Dritëroi: Përplasja me Enverin për shkrimin te “Zëri i Popullit”
ARISTIR LUMEZI
Shkrimtari i madh i letrave shqipe, Dritëro Agolli, në një intervistë për gazetën “Panorama”, jep opinionin e tij se si duhet bërë rishikimi i letërsisë shqiptare. Ai shprehet se procesi i rishikimit të historisë së letërsisë shqiptare ka ndodhur në mënyrë periodike, por këmbëngul se ky rishikim nuk duhet të bëhet kurrsesi mbi baza politike. “Vetë prodhimtaria letrare do të kushtëzojë këtë rishikim, por çdo autor duhet të trajtohet mbi bazën e veprës artistike”, shprehet Agolli. Por duke analizuar dhe gjendjen e shtypit shqiptar, krahasuar me periudhën kur ai ka ushtruar profesionin e gazetarit, Agolli shprehet se efektet që vinin pas shkrimeve në gazeta ishin të menjëhershme, çka tregon se pesha e pushtetit të shtypit sot nuk është ai që pretendohet.
Në fillimet tuaja ju keni qenë gazetar. Si e shikoni gjendjen e shtypit sot, krahasuar dhe me kohën kur ju ushtronit këtë profesion?
Gazetat partiake, qoftë ajo e partisë në pushtet, ashtu dhe ajo e opozitës, kanë një defekt të madh. Ato nuk ngrenë dhe nuk trajtojnë problemet e tyre të brendshme, qoftë në qeverisje apo qoftë në parti. Në këto gazeta ka vetëm lavdërime për drejtimin e partisë apo qeverisë, nuk thonë asnjë të metë dhe kështu ato bëhen të palexueshme. Nëse Rilindja Demokratike, p.sh. do të trajtonte problematika të qeverisjes së saj, vërejtje dhe kritika ndaj partisë së vet, ajo do të ishte shumë e lexueshme. Doemos tani ka një ‘pyll’ të madh gazetash, shtypi është shumë i pasur dhe nuk mbeten pa kritikë, si partia që është në pushtet, ashtu dhe opozita. Por problemi është ai, që gazetat partiake të mos jenë si ishuj të shkëputur, sepse ato duken si gazeta të një kontinenti tjetër. Gazetarët mendoj se duhet ta shkelin vendin me këmbë dhe jo të komunikojnë vetëm përmes telefonit apo internetit. Sepse ka shumë se ç’të shkruash nëse do të dalësh në fshatra, komuna, të njohësh nga afër jetën dhe hallet e njerëzve.
Duket se sot medias i është dobësuar pushteti i saj. Si do ta krahasonit gazetarinë e kohës tuaj me gazetarinë e ditëve të sotme?
Kanë disa ndryshime rrënjësore. Atëherë nuk kishte shumë gazeta, shtypi në përgjithësi ishte monoton në këtë drejtim, nuk kishte shumë konkurrencë. Konkurrenca e atëhershme nuk ishte shumë thelbësore; vërehej një lloj konkurrence mes “Zërit të Popullit” dhe gazetës “Bashkimi”, apo “Zërin e Rinisë”. Tani gazetat janë shumë të ndryshme, kritikat janë të shumëllojshme, nuk është ndonjë çudi sot të kritikosh Presidentin e Republikës, kryetarin e Parlamentit apo Kryeministrin, ndërsa atëherë shtypi bënte kritika, por ato ngriheshin deri në rangun e një ministri, të një sekretari të parë apo kryetarit të komitetit ekzekutiv. Mirëpo ato kritika bënin shumë efekt, dhe në këtë drejtim unë them se gazetaria kishte shumë peshë, sepse ata që kritikoheshin kishin dhe pasoja, ose zbritnin nga përgjegjësia, ose transferoheshin në ndonjë rreth tjetër, ose kritikoheshin në forumet e partisë e të qeverisë. Pra, gazetaria konsiderohej edhe si një mjet që ndihmonte në mbarëvajtjen e punëve, por dhe se si ushtrohej pushteti popullor. Por në atë kohë gazetat kishin të ndara sektorët mbi të cilët shkruanin dhe kontrollonin aktivitetin e pushtetit ekzekutiv apo partiak qoftë.
