E Shtunë, 31 Tetor 2026

Presidenti: ”Ligj për financat e partive. Shpenzimet në zgjedhje, marramendëse”

Topi kërkon ndërtimin e një kornize antikorrupsion. “Ajo që diskutohet në tavolina të ngushta, të diskutohet me zë të lartë”
Erald Kapri

Kreu i shtetit bashkohet me shqetësimin e shumë institucioneve ndërkombëtare por edhe shtetërore se korrupsioni në Shqipëri është ende në nivele shqetësuese. Presidenti Bamir Topi, gjatë një konference të Inspektoratit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive, shprehu indinjatën e tij duke nisur nga financimi i dyshimtë i partive politike në Shqipëri. Bamir Topi, ish-nënkryetar i PD-së, ka shfaqur hapur shqetësimin se financimet e fushatave elektorale janë vërtet për të të lënë mbresa negative. Sipas kreut të shtetit, edhe në komunat më të largëta ka financime të larta për t’u zgjedhur, gjë që nuk duhej të ishte kështu pasi njerëzit me integritet nuk kanë nevojë për financa shtesë. Nisur nga këndvështrimi, Presidenti mendon se korrupsioni shqetësues në institucionet shtetërore buron nga zgjedhja e dyshimtë e politikanëve në nivelet më të larta. “Gjithçka dihet, gjithçka diskutohet. Ajo që diskutohet në tavolina të ngushta, ajo që diskutohet në tavolina kafenesh, ka nevojë të diskutohet me zë të lartë dhe të hapur dhe me transparencë të plotë në mënyrë që konkurrenca të jetë reale, konkurrenca të jetë civile, të jetë qytetare, të jetë, sikurse thashë, mbi bazën e parametrave të vlerësueshëm nga shoqëria. Dhe unë besoj që tendencat janë të qarta. Shqipëria, institucionet e saj duhet të shkojnë në këtë drejtim në mënyrë progresive, por është shumë e rëndësishme që hapat duhet të bëhen me intensitet më të lartë”, - tha me indinjatë Presidenti Topi.
Financimet e partive
Kreu i shtetit vazhdoi indinjatën duke folur për dyshimet në financimet e partive politike në vend. “Është e kotë të bëjmë koment. Në mjaft raste ndihet, në mjaft raste merret informacion, në mjaft raste është pjesë e debatit publik, pikërisht teprimi me financimin e fushatave elektorale, qofshin këto në zgjedhjet e përgjithshme politike, qofshin këto në zgjedhjet e pushtetit vendor, qofshin këto në zgjedhjet e pjesshme për një komunë të caktuar. Qoftë nga eksperienca individuale, qoftë nga eksperienca bashkëkohore, njerëzit që kanë reputacion publik nuk kanë nevojë për financime, nuk kanë nevojë që të abuzohet në këtë linjë”, - tha Topi.
Kërkesa

Përpara inspektorëve të Inspektoratit të Lartë, Presidenti kërkoi nisma ligjore për bllokimin e kësaj situate shqetësuese. “Natyrisht, fushatat elektorale kanë nevojë për financa që janë ligjore, për financa që janë transparente e në këtë sens unë mendoj që Inspektorati, por jo vetëm Inspektorati, sepse do të ishte i pafuqishëm, por besoj se duhet një harmonizim i interesit dhe i punës së mjaft institucioneve, duke filluar nga vetë partitë politike, sidomos nga ato parlametare që janë pjesë jo vetëm e këtij diskutimi politik publik. Por është shumë e nevojshme të kryhen përmirësime të tjera në legjislacion, siç janë një përputhje e legjislacionit aktual dhe akteve ndërkombëtare mbi korrupsionin, si dhe shumë i rëndësishëm paraqitet edhe rregullimi i financimit të partive politike dhe organizative, ku është e nevojshme të parashikohen mekanizma ligjorë që të eliminohen tërë mundësitë e një varësie financiare mes biznesit dhe entiteteve politike në vend. Kjo kornizë duhet të përfshijë të tërë sektorët e Legjislativit, Ekzekutivit, Gjyqësorit, duke mundësuar kështu një përpjekje të përbashkët dhe të mirësinkronizuar nga tërë aktorët, nga të cilët varet suksesi i luftës kundër korrupsionit dhe forcimi i imazhit pozitiv të Shqipërisë në sfidat integruese euroatlantike”, - tha Presidenti. Kryeinspektorja Fatmira Laskaj u shpreh se puna e Inpektoratit ka ecur para, por bashkëpunimi ndërinstitucional lë ende për të dëshiruar. “Bashkëveprimi në kohën e duhur do të ndikonte pozitivisht për të parandaluar veprimet e parregullta të zyrtarëve të lartë. ILDK-ja i ka kushtuar kujdes transparencës për procedurat administrative e ligjore mbi deklarimin e pasurisë, detyrimet financiare dhe parandalimin e konfliktit të interesit të nëpunësve publikë apo personave të zgjedhur”, - tha Laska.

26 Shkurt 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›