E Diel, 1 Nëntor 2026

Kapitullon opozita, Edvini zhduket menjëherë pas fjalimit/Çoroditen socialistët

Skena teatrale nis me Skënder Gjinushin, simbolin e nomeklaturës dhe vijon me disa ligjërues me probleme gjuhësore si Ndoka dhe Dule e deri te Spartak Ngjela, i cili sot kishte prekur limitet e çmendurisë mendore, duke pretenduar për 250 mijë mbështetës, ndërkohë që më optimistët thonë se ishin veç disa mijëra


Ashtu sikurse edhe ishte parashikuar, protesta e sotme e opozitës ishte një tjetër dështim për kreun e PS-së, Edvin Kristaq Rama, teksa të mbledhur nga të gjitha krahinat e Shqipërisë, vetëm pak mijëra mbështetës nuk i konfirmuan si mbështetës potentë të kauzës së tyre absurde. Një protestë e pro-reklamuar së tepërmi madje shto këtu dhe thirrjet anarshiste të disa bukëshkalëve ish djathtistë, shkoi si mos më keq, duke iu faturuar liderëve të majtë bllofin më të madh që kanë ndeshur ndonjëherë në jetën e tyre politike. As kjo protestë nuk solli asnjë të re, pavarësisht thirrjeve radikale, tipike të kamikazëve të vendeve aziatike në konflikte të hershme, përveç disa paçavureve të Edvinit për gjoja rezistencë deri në minutën e fundit. “Do të rezistojmë me kurajo e durim pa thyer asnjë xham e pa këputur asnjë lule. Kurrë nuk kam besuar tek dhuna dhe kurrë nuk do të dyshoj tek rezistenca paqësore si e vetmja rrugë për t’i hapur rrugë të mirës. Zëri ynë po dëgjohet, kauza jonë po përparon, zgjidhja është sot më afër se asnjëherë në këta 9 muaj”- u shpreh në fjalën e tij, kreu i PS-së Edi Rama. Kryesocialisti i ndodhur në kushte të vështira si pasojë e akuzave jo vetëm të mazhorancës, por të të gjithë shqiptarëve se me lëvizjet që po demonstron, largon gjithmonë e më shumë Shqipërinë nga Evropa, tha se vendin po e dëmtojnë kutitë e mbyllura, përgjigje kjo që nuk ka asnjë bazë realiteti dhe as nuk përputhet me verdiktin e ndërkombëtarëve, për zgjedhjet parlamentare në Shqipëri. Ajo që është e vërtetë dhe s’ka nevojë për shumë komente, është se Edi Rama ndodhet në momente kritike për jetëgjatësinë e tij në politikë, pas dështimeve të njëpasnjëshme, duke u endur sa njëra rrugicë në tjetrën dhe sa njëra çadër në tjetrën. “Nuk është greva jonë e urisë që ka sjellë thellimin e krizës, por thellimi i krizës që ka sjellë grevën tonë të urisë. Mungesa e normalitetit demokratik të këtij vendi është shkaku i protestave tona. Janë kutitë e mbyllura të zgjedhjeve që e mbajnë Shqipërinë larg Europës”- tha ai. Protestat e Edi Ramës, janë shumë të lehta për t’u interpretuar dhe aq më të lehta për të zbuluar fodullitetin e tyre, çka vjen si rrjedhojë e mungesës së arsyes, përsa kohë “luftohet”, për një çështje të mbyllur, për një çështje të cilës i është vënë “kapak” një vit më parë, në prezencë serioze edhe të përfaqësuesve të kancelarive perëndimore Megjithatë, kjo nuk mbyllet me kaq. Edi Rama pas fjalimit të mbajtur në rrugën e ngushtë të bulevardit u largua menjëherë, duke lënë mbështetësit dhe grevistët e poshtë çadrave, në braktisje të plotë. Megjithëse kishte ardhur koha që protestuesit të shpërndaheshin dhe të drejtoheshin për andej nga kishin ardhur, një pjesë e mirë e tyre me të drejtë kërkuan kryetarin, i cili brenda pak sekondave kishte bështisur nga ambienti i protestës. Kësisoj, Edi Ramës i është hapur një tjetër front “lufte” këtë radhë me simpatizantët e PS-së, të cilët tashmë po e konsiderojnë si të padenjë për të organizuar tubime, duke rritur kështu kërkesën e llogarisë, për protestën e dështuar sot, e cila mirëfillti shënoi kapitullimin e plotë të opozitës.


