E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: ”Pavarësia e Kosovës, liria e vërtetë për kombin tonë”

Kryeministri Sali Berisha u takua ditën e djeshme me delegacionin e Parlamentit të Kosovës të drejtuar nga kryetari Jakup Krasniqi. Duke u uruar parlamentarëve kosovarë mirëseardhjen, kryeministri u shpreh se kjo vizitë kryhet vetëm pak ditë pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, një akt madhor në historinë e kombit shqiptar, ndoshta liria e vërtetë për kombin tonë. Gjithashtu, Krasniqi u ndal në përpjekjet që Parlamenti i Kosovës po ndërmerr për të kaluar në parlament me procedura të përshpejtuara ligjet e paketës “Ahtisari”. “Ishin kryengritjet e Kosovës që i sollën pavarësinë Shqipërisë me gjakun e derdhur atje. Në një kohë kur në Shqipëri kishte diktaturë të egër, kosovarët krijuan një parti demokratike dhe kundër diktaturës, me në krye një burrë si Ibrahim Rugova që e udhëhoqi Kosovën me idetë paqësore të Gandit. Më pas, erdhi qëndresa e madhe me heronj si Adem Jashari, i cili i fali lirisë jetën e tij dhe të 54 anëtarëve të familjes së tij. Pavarësia e Kosovës vjen si një investim mbinjerëzor i qytetarëve të saj”, - tha Berisha.

26 Shkurt 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›