Gjatë periudhës që ju punonit si gazetar, keni pasur momente të vështira, ku shkrime të ndryshme të kenë krijuar pakënaqësi apo reagim në udhëheqjen e asaj kohe?
Kanë qenë nja 3-4 raste kur nuk e kam ndjerë veten mirë pas shkrimeve të mia, që ishin kritike. Në fillim të viteve ’60 unë bëra një shkrim që u botua dhe në faqen e parë me një titull “Cile Mukën e kam pranë dhe kulturën përkarshi”. Kjo ishte një kritikë për problemet e kulturës në Gjirokastër, ku mungonte interesimi për kulturën dhe artin. Edhe pallati i kulturës, edhe teatri ishin lënë pas dore dhe kritikohej komiteti ekzekutiv, komiteti i partisë dhe të gjitha drejtoritë që merreshin me artin. Unë ia vura këtë titull, sepse, afër shtëpisë së kulturës ishte një pijetore, e Vasil(Cile) Mukës, i cili ishte dhe miku im, ku mblidheshin artistët, njerëzit e kulturës pinin ndonjë gotë dhe bisedonin në kafene, ndërsa shtëpinë e kulturës e kishin karshi dhe aty nuk shkonte njeri, ajo ishte e shkretë. Prandaj unë e vura titullin, “Cile Mukën e kam pranë dhe kulturën përkarshi”. Këtë këndonin gjirokastritët si këngë. Thosha se si njëherë shtëpia e kulturës do jepte një shfaqje në Tepelenë dhe kur mbërriti atje, shfaqja nuk u dha se i kishin humbur materialet e shfaqjes, pasi i kishin rënë nga kamioni rrugës. Të tilla gjëra sillja në shkrimin tim. Këtë shkrim e kishte lexuar Enver Hoxha dhe i thotë kryeredaktorit, Todi Lubonjës se “atë gazetë po ta merr era. Vetëm atë gjë paska Gjirokastra, nuk paska gjëra të tjera për të shkruar Dritëroi?! Nuk ka bërë mirë!”. Todi i tha se ka dhe shkrime të tjera, sepse jemi duke bërë një cikël shkrimesh për Gjirokastrën. Por e vërteta ishte se Todi nuk më tha ndonjë gjë të rëndë për shkrimin. Pas kësaj unë bëra disa shkrime të tjera për Gjirokastrën, ku merresha me arkitekturën e Gjirokastrës. Edhe aty përmendja një fakt, kur në Gjirokastër kishte vajtur një grup turistësh francezë, por nuk kishte përkthyes të frëngjishtes dhe ai që e fliste atë, ishte hoxha i qytetit, pasi kultet nuk ishin prishur ende. Hoxha me veshjen e tij i shoqëronte francezët nëpër qytet dhe ata çuditeshin se si një hoxhë po bënte përkthyesin për ta. Por shkruaja që hoxha ishte dhe qejfli, sepse e kishte qejf rakinë dhe njëherë e kishin gjetur të dehur dhe nuk kishte hipur dot në minare. Njëherë tjetër kisha shkruar për estradat në përgjithësi, të cilat janë të dobëta dhe nuk na bëjnë për të qeshur. Këtë shkrim e kisha bërë me titullin “Pse estradat nuk na bëjnë për të qeshur” dhe bëra një propozim të shpejtuar për atë kohë, që më mirë të mbyllen disa dhe të mbeten dy apo tre të tilla.
Zoti Agolli, në ambientet e kritikës letrare, por dhe të politikës, kemi një debat rreth rishikimit të historisë së letërsisë shqipe. Mendoni se është momenti dhe ka hapësira për rishikimin e letërsisë dhe cili institucion duhet ta bëjë këtë?
