Shtetësia shqiptare, 7700 persona heqin dorë
Nga të 7652 personat që rezultojnë të kenë lënë shtetësinë, janë evidentuar prej kësaj ministrie vetëm 2994 shtetas
TIRANË- Hapja e Shqipërisë ndaj botës është shoqëruar edhe me një fenomen të panjohur më parë për shqiptarët, atë të lënies së shtetësisë shqiptare dhe përqafimit të një shtetësie tjetër të huaj.
Vitet e tranzicionit, përveç ndryshimeve demokratike, kanë sjellë dhe një lëvizje të madhe demografike, jo vetëm brenda vendit, pra nga fshati në qytet, por edhe nga Shqipëria drejt vendeve të tjera të huaja. Nuk bëhet fjalë për emigrantët, por për ata persona, që kanë vendosur të ruajnë vetëm kombësinë shqiptare, por jo shtetësinë.
Kështu, presidentët shqiptarë, në këto 19 vite demokraci, kanë firmosur 7652 dekrete për lënie nënshtetësie. Këto janë të dhënat zyrtare që jep vetë Ministria e Brendshme në materialin e saj informues, paraqitur në komisionin Ad-Hoc parlamentar, për zbatimin e kodit zgjedhor, sipas të cilit, nga viti 1991 e deri në muajin mars të vitit 2009, rezulton të kenë hequr dorë nga shtetësia shqiptare 7652 shqiptarë.
Duhet evidentuar fakti se ky është një numër i kufizuar, pasi numri i atyre që kanë kërkuar një gjë të tillë është shumë më i madh, nisur kjo nga lista e gjatë e atyre që janë në pritje të dekretit presidencial.
Ky fenomen është bërë problem edhe për sa i përket spastrimit të Regjistrit Kombëtar të Gjendjes Civile nga të gjithë ata qytetarë që, me dëshirën e tyre, kanë hequr dorë nga shtetësia shqiptare.
Në informacionin e paraqitur nga Ministria e Brendshme, evidentohet problemi se për shkak se dekretet e presidentëve nuk japin të dhëna të tjera përveç emrit mbiemrit dhe atësisë së personave që kanë lënë shtetësinë, është bërë e pamundur që ata të evidentohen në Regjistrimin Kombëtar.
Nga të 7652 personat që rezultojnë të kenë lënë shtetësinë, janë evidentuar prej kësaj ministrie vetëm 2994 shtetas, të cilët korrespondojnë me të dhënat e pjesshme të shtetasve që kanë lënë shtetësinë.
Për këtë arsye, përveç problemit të spastrimit të Regjistrit Kombëtar dhe si rrjedhojë edhe e listave të zgjedhësve nga dublikimet, ekziston dhe problemi tjetër, që ka të bëjë me spastrimin e tyre edhe nga shtetasit që kanë lënë shtetësinë shqiptare.