Universiteti i Vlorës, programe master në gjuhën angleze dhe italiane
Këshilli i Ministrave ka vendosur hapjen e dy programeve të reja Master të Nivelit të Parë në Universitetin “Ismail Qemali” në Vlorë. Në Fakultetin e Edukimit në këtë universitet, do të çelen studimet Master në lëndët “Gjuhë angleze” dhe “Gjuhë Italiane”, ku në përfundim të këtyre programeve do të lëshohen diploma “Master të Nivelit të Parë (MNP) në mësuesi”, për ciklin e lartë të arsimit bazë. Sipas vendimit, programi i studimeve do të realizohet me 60 kredite, ku kohëzgjatja normale e tyre do të jetë një vit akademik. Kuota e pranimeve në këto programe studimi, për vitin akademik 2008-2009, do të jetë përkatësisht 120 studentë, për të dy lëndët. Vendimi citon se universiteti “Ismail Qemali”, do t’i shpërndajë kuotat e vëna në dispozicion të tij, në masën jo më pak se 30 për qind, për studentët që kanë përfunduar, të paktën, ciklin e parë të studimeve në institucionet e tjera të arsimit të lartë, dhe jo më shumë se 70 për qind, për ata që i kanë përfunduar këto studime pranë tij. Në rastet kur nuk ka kandidatë nga institucionet e tjera të arsimit të lartë, që plotësojnë kriteret, universiteti “Ismail Qemali”, Vlorë, ka të drejtë ta plotësojë kuotën e vënë në dispozicion me studentët që janë diplomuar në këtë universitet. Lidhur mbi kriteret e përzgjedhjes së kandidatëve, ato do të bëhen publike nga vetë rektorati i Universitetit të Tiranës. Kandidatët, që u përkasin shtresave sociale, si: të verbrit, të shurdhët, invalidët, paraplegjikë dhe tetraplegjikë, studentët me aftësi të kufizuara, fëmijët romë apo fëmijët e policëve, të rënë a të plagosur për shkak të detyrës, të të ish-të përndjekurve politikë, që fitojnë të drejtën për të ndjekur një program studimi, Master i Nivelit të Parë në Mësuesi, në institucionet publike të arsimit të lartë, do të paguajnë 50 për qind të tarifës së shkollimit, ndërkohë që studentët do t’i nënshtrohen vetëm një tarife vjetore shkollimi. Vendimi lehtëson nga detyrimet shkollore studentët e shkëlqyer, të cilët nuk do të paguajnë tarifë në çdo program studimi Masteri i Nivelit të Parë në Mësuesi me kohë të plotë. Në përfundim, vendimi vë në dijeni se kuotat e pranimeve në këto programe, që mbeten të parealizuara, do të rishpërndahen sipas institucioneve publike të arsimit të lartë dhe programeve të ndryshme të studimit, nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës, ndërkohë që fillimi i vitit akademik do të nisë brenda këtij viti.