E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: Përgjoni dhe spiunoni bizneset

Lufta ndaj evazionit fiskal përbën shkakun e rritjes së kompetencave për Drejtorinë e Investigimit pranë Tatim-Taksave. E krijuar si strukturë me hyrjen në fuqi të ligjit për "Procedurat tatimore", drejtoria e re do të ketë më shumë fuqi ligjore për të ndërhyrë, parandaluar dhe luftuar evazionin fiskal, me çfarëdo mjeti të mundshëm. Për të bërë më të qartë rolin e investigimit në tatime, Kryeministri Berisha miratoi dje një vendim, i cili përcakton qartë funksionet e njësisë që drejtohet nga Agim Shehu, nëndrejtor i përgjithshëm i Tatimeve (ish-zv.ministër i Brendshëm dhe drejtor i policisë në vitin 1997). Në thelb, VKM-ja thotë qartë se do të krijohet një fond i veçantë për bashkëpunëtorët në tatime, të cilët për informacione të ndryshme rreth bizneseve që shkelin ligjin, do të marrin pagesa. Drejtoria e Investigimit ka drejtë të kryejë edhe përgjime ndaj atyre bizneseve që paraqesin prova të evazionit fiskal. Masa e re e qeverisë vjen në një kohë kur klima me biznesin nuk paraqitet pozitive dhe (ndoshta rastësi) dy muaj para zgjedhjeve. Kështu, nëse një individ dërgon në tatime informacion që lidhet me x subjekt privat, p.sh për numrin real të punonjësve, detyrimisht, ky bashkëpunëtor merr shpërblim.

Hetimi tatimor

Drejtoria e Hetimit Tatimor, në Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve, është përgjegjëse për drejtimin, në mënyrë të unifikuar të strukturave të hetimit tatimor. Drejtoria e Hetimit Tatimor varet nga zëvendësdrejtori i Përgjithshëm Operacional, Adem Rrenga, dhe përgjigjet para drejtorit të Përgjithshëm të Tatimeve, Artur Papajani, për të gjithë veprimtarinë e strukturave të hetimit tatimor. Me propozim të ministrit të Financave, qeveria vendosi dje që t‘i japë Drejtorisë së Hetimit Tatimor detyra që lidhen me parandalimin, zbulimin, dokumentimin dhe ndërprerjen e veprimtarisë kriminale në fushën e tatimeve dhe të taksave, si dhe të bëjë hetimin paraprak të veprave penale. Drejtoria mund t‘i rekomandojë kreut të Tatim-Taksave, marrjen e masave në mbrojtje të sistemit tatimor nga mashtrimet, evazioni fiskal dhe veprimtaria kriminale. Gjithashtu, kjo strukturë, mbledh, përpunon, ruan, shfrytëzon dhe shpërndan informacionin për shkeljet e dyshuara, të mundshme ose faktike, në fushën e tatimeve dhe të taksave nga subjektet tatimpaguese. "Mbledhja, dokumentimi, ruajtja e shfrytëzimi i informacionit bëhen në përputhje me rregullat e miratuara nga drejtori i Përgjithshëm i Tatimeve, duke zbatuar rregullat e ruajtjes së sekretit", thuhet në vendimin e djeshëm të qeverisë.

Bashkëpunëtorët

Jo vetëm përgjim, por edhe spiunim kundrejt pagesës. Drejtoria e Hetimit mund të marrë të dhëna nga burime legale ose nga bashkëpunimi i fshehtë me individë. "Bashkëpunimi i fshehtë me individë, shtetas shqiptarë apo të huaj, bëhet kurdoherë me marrëveshje, në bazë të vullnetit të lirë, pa shpërblim ose me shpërblim, duke ruajtur kurdoherë, sekretin e marrëveshjes dhe të informacionit", citon VKM-ja. Për të pasur sa më shumë rezultate, tatim-taksat duhet të bashkëpunojnë me Drejtorinë e Përgjithshme të Doganave, njësinë e pastrimit të parave, Policinë e Shtetit dhe shërbimet e tjera inteligjente, duke shkëmbyer informacione, duke dhënë ose marrë ekspertiza të kualifikuara, në funksion të zbulimit të krimeve në fushën e tatimeve, pastrimit të parave etj. Për këtë ajo cakton punonjës të specializuar, për të bashkërenduar punën me këto institucione. Punonjës të autorizuar të Drejtorisë së Hetimit Tatimor kanë të drejtë të thërrasin për të pyetur përfaqësues të subjektit tatimpagues, dëshmitarë ose shtetas të tjerë, që kanë dijeni për vepra penale në fushën e tatimeve dhe të taksave. Këta punonjës mund të këqyrin objektet ku ndodhen dokumentet dhe mallrat, që shërbejnë si burim prove për hetim, sipas të gjitha rregullave të përcaktuara në Kodin e Procedurës Penale dhe duke hartuar dokumentet e duhura, që parashikon ky kod.

Zbulimi i fshehtë

Punonjësit e njësive të hetimit tatimor për gjurmimin dhe hetimin e veprave penale, fiksimin dhe dokumentimin e provave, duhet të përdorin mjete teknike dhe elektronike, të posaçme. Llojet e mjeteve dhe rregullat e përdorimit të tyre përcaktohen nga drejtori i Përgjithshëm i Tatimeve. Drejtuesit e strukturave të tjera, brenda sektorit tatimor, bashkëveprojnë me Drejtorinë e Hetimit Tatimor, duke dërguar atje materiale dhe informacione për subjekte të veçanta tatimpaguese, për të cilat dyshohet se mund të kryejnë ose kanë kryer evazion fiskal ose mashtrim tatimor.

Shpërblimi

për spiunët

Fondi për shpërblimin e burimeve njerëzore me të cilët ka marrëveshje për bashkëpunim të fshehtë, caktohet zë më vete në buxhetin vjetor të Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve. Rregullat dhe masat e shpërblimit përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›