Malta,përballja e parë zyrtare
Shqipëria është ndeshur pesë herë me Maltën, por përballja e nesërme në stadiumin kombëtar “Qemal Stafa” do të jetë ndeshja e parë zyrtare. Në pesë miqësoret e deritanishme, kuqezinjtë kanë arritur tri fitore, një barazim dhe një humbje. Humbja dhe barazimi u përkasin dy takimeve të para, luajtur në ishullin mesdhetar më 1995, kur vendasit fituan 2-1, dhe më 1998, kur takimi u mbyll 1-1. Në vitin 2000, Shqipëria e Medin Zhegës fitoi 1-0 në Ta’Qali, duke zënë vendin e parë në turneun “Rothmans”, trofeu i parë dhe i vetëm i kombëtares që nga kampionati ballkanik i vitit 1946. Dy ndeshjet e fundit janë zhvilluar në Tiranë dhe janë mbyllur me të njëjtin rezultat, 3-0, për Shqipërinë, më 15 nëntor 2000 dhe më 22 gusht 2007. Vitin e kaluar, skuadra e drejtuar nga Oto Bariç doli fitimtare nga përballja në fushë me maltezët, por humbi për një vit mesfushorin sulmues Besart Berisha, i cili u dëmtua dhe qëndroi jashtë për të gjithë sezonin.
Në premierën e eliminatoreve të Botërorit 2010, Malta u mund 0-4 në fushën e saj nga Portugalia, ndonëse bëri shumë rezistencë në pjesën e parë, ku u ndëshkua nga një autogol. Më pas, yjet e Portugalisë ishin tepër të fortë për skuadrën e formuar nga lojtarë gjysmë-amatorë, përballë të cilëve, nesër në “Qemal Stafa”, Shqipëria do të ketë detyrën e marrjes me çdo kusht të tri pikëve. Në renditjen e fundit të FIFA-s, Malta mban vendin e 133-të, duke humbur dy pozicione krahasur me një muaj më parë.