Kartat, "Sagem" refuzon të raportojë për ecurinë
Ministria e Brendshme është e pafuqishme që ta detyrojë atë të japë informacione përpara legjislativit.
MB: Kanë aplikuar 392.298 persona, ndërsa janë prodhuar nga kompania 302.296 karta, nga të cilat janë shpërndarë nëpër njësi 181 mijë
TIRANË- Qeveria heziton të sjellë në Kuvend kompaninë koncensionare "ALEAT. Shpk", për të dhënë informacione lidhur me ecurinë e procesit të pajisjes së qytetarëve me letërnjoftime elektronike.
Kërkesës së komisionit Ad- Hoc parlamentar për zbatimin e Kodit Zgjedhor, për thirrjen për raportim në Kuvend të kompanisë, që ka marrë përsipër prodhimin dhe pajisjen e qytetarëve me karta identiteti, Ministria e Brendshme i ka kthyer përgjigje negative, duke argumentuar se është e pafuqishme që të detyrojë atë që të japë informacione përpara legjislativit.
Në një letër informuese, drejtuar komisionit të posaçëm kuvendor, ministri i Brendshëm, Bujar Nishani, thekson se marrëveshja e lidhur me kompaninë nuk parashikon detyrimin, që koncensionari të japë llogari përpara deputetëve në Kuvend.
Prandaj, thekson Nishani, për këtë çështje Kuvendi duhet të hyjë vetë në marrëdhënie me kompaninë e kartave, për ta bindur atë që të sjellë informacionet edhe para tij.
Ndaj kësaj përgjigjeje ka reaguar Partia Socialiste, e cila me anë të përfaqësuesit të saj, Kastriot Islami, ka deklaruar për mediat pas mbledhjes së djeshme të komisionit, se është detyrim për një kompani koncensionare, e cila ka fituar të drejtën të ofrojë një shërbim publik, për të dhënë të gjitha informacionet mbi ecurinë e këtij procesi, edhe përpara legjislativit.
Nisur nga ky argumentim, deputetët socialistë kanë gjetur dje në komisionin Ad-Hoc pëlqimin edhe të mazhorancës, për t'iu drejtuar me një shkresë kompanisë "ALEAT", që të vijë në Parlament për të dhënë informacionet e duhura për numrin e aplikimeve, kartat e prodhuara dhe shpërndarjen e rrjetit të stacioneve të aplikimit.
"Kemi kërkuar një komunikim të drejtpërdrejtë me kompaninë "ALEAT" dhe na është thënë nga Ministria se e ka të pamundur për ta bërë këtë gjë. Është më se normale që kjo kompani që ka fituar një tender me paratë publike, të vijë në Kuvend dhe të na japë informacionin, që ajo ia përcjell Ministrisë së Brendshme", - tha Islami pas mbledhjes.
Për këtë qëllim, grupi i deputetëve socialistë në këtë komision, ka bërë gati dhe një letër, që u është vënë në dispozicion edhe deputetëve të tjerë, ku ndërmjet të tjerave, i drejton kompanisë "ALEAT" katër kërkesa: të organizohet një herë në javë informimi mbi dinamikën e aplikimeve, prodhimit të kartave dhe shpërndarjes së tyre në çdo njësi, të paraqitet nga kompania një analizë dhe një plan special veprimi për pajisjen e qytetarëve pa pasaportë me kartë identiteti, të ndërmerret prej saj një fushatë sensibilizuese masive dhe intensive, si dhe të detyrojë stacionet e saj që të punojnë deri në orën 19 pasdite, si dhe ditët e fundjavës.
Ndërkohë që, në informacionin e saj, paraqitur dje në komisionin e posaçëm parlamentar, Ministria e Brendshme paraqet një situatë krejt ndryshe nga ajo që pretendon opozita, për sa i përket ecurisë së deritanishme të procesit.
Kështu, sipas këtij materiali informues, deri në datën 31 mars, rezulton që të kenë aplikuar 392.298 persona, ndërsa janë prodhuar nga kompania 302. 296 karta, nga të cilat janë shpërndarë nëpër njësi, 181 mijë dhe janë tërhequr nga qytetarët 67 mijë.
Ministria e Brendshme informon gjithashtu edhe për vështirësitë, që janë hasur në këtë proces, pasi sistemi nuk njeh shkronjat "ç" dhe "ë", që gjenden në emrat, mbiemrat apo vendlindjet dhe vendbanimet e shtetasve. Më herët, gjatë ditës së djeshme në komision, raportuan dhe drejtuesit e KQZ-së, Kryetari Arben Ristani dhe nënkryetarja Dëshira Subashi, të cilët sollën një panoramë të të gjithë veprimtarisë së deritanishme të këtij komisioni.
Nënkryetarja Dëshira Subashi, ngriti shqetësimin për skadimin e afatit për korrigjimet në listat e zgjedhësve dhe mungesës së një informacioni se çfarë është bërë deri më tani me këtë gjë, ndërsa Kryetari Ristani ka theksuar nevojën për ndihmën që i nevojitet KQZ-së nga partitë politike, për të bërë të mundur sigurimin e një procesi të plotë zgjedhor.