Prokuroria, drafti shqyrtohet në qeveri
Ekspertët e Ministrisë së Drejtësisë i kanë dhënë fund projektligjit për Prokurorinë.
TIRANË
- Ekspertët e Ministrisë së Drejtësisë i kanë dhënë fund projektligjit për Prokurorinë. Nga dje, drafti i shumëpërfolur ka kaluar për shqyrtim në qeveri, ndërkohe që Këshilli i Ministrave pritet ta miratojë vetëm javës që vjen me ndryshimet e duhura. Në fillim të mbledhjes së qeverisë, Kryeministri Sali Berisha i ka bërë thirrje opozitës që të përgatisë vërejtjet e saj, me qellim që drafti të kalojë me konsensus. “Shfrytëzoj rastin t’i bëj thirrje opozitës që këtë draft ta shqyrtojë, të bëjë vërejtjet e veta, të paraqesë mendimet, sugjerimet dhe ta miratojmë bashkërisht. Pavarësisht nga përpjekjet për politizimin e këtij institucioni, opozita aq sa qeveria, duhet të jetë e interesuar për një institucion të pavarur akuze në variantin, për të cilin ka një dakordësi të plotë”, - tha Berisha. Pak kohë më parë, drafti paraprak për Prokurorinë i hartuar nga Ministria e Drejtësisë, ngjalli debate të ashpra, si nga opozita, ashtu edhe nga Prokuroria, nisur nga disa çështje të nxehta që trajtonte ky dokument si, heqja e imunitetit të prokurorit në rastin e arrestimit, ulja e pagave, dualiteti me Prokurorin e Përgjithshëm sa i përket raportimit para Kuvendit etj., pika këto që nxitën reagimin edhe të ndërkombëtarëve. Po, përpos kësaj, qeveria është shfaqur e sigurt për miratimin e këtij drafti, duke e parë ligjin si moscenues të pavarësisë së organit të akuzës. “Ky model që është në vazhdimësinë e një modeli që ka ekzistuar këtu prej 18 vitesh, pavarësisht nga ndryshimet e qeverive, krijon të gjitha garancitë e pavarësisë së tij nga ekzekutivi, sikundër të gjitha garancitë e varësisë së tij nga ligji, e përgjegjshmërisë së tij para ligjit. Shpresoj që opozitatë shohë në këtë institucion, domosdoshmërinë e pavarësisë dhe funksionimit të tij, sipas ligjit, si interesi më i mirë i opozitës, qeverisë dhe shoqërisë shqiptare. Ndaj dhe unë shpresoj që të arrijmë në një lloj mirëkuptimi”.- u shpreh Berisha.