Kapen 2.7 kg kokainë në autobusin drejt Greqisë, 3 në pranga
Kapshticë- Tre persona që udhëtonin drejt Greqisë me autobusin e linjës Tiranë-Korçë- Selanik janë vënë në pranga, pasi gjatë një kontrolli iu gjet një sasi pre 2.7 kg kokainë dhe 300 gramë heroinë. Një studente 18-vjeçare, si dhe një 24-vjeçar të ulur në vende të ndryshme të autobusit janë kapur nga policia, ndërsa droga e fshehur prej tyre është zbuluar me nuhatjen e qenit të kufirit. Artiol Sula, Neada Kota dhe Asqeri Bebri janë të prangosurit e policisë nën akuzën e trafikut të drogës, ndërsa dyshohet se dy të rinjtë e kanë marrë drogën në qytetin e Korçës nga 40-vjeçari dhe janë pjesë e të njëjtit rrjeti trafiku në itinerarin Shqipëri-Greqi.
Ngjarja ndodhi dje në pikën shqiptare të kalimit në Kapshticë, ndërkohë që zbulimi i drogës është bërë gjatë një kontrolli rutinë që është ndërmarrë nga forcat e policisë në kufi dhe pas rritjes së masave të saj të sigurisë fill pas situatës së rënduar në Greqinë fqinje ditët e fundit. 18-vjeçares nga Korça, studente në Selanik, i është gjetur rreth 300 gramë heroinë, kurse 24 vjeçari Sula ka pasur të fshehur në bark rreth 2,7 kilogramë kokainë. Policia ka vënë në pranga edhe Asqeri Bebrin, i akuzuar se u ka dhënë dy të rinjve drogën, të cilën më pas ata e kanë fshehur, teksa kanë hipur në autobusin e linjës. Destinacioni i drogës mësohet të ketë qenë qyteti i Selanikut.