në projekt ka parashikuar, filmimet, anonçimet e filmimeve, ka parashikuar prishjet e ndërtimeve të paligjshme, por kjo Bankë nuk ka parashikuar shpërblimet. Por kjo është çështje e Bankës dhe nuk është çështje e qeverisë shqiptare. Projektin nuk e ka hartuar qeveria shqiptare, parimet e projektit i ka përzgjedhur Banka, ndaj edhe raporti i BB e konsideron shokuese këtë çështje, sepse bie ndesh me disa parime të tjera që i di vetë Banka ato. Unë mbroj vetëm parimet e vendit tim.

Cili është qëndrimi ynë për këtë? Ne nuk kemi pranuar dhe nuk do të pranojmë dy standarde në ligjin shqiptar. Për asnjë projekt ne nuk mund të pranojmë që banorëve të qytetit të Tiranës t’u prishen shtëpitë në emër të një projekti dhe, banorëve të një qyteti tjetër, të mos iu preken shtëpitë, po në emër të këtij projekti. Kjo nuk mund të pranohet, sepse është thyerje e shtetit ligjor. Ajo që pranojmë dhe bëjmë ne, është që në të gjitha rastet, nga Velipoja në Sarandë, për çdo veprim jo të ligjshëm të autoriteteve shtetërore, kjo qeveri ka marrë dhe do të marrë gjithnjë përsipër zhdëmtimin. Për këtë ne jemi krejt të lirë, por këtë gjë e bëjmë mbi bazën e vlerësimit të ligjeve të vendit. Me këtë veprim tonin, edhe BB është e kënaqur. Ne e bëjmë këtë gjë për çdo qytetar dhe nuk punojmë me dy standarde, pasi nuk mund ta pranojmë këtë. Ata që kanë hartuar projektin, u takon edhe kjo gjë. Pra, është çështje e tyre. Ne kemi zbatuar me përpikëri dhe me transparencë të plotë projektin. Nëse Edi Ramës i “dogji në kallo”, sepse i iku Jala, apo se edhe atij tjetrit i iku Ksamili, ky s’është problemi ynë. Qëllimi ynë ishte një projekt transparent.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›