Kompania “Sumsung” kërkon projekte me 1 euro
Kryeministri Sali Berisha priti ditën e djeshme në zyrën e tij përfaqësuesin e kompanisë “Sumsung”, Jae-Weon Lee, ndërsa u njoh me projektin për ndërtimin e një termocentrali me fuqi prodhuese 40 megawat. Vepra energjetike parashikohet nga kompania “Sumsung” të ndërtohet në Fier dhe do të përdorë si lëndë djegëse mazutin. Përfaqësuesit e kompanisë “Sumsung” kërkuan që ky projekt të përfshihet në kuadrin e nismës “Shqipëria 1 euro.” “Sumsung” prezantoi edhe një tjetër projekt në fushën energjetike që ka të bëjë me ndërtimin e një linje transmetimi në Unazën e Jugut. Linja e transmetimit do të shtrihet nga Babica deri në Sarandë dhe do të përmirësojë rrjetin energjetik në këtë zonë. Kryeministri Berisha i konsideroi dy projektet shumë të favorshme për Shqipërinë dhe premtoi lehtësira dhe përshpejtim të procedurave. Kryeministri siguroi gjithashtu investitorët e “Sumsung” se qeveria do të mbështesë projektet e tyre pasi të vlerësohen konform ligjeve në fuqi që garantojnë konkurrencën e lirë dhe të ndershme.
26 Shkurt 2008