Rishikimi është një proces i përhershëm, është njëlloj si fjalorët, kur çdo pesë vjet ribotohen duke u pasuruar. Letërsia që të rishikohet duhet të ketë njëherë edhe materialin, prodhimin letrar, edhe pse nuk janë pak, 18 vjet demokraci për të pasur një prodhimtari të mjaftueshme. Gjatë këtyre viteve, pas viteve ’90, edhe shkrimtarët e traditës kanë vazhduar të botojnë, por ka dhe mjaft autorë të rinj. Unë them që mundet të pasurohet, por jo të rishkruhet nga e para, sepse s’ka sesi të rishkruhet nga e para pa u bazuar diku do të bazohesh. Sepse në këtë rishikim, ti do të flasësh që nga periudha e Buzukut. Atëherë si do ta rishikosh Buzukun, kur me të është marrë edhe Çabej?! Të gjithë ata autorë që kanë zënë vend në historinë e letërsisë shqiptare, si Naim Frashëri, Mjeda, Çajupi, Migjeni etj. Ata mund të shkarkohen nga politizimet, por jo ana artistike e tyre.
Historia e letërsisë deri më sot ka baza shkencore apo ka më shumë tendenca politizimi?
Jo. jo, ka baza shkencore, pasi edhe tani të shkruhet, mbi bazën e të njëjtave dokumente do tu’ referohen. “Formula e pagëzimit” nuk u zbulua në kohën e socializmit. Edhe rishikimet e letërsisë duhet të bazohen në fakte dhe dokumente shkencore në hartimin e teksteve të reja. Doemos në tekstet e realizimit socialist, ka më shumë politizime, ndërsa autorët e Rilindjes nuk mund t’i pretendojmë si ish-anëtarë të Partisë së Punës. Megjithatë ka shkrimtarë që kanë dalë nga rryma mbi të cilën bazoheshin në veprat e tyre. Kjo ka ndodhur edhe me shkrimtarët e realizimit socialist. Prandaj ky tekst duhet të jetë sa më objektiv dhe jo të bëhet ashtu siç dëgjojmë, që e gjithë letërsia e periudhës së socializmit të mënjanohet apo të fshihet, sepse nuk mund të ketë një boshllëk, pasi edhe Mesjeta nuk ka boshllëk. Përveç anës politike, ka vlera edhe në atë kohë, kemi romanin që nuk ekzistonte në letërsinë shqiptare, poezia u bë më dinamike.
Mos është ideja e përfshirjes në traditën e letërsisë ata autorë që janë dënuar gjatë periudhës 50-vjeçare..?
Rishkrim të historisë së letërsisë do të thotë pasurim i saj. Mendoj se duhet t’i lihet vendi atyre që e meritojnë dhe të shtohen ata autorë që kanë pasur vlera artistike. P.sh., nuk është Martin Camaj, Fishta etj., që meritojnë të pasurojnë historinë e letërsisë shqipe. Por jo çdo poet që ka shkruar 2-3 vjersha dhe ka pasur ‘fatin’ të jetë dënuar, mund të marrë peshën e Kadaresë në historinë e letërsisë. Nëse nuk do shihen vlerat artistike, nuk bëjmë asgjë tjetër veçse shkojmë përsëri tek politizimi i historisë së letërsisë sonë. Por ka dhe një aspekt tjetër, duhen pasqyruar të gjitha anët e aktivitetit të autorëve, p.sh. për mua do të thuhet që ka shkruar këtë apo atë vepër, por edhe që ka qenë komunist. Edhe për Koliqin, përveç vlerave artistike, duhet të thuhet se ka qenë fashist dhe ministër i fashizmit. Por ai s’ka qenë i qëruar se ka qenë antikomunist. Pater Anton Arapi ka qenë kryetar i Regjencës në kohën e nazizmit, si do ta trajtosh atë. Në Francë këto lloj figurash janë dënuar edhe sot nuk janë rehabilituar.
Kush institucion duhet ta bëjë këtë ‘peshim’...?
