Doris Pack: Edi Rama po bllokon vizat, socialistët le të fillojnë me urgjencë një lëvizje të re pro integrimit
Eurodeputetja, thirrje socialistëve- "Duhet të ngrihen zërat brenda PS-së, pasi atë që po bën kryetari i kësaj force, nuk është në interes të vendit. është e nevojshme që në PS të fillojë një lëvizje e re, për t’i treguar Edi Ramës se rruga të cilën ai po ndjek, nuk është ajo që vendi ka nevojë"
Europarlamentarja Doris Pack është shprehur sot se lëvizjet e kreut të opozitës, kanë si synim kryesor bllokimin e procesit të heqjes së vizave për qytetarët shqiptarë. “Edi Rama me sjelljen e tij të pakuptueshme po pengon heqjen e vizave dhe anëtarësimin e vendit në BE”- ka deklaruar Pack, gjatë një interviste televizive nga Kroacia, ku ajo ishte e ftuar në një konferencë të organizuar nga Universiteti i Zagrebit. “Brenda Partisë Socialiste duhet të ngrihen zërat kundër lëvizjeve të fundit të Ramës pasi ajo që Kryetari i Partisë Socialiste po bën nuk është në interesin e vendit. është fatkeqësi e vërtetë në një vend modern që një udhëheqës i një partie politike të mbajë peng një vend të tërë dhe partinë e tij. Brenda Partisë Socialiste është e nevojshme që të fillojë një lëvizje për t’i treguar liderit të PS-së që rruga që ai ka zgjedhur nuk është ajo për të cilën vendi ka nevojë. Situata e krijuar nuk mund të zgjidhet në rrugë, por vetëm në parlament, kjo duhet të jetë e qartë”, deklaroi deputetja e Parlamentit Evropian, Doris Pack. Ajo theksoi gjithashtu se të njëjtin qëndrim i ka shprehur edhe kryeministrit të vendit, Sali Berisha, gjatë një takimit të BERZH, të zhvilluar në kryeqytetin kroat, Zagreb. Pack ka vënë në dukje se Parlamenti Evropian, ka konfirmuar një qëndrim unik për situatën politike në Shqipëri, duke dënuar lëvizjet e opozitës, me argumentin e vetëm se shkojnë në kah të kundërtët me interesat madhore të vendit.
Eurodeputetja Pack e ka cilësuar të packuptimtë lëvizjen e opozitës duke sjellë në vëmendje se zgjedhjet e 28 qërshorit 2009 kanë qenë zgjedhjet më të mira në historinë e demokracisë në Shqipëri. Po kështu, Eurodëputetja Pack i ka bërë të ditur Kryeministrit Berisha se në Parlamentin Europian po punohet për t’i bërë disa amendime të nevojshme raportit të përgatitur nga raporteri për Shqipërinë, Nikolas Chountis pasi në të nuk ishin reflektuar zhvillimet pozitive që vendi ka njohur gjatë viteve të fundit.
...