Zgjedhjet, vëzhguesit mund të ndalojnë numërimin e votave
Si do të monitorohet vota nga vëzhguesit
Të drejtat dhe detyrimet e vëzhguesve
Çdo parti politike apo subjekt i interesuar mund të bëjë kërkesë që të monitorojë me vëzhgues në terren mënyrën e votimit si dhe procesin më të rëndësishëm, atë të numërimit të votave. Me sa duket, zgjedhjet e ardhshme të qershorit do të kenë numrin më të madh të vëzhguesve. Janë paralajmëruar një numër rekord vëzhguesish ndërkombëtarë si nga OSBE/ODIHR-i, por edhe nga organizma të tjerë dhe parti politike shqiptare. Në procedurat përkatëse, që pritet të miratohen ditën e nesërme nga KQZ-ja, vëzhguesit do të ketë një sërë të drejtash. Në rast se ndonjë vëzhgues sheh ndonjë paqartësi gjatë numërimit të votave, ka të drejtë të ndalojë numërimin dhe të kërkojë rivlerësimin. Parti të tilla, si LSI-ja që kërkuan me ngulm komisionerë, kanë paralajmëruar se do të kenë një “ushtri” me vëzhgues. Nga ana tjetër, procesi i monitorimit do të jetë më i rreptë nga kamerat e survejimit.
Gjithsesi, ditën e nesërme, KQZ-ja do të miratojë procedurat përkatëse se si do të akreditohen vëzhguesit, të drejtat dhe detyrimet e tyre. Çdo parti politike apo koalicion i regjistruar në KQZ, ka të drejtë të caktojë nga një vëzhgues në KZAZ, KQV dhe për çdo tavolinë në Vendin e Numërimit të Votave, pas regjistrimit të listës shumemërore pranë KQZ-së, sipas rregullave që përcaktohen. KQZ-ja bën akreditimin e vëzhguesve të subjekteve zgjedhore. Në asnjë rast, një parti politike, koalicion, kandidat i propozuar nga zgjedhësit, nuk mund të kenë më shumë se një vëzhgues të pranishëm në një qendër votimi. Akreditimi i vëzhguesit në Vendin e Numërimit të Votave nuk mund të përfshijë më shumë se një VNV. Çdo subjekt zgjedhor mund të kërkojë për çdo VNV, akreditimin për jo më pak se 5 dhe jo më shumë se 10 vëzhgues, në varësi të numrit të tavolina, që do të ketë në këto ambiente zgjedhore. Kërkesat e subjekteve zgjedhore për akreditimin e vëzhguesve i paraqiten KQZ-së jo më vonë se 15 ditë para datës së zgjedhjeve. KQZ-ja miraton kërkesat e subjekteve zgjedhore për akreditim të vëzhguesve jo më vonë se 5 ditë nga paraqitja e tyre
Të drejtat dhe detyrimet
Vëzhguesit do të kenë të drejta si të vëzhgojnë pa pengesë të gjitha aspektet e përgatitjes dhe zhvillimit të zgjedhjeve dhe të gjitha fazat e procesit zgjedhor, të paraqesin vërejtje me shkrim para komisioneve të zgjedhjeve për çdo lloj parregullsie që vërejnë, të shohin ose të këqyrin dokumentacionin ose materialet e procesit zgjedhor. Vëzhguesit e subjekteve zgjedhore të akredituar në Vendin e Numërimit të Votave kanë të drejta shtesë si të pezullojnë veprimet e mëtejshme të Grupi i Numërimit të Votave në rast të konstatimit të pasaktësive ose parregullsive gjatë procesit të numërimit të votave (gjatë verifikimit të materialeve zgjedhore që gjenden në Kutinë e Materialeve Zgjedhore dhe verifikimit të të dhënave për numrin e fletëve të votimit në kutinë e votimit) dhe të njoftojë KZAZ-në sipas nenit neni 116 të Kodit Zgjedhor, t’i kërkojë Grupit të Numërimit të Votave rivlerësim të fletëve të votimit sipas përcaktimeve të paragrafit të tretë të pikës 2 të nenit 118 të Kodit Zgjedhor si dhe të marrin kopje të tabelës përmbledhëse të rezultateve të zgjedhjeve të ZAZ-së, tabelave të rezultateve të qendrave të votimit dhe kopje të procesverbaleve të konstatimit. Vëzhguesit kanë njëkohësisht edhe mjaft detyra si të respektojnë kërkesat e Kodit Zgjedhor dhe udhëzimet e KQZ-së për vëzhgimin e zgjedhjeve, si dhe vendimet dhe urdhërimet e KZAZ-së ku janë akredituar, të mos bëjnë propagandë për asnjë kandidat, parti ose koalicion në ambientet zgjedhore, të paraqiten para komisioneve të zgjedhjeve me autorizimin e lëshuar nga KZAZ-ja, të shoqëruar me dokumentin e identifikimit të pranuar nga KZAZ-ja, të mos mbajnë shenja dalluese që shërbejnë si propagandë ose që mund të ndikojnë mbi vullnetin e zgjedhësit, të mos dhunojnë të drejtën e votuesit për të votuar në fshehtësi dhe të mos pengojnë procesin e votimit dhe numërimit të votave, vëzhguesit e subjekteve zgjedhore të akredituar në VNV gjatë procesit të numërimit dhe vlerësimit të votave nga Grupet e Numërimit janë të detyruar të qëndrojnë në vendin e caktuar për ta nga KZAZ-ja si dhe të respektojnë rregullat e etikës në marrëdhëniet me komisionerët zgjedhorë dhe vëzhguesit e tjerë, të mos komentojnë me zë dhe të mos debatojnë lidhur me zhvillimin e procesit të votimit.