Turizmi politik i Maqedonisë
Edhe Maqedonia e vogël është kujdesur që të ketë një videoklip të saj promovues në kanalin gjigant televiziv CNN. Meqë një gjë të tillë para saj e kanë bërë shumica e vendeve të tjera ballkanike, synimi i Maqedonisë për të pasur disa skena të veta propaganduese në CNN s'është ndonjë çudi.
Kjo natyrisht mund të jetë një përshtypje e atyre që klipin maqedonas në CNN e përjetojnë vetëm si një pushim monoton mes dy blloqe lajmesh. Të gjithë të tjerët që në start e vërejnë se diçka s'është në rregull me të. Videoklipi maqedonas nuk propagandon turizëm, siç bëjnë videoklipet e ngjashme në CNN, por një histori të kornizuar brenda një axhende politike. Që nga sekuenca e parë e deri tek ajo e fundit bien në sy dy detaje. Një mungesë absolute e çfarëdo shenje, qoftë edhe asociacioni, që do të mund të lidhej me faktin se Maqedonia s'është shtet vetëm i një kombi. Një detaj ky që duket se e ka harruar regjisori i videoklipit, shkupjani Milco Mancevski. Dhe, se historia e lashtë e saj qenka një copy-paste e asaj greke. Në të vërtetë, “Macedonia Timeless” (Maqedonia e Përjetshme), njëmend paraqet një “regji mjeshtërore” të historisë dhe të së tashmes. Një montazh “gjenial” detajesh dhe artefaktesh që tentojnë të krijojnë përshtypjen e lashtësisë së popullit maqedonas. Të gjitha këto pastaj të gërshetuara me fotografitë lëvizëse që shfaqin veshjen kombëtare maqedonase, kishat ortodokse, por edhe personazhe dhe antikitete historike...
Për një amerikan ose evropian të painformuar, videoklipi duket bukur. Sepse as i pari e as i dyti s'mund ta kenë idenë që autori i tij synon që me një të rënë t'i eliminojë dy caqe: shqiptarët dhe grekët. Montazhi i tipit “merr pak këtu e pak atje” të parët i eliminon krejtësisht, e të dytëve ua huazon figurat historike. Dhe kaq i mjafton Mancevskit për krijimin e versionit të tij të historisë së Maqedonisë.
Por problemi qëndron aty, se një shtet dhe regjisor serioz s'mund të eliminojnë 35 përqindëshin e banorëve të vendit, për të cilin bën fjalë videoklipi. Aq më pak, nëse cak i tij është transmetimi në CNN. Arsyetim s'mund të jetë as axhenda e paracaktuar në kokën e Mancevskit. Artistikisht mund edhe të kesh një mani të bindjes së vetvetes se je autokton, pavarësisht të gjitha fakteve relevante historike që flasin ndryshe. Kjo gjë mund të konsiderohet njëfarë lirie e shprehjes artistike - qoftë për shkak të rebelimit shpirtëror ndaj ndonjë fenomeni të caktuar, qoftë për shkak të ngjyrimit nacionalist që ke brenda vetes. Falë një shpirti të tillë artistik, mbase edhe mund të emërosh rrugë ose aeroporte me emra të personaliteteve të huaja historike, përkundër asaj se miqtë dhe të afërmit të sugjerojnë që të mos e bësh këtë gjë. Mbase mund edhe të tentosh të përvetësosh personazhe botërisht të njohura dhe të shpërblyera për bamirësi, të një kombi tjetër - edhe pse të gjithë përreth teje e dinë se po gënjen... Si pasojë, pjesa finale e një loje të tillë montazhi mandej duhet zhvendosur diku më larg, diku ku s'kanë qasje të gjithë - në histori. Megjithëse, edhe atë e di dikush. Megjithëse përfitimi i vetëm që mund të kesh si shtet ose artist është rrezikimi shumë serioz që të dukesh qesharak, fobik dhe joserioz. Si pasojë e një qasjeje të tillë në videoklipin maqedonas që vazhdon të emitohet në CNN, Greqia, që atë e konsideron provokim të fundit të Maqedonisë ndaj saj, tashmë ka paralajmëruar ankesë në të gjitha adresat relevante të botës.
Por, ajo që habit dhe s'mund të kuptohet është mosreagimi i liderëve shqiptarë ndaj regjisë së historisë dhe të tashmes së tyre të nënshkruar Mancevski me amin të tjetërkujt. Fundja, shqiptarët në Maqedoni s'do të duhej të ishin një minoritet që mund të neglizhohet aq lehtësisht dhe që në prezantimin e shtetit të tyre të mos shfaqen kund. Apo ndoshta edhe munden?