Berisha: Për Kodin duhet dialog Rama-Meta
TIRANË- Kryeministri Sali Berisha ka luajtur sërish me kartën e dialogut mes kryetarit të opozitës, Edi Rama, dhe kreut të LSI-së, Ilir Meta. Në konferencën e djeshme për shtyp, Kryeministri ka deklaruar se nuk kishte asnjë lidhje me grevën, edhe pse pjesë e deputetëve grevistë ishte edhe PDK-ja, pjesë e koalicionit qeverisës. Çështjen e dialogut, Kryeministri e ka cilësuar si një problem brenda opozitës, duke u shprehur se është gati që të mirëpresë një pakt mes Ramës dhe Metës për këtë çështje. Por, Kryeministri nuk ka marrë parasysh anën tjetër të medaljes se, në një pozicion të tillë, në fakt është edhe vetë ai me aleatët, e konkretisht me PDK-në, ku kjo e fundit ka kërkuar të jetë pjesë përbërëse e komisioneve zgjedhore. “Ekziston përkushtimi im i plotë dhe total për votën e lirë. Kodi do të votohet, sepse me atë grevë urie nuk kemi pasur asnjë lidhje. Për mua, nëse komisioneri ishte i Gjinushit, i Ilir Metës apo i zotit Milo, apo i tjetërkujt, kjo nuk kishte ndonjë dallim të madh, përkundrazi mbajta përbaltjen e grevës së urisë”,- tha Berisha. Duke dashur ta shesë dialogun midis krerëve të majtë si pozitiv për procesin e ardhshëm zgjedhor, Berisha është shprehur se ai është neutral në këtë mes dhe se nuk do të ndërhyjë. “Unë jam neutral në këtë mes. Uroj që ata të gjejnë një mirëkuptim dhe kaq. Nuk kam ndonjë gjë tjetër”,- tha ai. Pak kohë më parë, kryetari i PS-së, Edi Rama, deklaroi publikisht se çështja për Kodin e ri Zgjedhor ishte e mbyllur, duke lënë qartë të kuptohet se çdo ndryshim do të jetë vetëm në funksion të kërkesës së Presidentit të Republikës, Bamir Topi. Edhe PD-ja nga ana e saj është shprehur se për Kodin e kthyer do të konsultohet vetëm me PS-në, përpos bllofeve jo të pakta politike që Kryeministri Berisha bën herë pas here.