E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tregu i gazit, kaotik dhe i pasigurt

E paralajmëruar kohë më parë, Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, ka nisur dje aksionin në të gjithë vendin për prishjen e pikave të paligjshme të gazit të lëngëzuar. Aksion do të ketë edhe për karburantet, por situata emergjente e vërejtur në tregtimin e gazit, detyron ministrinë të ndërhyjë sa më shpejt tek aktiviteti i depozitimit të lëndëve djegëse. Sektori i përpunimit të hidrokarbureve vepron në kushte jo të sigurta, fakt ky i konstatuar nga ekspertë të METE-s, të cilët për një kohë të konsiderueshme kanë mbikëqyrur tregun, aq sa në përfundim, është kërkuar ndërhyrja e menjëhershme.

Nisur nga mungesa e sigurisë, që është vërejtur në instalimet dhe impiantet që shërbejnë për depozitimin, transportimin dhe tregtimin e naftës, gazit dhe nënprodukteve të tyre, Këshilli i Ministrave, më 27 janar 2009 ka miratuar VKM-në për marrjen e masave emergjente për përmirësimin e situatës së sigurisë në këto aktivitete. Pas kësaj, u kijua grupi ndërinstitucional i Punës, i drejtuar nga ministrat Genc Ruli dhe Sokol Olldashi. "Nga informacionet e mbërritura konstatohet se situata më emergjente rezulton të jetë në përpunimin dhe tregtimin e gazit në Tiranë, si dhe në disa qytete të tjera të mëdha të vendit", tha dje zv.ministri Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Neritan Alibali. Sipas tij, është konstatuar se procesi i transvazimit të GLN (gazit të lëngëzuar të naftës) nga bombola në bombol, duke bërë mbushjen e tyre në pika shitje e ambiente brenda zonave të banuara, pa lejet përkatëse, është i pasigurt, pasi nuk ka asnjë element sigurie teknike, është proces i pakontrolluar, kryhet në prezencë të qytetarëve, ambientet janë të papërshtatshme dhe kanë personel të pakualifikuar. Ky proces, sipas Alibalit, është klasifikuar në Grupin e Katërt të nivelit të sigurisë, që do të thotë se ka rrezikshmëri të lartë për jetën e qytetarëve dhe pronën e tyre. Gjithashtu, janë identifikuar instalime të paligjshme të autogazeve pranë stacioneve të karburanteve për automjete brenda zonave të banuara, të cilat klasifikohen me nivel rrezikshmërie të Grupit të Tretë dhe si të tilla duhet të mbyllen. Grupi i Punës ka identifikuar një numër të madh pikash transvazimi e autogazesh të paligjshme në Tiranë që kryejnë këto veprimtari të rrezikshme dhe për t‘iu përgjigjur kësaj situate në mënyrë energjike është planifikuar të kryhet një aksion ndërhyrjeje në të gjithë territorin e qytetit. Për këtë, është përgatitur një plan veprimi me objekt mbylljen e këtyre veprimtarive dhe vënien para përgjegjësisë ligjore të përgjegjësve, duke i hapur rrugën ligjore nisjes së aksionit.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›