Patjetër që kjo është punë e Akademisë, pasi do të jenë tekste akademike të historisë së letërsisë. Pasi nuk mundet që një njeri me pikëpamje nihiliste të marrë përsipër botimin e një teksti zyrtar të historisë së letërsisë shqiptare. Ajo mund të bëhet vetëm nga një mendim kolegjial, me standarde të qarta dhe jashtë tendencave politike. Për këtë kërkohet një objektivitet i madh, pa u ndikuar nga njerëzit politikë dhe të bëhet vetëm nga shkencëtarët. Nuk mund të ketë shkencë pa arritjet e mëparshme. Unë kam pasur një mik piktor, Nexhmedin Zajmi. Kishte lindur debati i brezave, mes të rinjve dhe të vjetërve. Kishte mendime që të vjetërit “të hidheshin poshtë”. Në atë kohë po ndërtohej ujësjellësi i ri i Selitës. Nexhmedini më thotë: “Shiko si është kjo punë, këta duan t’i hedhin të vjetrit dhe të ngrenë vetëm të rinjtë. Ujësjellësi i vjetër e çon ujin deri në katin e tretë, ndërsa ujësjellësi i ri deri në katin e pestë. Nëse do ta prishim ujësjellësin e vjetër, uji do të shkojë deri tek kati i dytë”. Kështu që është në dëm edhe të rinjve nëse zhduket tradita.
Pak kohë më parë u nda nga jeta disidenti i madh rus Solzhenicini. Ai ishte një disident i madh apo shkrimtar i shquar?
Ai më shumë është si një shkrimtar kundërshtar i regjimit dhe pjesa e madhe e veprës së tij është eseistike, për jetën e njeriut, burgjet politike. Librat puro artistikë i ka më të paktë, siç është një roman i mirë i tij “Pavioni kanceroz”, apo “Dita e Ivan Denisoviçit”, është një novelë e mirë e tij.
...Ju jeni takuar personalisht me të?
Jo, nuk e kam takuar, sepse unë isha në Petërburg, por më shumë unë mendoj se ai nuk ishte në nivelin e Gogolit apo Tolstoit, ndërsa si kundërshtar ai ishte i guximshëm dhe heroik. Edhe në shkrimet eseistike ai zbuloi periudhën e reprezaljeve dhe burgimeve dhe dha në mënyrë të detajuar atë situatë. Unë do thosha se veprat e tij eseistike janë më shumë material për t’u përdorur për shkrimtarët sesi si vepra artistike.
Në një intervistë dhënë “Zërit të Amerikës”, Ismail Kadare u shpreh se në Shqipëri nuk ka pasur shkrimtarë disidentë të mirëfilltë të nivelit të Solzhenicinit. Mendoni se kjo vinte si pasojë e presionit të madh të regjimit të atëhershëm?
Të dyja kanë qenë. Ata që ishin shkrimtarë të mirë nuk shkruan në mënyrë kaq të hapur kundër regjimit, por shkruan në mënyrë të tërthortë, me nëntekste, ndërsa direkt si ai nuk ka pasur. Edhe nëse do të kishte, do t’i përpinte bota dhe do t’i botonte, ashtu siç ndodhi me Solzhenicin, jashtë i ka botuar veprat e tij. Tek ne nuk ka pasur të tillë. Ku të linin agjenturat e huaja pa ia gjetur dhe pa ia marrë për t’i botuar materialet dhe veprat e një disidenti në atë kohë. E dinin ata që s’ka pasur disidencë të mirëfilltë dhe nuk ia kanë vënë veshin. Për disa shkrimtarë, nuk them për të gjithë, ai lloj regjimi kishte rol pozitiv, pasi ata punuan shumë me fjalën, përpunimin e saj. Sot fjala shpërdorohet.
Pak kohë më parë jeni shprehur se po bëni gati një libër me kujtime. Në ç’fazë është libri sot?
Ç’është e vërteta e kam bërë me ndërprerje dhe nuk kam pasur dhe humor shumë. Nuk e kam vënë veten në gjendje pune për të shkruar. Letërsia, artet në përgjithësi duan punë intensive dhe të pandërprerë. Është si dashuria, kur ke një vajzë të dashur, po ta takosh me ndërprerje, ta duash me ndërprerjen ajo ikën dhe të le. Arti do punë intensive, punë të pandërprerë, tension dashurie, madje dhe politika kërkon dashuri, ashtu si letërsia apo dhe gazetaria. Kjo më ka munguar deri tani që ta përfundoj librin e jetës sime.