E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shkarkohet zëdhënësi i SHPK-së, Veton Elshani

Kapiten Veton Elshani, zëdhënës i Policisë së Kosovës, nuk do të ushtrojë më postin e zëdhënësit për media në zyrën për marrëdhënie me publikun në Policinë e Kosovës.

Burime të gazetës nga Ministria e Punëve të Brendshme thonë se ai është larguar nga kjo pozitë, pas “skandalit” të arrestimit të disa mjekëve në Kosovë si dhe për rastin e tre gjermanëve të Shërbimit sekret gjerman (BND).

“Ai aktualisht gjendet në pushim dhe se pas përfundimit të pushimit më nuk do të jetë zëdhënës i Policisë së Kosovës. Kjo për shkak se janë ftuar mediat në rastin e tre gjermanëve dhe në rastin e arrestimit të mjekëve”, thotë ky burim.

Paralajmërimet e zëvendëskryeministrit Hajredin Kuçi në Kuvendin e Kosovës, më 4 dhjetor, se do të ketë ndryshime në Polici për shkak të ftesave të medieve në rastet e arrestimeve të personave të lartcekur, si duket kanë filluar me kapiten Veton Elshanin. Ende nuk dihet nëse Elshani ka ftuar mediat krye në veti për të përcjellë arrestimin e mjekëve dhe lejimin e hyrjes së kamerave në Gjykatën e Qarkut në Prishtinë, ku tre shtetasit gjermanë ishin sjellë në Gjykatë. Gazeta ka kontaktuar Veton Elshanin, i cili ka thënë se aktualisht është në pushim vjetor.

“Ende nuk dihet nëse do të jetë kështu, jam në pushim vjetor”, ka thënë tashmë ish-zëdhënësi i Policisë së Kosovës. Aktualisht Elshanin është duke e zëvendësuar kolegia e tij, Sabrije Kamberi.

Kapiten Veton Elshani ka disa vjet që kryen punën e zëdhënësit të Policisë së Kosovë, pas largimit të Refki Morinës. (Express)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›