E Diel, 1 Nëntor 2026

Përdhosja e Mopasanit

Përkthyesi Aristidh Ristani denoncon vjedhjen dhe përçudnimin që i kanë bërë punës së tij, veprës në shqipe nga Gi dë Mopasan, “E fortë si vdekja” e botuar me titullin po aq të përdhosur “Vajza e dashnores sime”

Në gjuhën shqipe romani i Gi dë Mopasanit “Fort comme la mort” (1889) ka dy tituj krejt të ndryshëm: “E fortë si vdekja” dhe “Vajza e dashnores sime”. E para është një përkthim nga Aristidh Ristani, e dyta është përkthimi i përçudnuar i Ristanit nga “Lika Publishing”, botim pirat që është denoncuar në Zyrën Shqiptare të të Drejtave të Autorit.

Përkthyesi letrar ka çuar dy botimet në ZDSHA, atë që mban emrin e tij si përkthyes, botim i “Elena Gjika” (2005) dhe tjetrin pirat që nuk ka emër përkthyesi por përfund kopertinës në faqen e pasme, është shkruar përgatiti Ramiz Lika.

Ndaj këtij personi dhe shtëpisë së tij botuese – në fakt edhe botimi paraqitet njëherësh si i Lika Publishing dhe i “Botues: Shtjefni – Shkodër” - Ristani ka parashtruar denoncimin për “botim të kundërligjshëm, me një titull fund e krye spekulativ dhe i denjë për romane bulevardeske ose pornografike.”

Titulli “Vajza e dashnores sime” është vënë në krye të kopertinës, ndërsa emri i autorit është thuajse i padukshëm. Si përdhosja që i bëhet këtij emri prestigjioz të letërsisë botërore të shekullit të 19-të llogaritet edhe ilustrimi që i bën “Lika Publishing” kopertinës me fotografinë e një prezantueseje të re të televizionit italian të ditëve të sotme.

Historia e romanit “E fortë si vdekja” që është një histori epoke që ndodh në mjediset mondane të Parisit. Një piktor bie në dashuri me një grua të sërës së lartë, e martuar dhe me fëmijë. Vjen një ditë që ky fëmijë rritet, bëhet një zonjushë e bukur që piktorit i kujton rininë dhe bukurinë e së ëmës, gruas që pat dashur. I cilësuar si një nga etërit e prozës së shkurtër moderne, Gi dë Mopasan bën tek romani e “E fortë si vdekja” - titulli është nxjerrë nga “Kënga e këngëve” në Bibël: “Dashuria është e fortë si vdekja, dhe xhelozia e rëndë si varri.” - një analizë të hollë psikologjike për dashurinë dhe plakjen, tema që e bëjnë aktuale veprën edhe për epokën e tonë e obsesionuar nga rinia e përjetshme.

Ristani akuzon jo vetëm për vjedhje fjalë për të fjalë të përkthimit të tij, po edhe për ndërhyrjet pa skrupuj që ka gjetur tek botimi i Ramiz Likës. “Janë hequr katër faqet e para të përkthimit tim, që natyrisht janë pikë për pikë sipas origjinalit frëngjisht, gjuhë nga e cila e kam përkthyer, dhe fillohet me rreshtin e gjashtë të faqes 7, duke u shtuar pas tij edhe një rresht nga mendja e botuesit-pirat, sepse, meqë janë hequr barbarisht katër faqet e hyrjes së romanit, lexuesi nuk do të kuptonte se kujt i drejtohen ato fjalë. Në këtë faqe është harruar të shënohet, së paku, “PJESA E PARË”, kurse në faqen 94 s’është harruar të shënohet “PJESA E DYTË”.

Po cili ka qenë qëllimi duke hequr e duke shtuar paragrafë “me përkthime të shëmtuara, marrë nga libra të letërsisë bulevardeske ose, ka të ngjarë, edhe pornografike, çka duhet të jetë një gjë e pashembullt edhe në vendet më të humbura të botës”, siç i konstaton Ristani?

Heqja e përmasës “impenjative” me të cilën letërsia e mirë e fut lexuesin në një botë që kërkon ballafaqimin me veten. Në këtë mënyrë Lika Publishing ka përçudnuar frymën filozofike dhe realiste të romanit. Ja më tej:

“Përveç katër faqeve të para të përkthimit tim, janë hequr rreshtat 5-14 nga faqja 8; 5 rreshtat e fundit të faqes 10; paragrafet 2 dhe 3 në faqen 11; dy paragrafet e fundit në faqen 14; paragrafi i parafundit në faqen 16; janë hequr 6 faqet e para të kreut të tretë të pjesës së parë (faqe 42-48); është hequr një pjesë në faqen 71 (rreshtat 6 deri 20); përveç këtyre, janë bërë edhe bashkime të shumta paragrafesh...

Në botimin e Ramiz Likës janë shtuar, me shkronja italike, paragrafe të marra nga kushedi se ç’libra të dyshimtë: paragrafi i parë i faqes 22; një paragraf i gjatë që fillon në fund të faqes 26 dhe mbaron në fillim të faqes 27; dy paragrafe në fund të faqes 29; paragrafi i dytë në faqen 32.”

Vë re edhe më Aristidh Ristani, përkthyesi shijehollë që këto dhjetë vite të fundit në bashkëpunim me “Elena Gjika” ka sjellë nga kultura në gjuhën gjermane autorë dhe vepra të rëndësishme si trilogjinë letrare të nobelistit Elia Canetti dhe dy vëllimet e veprës tjetër “Masa dhe pushteti”, “Bota e djeshme” nga Stefan Cvajg, “Një natë në Lisbonë” nga Erih Maria Remark, “Afritë përzgjedhëse” romani i Gëtes, “Narcizi dhe gojëarti” nga Herman Hese, prej të cilit ka në proces“Loja e rruazave prej qelqi”. Shkurt është një tërësi që ai e quan “letërsia e madhe”, ajo që ia vlen të përkthesh. “Vjedhje par exellence” përfundon ai dhe aludon që ky Lika Publishing e ka kryer këtë akt marrëzie duke kujtuar se Aristidh Ristani është një nga ata përkthyes që nuk jetojnë më dhe mundin e të cilëve e ka vjedhur pa mund.

Në tri seanca takimi që ka kryer për palët Zyra Shqiptare e të Drejtave të Autorit, botuesi Ramiz Lika nuk është paraqitur. Çështja nga ZSHDA pritet në kalojë në gjykatë dhe padia që ngrihet ndaj tij është për shkeljen Ligjit nr.9380, datë 28.04.2005 “Për të drejtën e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me të”.

Që do të thotë se shkelësi i ligjit mund të dënohet me gjobë për dëmin material të shkaktuar dhe me heqjen nga qarkullimi dhe asgjësimi i tirazhit pirat.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›