Në shtetin e vjehrrit
Kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, akuzoi dje Panelin e Investigimit të Bankës Botërore si të korruptuar dhe hodhi një sërë akuzash të papërgjegjshme ndaj gjithkujt që ai mendon se po i krijon një problem të ri duke zbuluar përfshirjen e dhëndrit të tij në këtë skandal që ka marrë përmasa ndërkombëtare. Drejtuesi i këtij hetimi, i cili ka një reputacion ndërkombëtar të pranuar si njeriu që ka hetuar ish-drejtorin e mëparshëm të Bankës Botërore, natyrisht nuk besoj se do të preket nga kjo deklaratë e papërgjegjshme. Thjesht mund ta injorojë si deklaratën e një vjehrri që mbron dhëndrin sesa si deklaratë e një kryeministri për një zyrtar të tij. Nën këtë justifikim njerëzor mund të veprojnë dhe persona të tjerë të përbaltur prej tij. Dhe kjo do të ishte paksa njerëzore, po të kemi parasysh që kryeministri është nervoz, pasi si askush tjetër në historinë e këtij vendi, brenda tri viteve i është dashur të mbrojë djalin nga trafiku i armëve, vajzën nga pastrimi i parave, dhëndrin nga trafiku me projektin e Bankës Botërore për bregdetin. Ky impenjim, sa njerëzor, aq dhe politik, natyrisht të bën nervoz dhe shpesh të nxjerr jashtë kontrollit. Po të kemi parasysh dhe moshën e tij, skena e djeshme nuk kishte nevojë për koment.
Por, problemi që kemi ne si shoqëri me këtë kryeministër i tejkalon problemet e tij si baba, si vjehërr apo dhe si krushk. Ky kryeministër, djali i të cilit lobonte në mes të ditës për kontratën fatkeqe të Gërdecit, e shëtiste zyrë më zyrë me emrin e tij në gojë, sapo problemi doli në dritë, akuzoi “New York Times” dhe më pas tentoi të implikonte dhe diplomatët amerikanë në skandal, vetëm që ai të dilte i larë. Ky kryeministër, sekseri i familjes së të cilit, Damir Fazlliç, ka sjellë gjithë mafien ish-jugosllave antishqiptare këtu dhe ka përdorur vajzën e tij si pasaportë licencash, transfertash dhe labirinthesh kompanish qipriote, implikoi deri ish-ndihmësin e presidentit Bush, Tom Ridge, për të thënë që Fazlliç ishte njeri i rëndësishëm. Ky kryeministër, që tashmë po i akuzojnë dhëndrin si njeri që ka trafikuar interesa për projektin e bregdetit jugor, tashmë po akuzon Bankën Botërore si të korruptuar. Për fatin tonë të mirë këtu mbyllet familja e tij biologjike dhe nuk presim ndonjë telash tjetër më të madh. Por këtu fillojnë problemet tona me atë që quhet kryeministër i vendit. Pardje, i njëjti kryeministër ka mbajtur një fjalim po ashtu njëorësh duke akuzuar Gjykatën Kushtetuese se ka konflikt interesi në marrjen e vendimit për ligjin e lustracionit. Dhe është e vërtetë se disa njerëz të emëruar dhe prej Berishës në atë Gjykatë preken nga ky ligj. Por, tashmë që ky kryeministër akuzon Bankën Botërore për korrupsion, vetëm pse ajo tregon me gisht nga dhëndri i tij, a nuk është një konflikt i pastër interesi? Cili kryeministër në botë do të kishte guxuar ta bënte këtë për të mbrojtur dhëndrin e vet, përveçse ndonjë kryeministër i vendeve të botës së tretë? ǒështë ky kryeministër që para një raporti serioz të Bankës Botërore dhe para një sërë dyshimesh të bazuara të ngritura për trafikimin e interesave prej dhëndrit të tij, nuk këshillon dhëndrin për dorëheqje dhe të nisë hetimet nga pala shqiptare, por damkos Bankën Botërore dhe kërkon që të hetohet ajo dhe jo ky? Nuk di të ketë një rast më ekstrem të konfliktit të interesit sesa ky rast, dhe një gjest më të pastër të mungesës së ndershmërisë sesa ky që demonstron kryeministri ynë. Për të larguar akuzat nga dhëndri i tij, rruga më e drejtë do të ishte nxitja prej qeverisë e hetimit nga drejtësia shqiptare e këtij skandali. Derisa hetimi të mbaronte, dhëndri i tij duhet të ishte i dorëhequr dhe koha do të provonte, nëse skandali i bërë publik, jo nga ne, por nga Banka Botërore, kishte përfshirë ose jo dhëndrin e tij. Ky kryeministër nuk e bën këtë, se ky kryeministër nuk ka besim te shteti i vet. Ky është kryeministri që është në luftë me shtetin e vet në emër të pushtetit të vet. Por, meqë këtë nuk ka guxim ta bëjë, së paku të heshtë dhe të ruajë vendin si kryeministër duke mos e ngatërruar atë me detyrën e tij si vjehërr dhe baba. Ky njeri që gjen interesa të lidhura hipotetike mes çdo kundërshtari të tij dhe medieje kritike, me fenomene korrupsioni në Shqipëri, nuk guxon qoftë dhe një sekondë të mendojë se është kryeministri i vendit që do të hyjë në NATO pas më pak se dy muajsh, por mendon vetëm si baba dhe vjehërr i atyre që akuzohen.
Pas gjestit të tij të djeshëm në publik, pas hakërrimit të tij ndaj Bankës Botërore dhe pas injorimit prej tij të drejtësisë shqiptare për këtë çështje, shfaqet qartë pushteti i një kryeministri, i cili sakrifikon shtetin e tij dhe reputacionin e vendit, për shkak të djalit, vajzës, dhëndrit dhe shokëve e miqve të tyre.