Fosilet e komunizmit Gjinushi dhe Milo sulmojnë BE-në


Opozita e Edvin Ramës nisi protestën e radhës të paralajmëruar, me sulme të paprincipta kundër kancelarive perëndimore, duke injoruar dhe ofenduar zërin e Bashkimit Evropian, për zgjidhjen e ngërçit politik në Shqipëri. Fosilia i komunizmit, Skënder Gjinushi, ishte prezantuesi i skenës teatrale në bulevard, duke folur mbi parimet e demokracisë dhe pluralizmit, në një kohë kur ai është mbetja më e pisët e regjimit të kaluar dhe që përbën një rrezik permanent për stabilitetin demokratik. Zërit të Gjinushit kundër BE iu shtuan edhe disa ligjërues me mangësi të theksuara në përcjelljen e fjalimit dhe të mesazhit, duke llomotitur fjalë pa vend dhe të pakuptimta. Kjo sëmundje kishte pllakosur Paskal Milon, Nard Ndokën, por edhe Vangjel Dulen, ku roli i këtij të fundit në skenën politike shqiptare është i njohur botërisht...Por, dalja e Spartak Ngjelës në skenën e teatrit të Edvinit, e shndërroi këtë tërësisht në një personazh komik, teksa në vargun e mesazheve që mund të përçojë një i çmendur mendor, tha se “shqiptarët duhet t’i japin fund kësaj tiranie, fundi i qeverisë është këtu midis jush, midis 250 mijë mbështetësve të PS”-së...pavarësisht se edhe kjo protestë as më shumë e as më pak, është thjeshtë shëmbëlltyrë e 9 majit, 30 prillit apo edhe 20 nëntorit të vitit të kaluar, që do të thotë me pjesëmarrje të kufizuar.


“Greva e urisë”, mashtrimi më i madh që është njohur ndonjëherë. Edvini premtoi hyrjen në grevë, ndërsa mësohet se s’e ka lënë Aneta, e cila i ka udhëzuar se greva është për klasën punëtore


është e faktuar tashmë se Edi Rama thjesht është tallur për ditë të tëra me grevistët socialistë, të cilëve pak ditë më parë u premtoi prezencën e tij në grevë, ndërsa është mësuar se mamaja e tij, Aneta Rama, s’ia ka lejuar vetëflijimin në çadrat e burgut të bulevardit, me argumentin se greva është për klasën punëtore...Përdorimi i grevistëve si ‘lolo’ dhe shtojca të interesave të tij personale, ka arritur pikën kulmore dje, teksa pas përfundimit të fjalimit ai u largua menjëherë nga ambienti i protestës, duke ikur në drejtim të paditur, ku destinacioni i vetëm, ka qenë restoranti i Fidelit. Kjo sigurisht që shkaktoi pakënaqësi në radhët e grevistëve, të cilët më shumë se kurrë mësohet se ishin të informuar për hyrjen e kryetarit në grevë urie. Por, e vërteta është krejt e kundërta. Edvini i është nënshtruar këshillave të mamasë, duke e konsideruar grevën si çështje që i takon klasës punëtore dhe jo ‘elitës’ së cilës ai i përket.... Megjithatë, greva vazhdon të mbetet si misioni më i gënjeshtërt që është zhvilluar ndonjëherë. Deputetët e PS-së të pretenduar në grevë urie, ishin edhe dje në formë të shkëlqyer, duke mos shfaqur asnjë shqetësim shëndetësor përgjatë gjithë protestës së teatrit edvinist. Besnik Bare, Olta Xhaçka, Blendi Klosi, Shegushe Ligori, Ermonela Felaj, Ledi Shamku, Taulant Balla etj, folën të gjithë me radhë dhe vetëm të keq ushqyer s’mund të quheshin. Ata gëzojnë një gjendje shëndetësore plotësisht të shëndoshë dhe jashtë kontekstit të “grevës së urisë” së pretenduar. Edhe Edi Rama e di këtë, se është ai që ka artikuluar një tezë të tillë, e cila edhe po zbatohet, pavarësisht se askush nuk e beson dhe as nuk e merr për të mirëqenë, për shkak të rrethanave të cilat e karakterizojnë. Mungesa e institucionit të grevës, e bën këtë zallamahi të socialistëve jo vetëm thjesht një spekulim, por mirëfillti gënjeshtrën më të madhe me të cilën është ndeshur ndonjëherë opinioni publik. Të ushqyerit në fshehtësi, trastat e ushqimeve që hyjnë çdo ditë, përmes thasëve të maskuar, të cilët asnjëherë nuk bëhen transparentë se çfarë kanë brenda, është shpjegimi më i qartë i mundshëm, për të ashtuquajturën “grevë urie”.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›