Berisha: Pasojat e krizës ekonomike po zhduken plotësisht
Kryeministri mori pjesë në Takimin e 19-të vjetor të BERZH të zhvilluar në Kroaci
Kryeministri Sali Berisha mori pjesë dje në Takimin e 19-të vjetor të BERZH të zhvilluar në Zagreb, Kroaci. Në këtë takim të rëndësishëm morën pjesë rreth mbi 2000 pjesëmarrës nga e gjithë bota, të cilët diskutuan mbi politikat më të fundit ekonomike dhe sociale, mbi mundësitë e investimeve në vendet ku operon BERZH-i, si dhe në forcimin e lidhjeve dhe komunikimit mes vendeve pjesëmarrëse.
Duke iu përgjigjur interesimit të mediave, lidhur me zhvillimin e këtij aktiviteti, si dhe përfaqësimin e Shqipërisë, kryeministri Berisha u shpreh se takimi përfshin të gjithë zonën e BERZH, Evropën dhe më gjerë si anëtarësi, por ishte nj rast vërtetë i veçantë, pasi ky takim organizohej në Kroaci, pra në rajonin tonë.
“Sapo përfundoi takimi që u zhvillua në formën e një dreke pune, ku të gjithë pjesëmarrësit paraqitën vlerësimet e tyre mbi zhvillimet ekonomike të vendeve të tyre dhe në rajon, theksuan problemet kryesore apo pikat mbi të cilat kanë bashkëpunuar dhe do të vazhdojnë bashkëpunim me BERZH. Unë njoha të pranishmit me përpjekjet e mëdha të qeverisë shqiptare për të parandaluar ose për të zvogëluar, pasojat e një krize globale të paprecedentë, që nga vitet ‘30 të shekullit të shkuar. Unë informova të pranishmit se disa nga pasojat e shfaqura nga fundi i viti 2008 gjer në vitin 2009, tani po zhduken tërësisht ose janë në zhdukje e sipër. Kështu, Shqipëria ka një dyfishim, madje mbi dyfishim të eksporteve të prodhuara në Shqipëri dhe mund të them këtu se një nga këshillat kryesore është që këto vende duhet të nxisin prodhimin, si një mbrojtje ndaj krizës. I njoha gjithashtu me situatën e sistemit bankar shqiptar. është një situatë realisht, qartësisht pozitive, bankat tona janë plotësisht likuide, raporti kredi dhe depozita është 0.6 për qind, pra jo më shumë se 60 për qind e depozitave janë kredituar, çka do të thotë se është një ndër raportet më të mira; i njoha me situatën e ardhjes të të ardhurve”- u shpreh kryeministri Berisha.
Kreu i qeverisë vuri në dukje se në takimin e BERZH ka shtruar dhe disa probleme, të cilat meritojnë të trajtohen gjërësisht. Një një ndër to, tha kryeministri, është korridori aziatik-jonian, korridori i 8, mbi gazsjellësit e mëdhenj dhe projektet e tjera, të cilat i bëjnë shkëmbimet rajonale, shumë më të mundshme.
“Së dyti kërkova që të intensifikohen kreditë e BERZH për sektorin privat. BERZH është një partner i shkëlqyer i Shqipërisë. Gjatë këtyre viteve ka investuar më shumë se gjysmë miliardi euro në Shqipëri, ndër të cilat ka arritur të mobilizojë edhe 1.5 miliardë euro të tjera nga faktorë të tjerë. Por në këtë periudhë është shumë e domosdoshme financimi i sektorit privat. Kërkova gjithashtu që BERZH të financojë edhe në projekte të tjera, veçanërisht në parqe industriale dhe në sektorët të cilët krijojnë punësim të madh.
Mendoj se nga ky takim konstatova një frymë optimiste, natyrisht vendet pjesëmarrëse këtu kanë qenë shumë më të prekur se Shqipëria nga pasojat e krizës apo direkt nga kriza. Në tërësi dominuan lajmet pozitive, në tërësi dominoi optimizmi, pasi edhe ato që kanë qenë me rritje minus, këtë vit mund të shënojnë një rritje sado të vogël pozitive 0.5 për qind, apo 1 për qind dhe se një rritje të madhe do të presin për vitin e ardhshëm. Kështu që, samiti ishte një samit shumë i rëndësishëm, pasi BERZH kishte përzgjedhur rajonin tonë, Ballkanin, si një rajon të përqendrimit të vëmendjes së saj maksimale”- deklaroi ndër të tjera, kreu i qeverisë, Sali Berisha.
Berisha takon në Kroaci kryeministrin maqedonas Gruevski/Gjatë qëndrimit të tij në Zagreb, kryeministri Sali Berisha zhvilloi një takim me homologun e tij maqedonas, Nikola Gruevski. Të dy kryeministrat rikonfirmuan vendosmërinë e të dy qeverive për konsolidimin e mëtejshëm të marrëdhënieve shumë të mira politike midis të dy vendeve dhe zgjerimin e thellimin e miqësisë dhe bashkëpunimit në të gjitha fushat në dobi të të mirës së të dy vendeve e popujve. Në këtë kontekst, kryeministri Gruevski i bëri me dije kryeministrit Berisha se pala maqedonase është duke punuar që së shpejti të fillohet me pjesën maqedonase të projektit të autostradës që do të lidhë të dy vendet, pjesë e Korridorit 8, si edhe se së shpejti do të nis hartimi i projektit për pjesën maqedonase të linjës hekurudhore që do të lidhë të dy vendet. Kryeministri Berisha e përshëndeti këtë hap të qeverisë maqedonase duke e vlerësuar Korridorin 8 si një infrastrukturë të një rëndësie strategjike për të dy vendet dhe rajonin. Kryeministri Berisha e njohu kryeministrin maqedonas për planet e qeverisë shqiptare për të filluar së shpejti me rrugën Tiranë-Elbasan, si element thelbësor i Korridorit 8 në Shqipëri dhe përfundimin e rrugës së Arbrit, e cila e shkurton me rreth 100 kilometër distancën Shkup-Tiranë, si edhe për gatishmërinë e qeverisë shqiptare për të përfunduar edhe pjesën e hekurudhës deri në kufirin me Maqedoninë, duke krijuar kështu mundësinë edhe të këtij transporti shumë të rëndësishëm ndërmjet të dy vendeve dhe më gjerë.
Duke vlerësuar rëndësinë e jashtëzakonshme të Marrëveshjes së Ohrid, Kryeministri Berisha theksoi se zbatimi i plotë i saj dhe zgjidhja e çështjeve të tjera të mbetura në këtë kuadër është thelbësore për paqen, stabilitetin dhe mirëkuptimin e bashkëpunimin ndëretnik në vendin fqinj. Në këtë kontekst, kryeministri Berisha rikonfirmoi qëndrimin se paqja, stabiliteti dhe integriteti territorial i Maqedonisë përbën interes madhor për Shqipërinë dhe shqiptarët, ndaj edhe çdo akt që bie në kundërshtim dhe i cenon ato është i papranueshëm.