Prokuroria, ende duarlidhur: "Duhet kallëzim ose fakte"
Prej rreth 48 orësh, skuadrat shqiptare janë bërë kryefjala e skandalit të trukimit të ndeshjeve në Kupat e Europës, ndërkohë që prokuroria shqiptare qëndron duarlidhur. Kjo jo për faj të saj, por, sipas burimeve nga ky institucion, ndërhyrja e organeve shqiptare të hetimit duhet të bëhet vetëm pas një kallëzimi të mundshëm nga FSHF, apo nga aktorët e përfshirë në hetimin e UEFA-s, ose nga dalja në pah e fakteve që do të mundësonin hapjen e një hetimi. Që prej një viti, Shqipëria tashmë ka një ligj, që e konsideron trukimin e ndeshjeve si vepër penale. Pas insistimit të Shoqatës Kombëtare të Prokurorëve dhe ZMQ-së në nismën "këmbët e pastra", u miratua në Parlament dhe më 27 nëntor 2008 u botua në Fletoren Zyrtare nr. 190, neni 197/a, në Kodin Penal, i ndryshuar, në lidhje me "Paracaktimin e rezultateve në garat sportive": "Kryerja e veprimeve ose mosveprimeve për paracaktimin e rezultateve në garat sportive, kombëtare dhe ndërkombëtare, në kundërshtim me parimet e lojës së ndershme, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë nga 500000 (pesëqind mijë) lekë deri në 3000000 (tre milionë) lekë, ose me burgim nga tre muaj deri në dy vjet. Po kjo vepër, e kryer për qëllime të fitimit pasuror, dënohet me burgim nga dy deri në shtatë vjet dhe me gjobë nga 2000000 (dy milionë) lekë deri në 10000000 (dhjetë milionë) lekë".
A. M.
A. M.