E Diel, 1 Nëntor 2026

Maqedonia shkurton buxhetin

Qeveria e Maqedonisë deklaroi dje se do të ulë shpenzimet e programuara në buxhetin e shtetit me rreth 225 milionë euro, ose 9 për qind, si rrugë e vetme për kapërcimin e pasojave negative të krijuara nga kriza financiare botërore. Shkurtimet do të përgjysmojnë investimet e programuara të Shkupit në infrastrukturë, gjë që pritet të zvogëlojë ekonominë e vendit dhe të rrisë papunësinë.

"Pasojat negative të recesionit botëror po godasin Maqedoninë në çdo fushë", njoftoi qeveria në një deklaratë për shtyp. Shkupi njoftoi gjithashtu se ka krijuar një paketë ndihme prej 100 milionë eurosh, të cilat do të përdoren për investime dhe kredi afatshkurtra për kompanitë vendëse në vështirësi. Paratë u siguruan nga një kredi e Bankës Evropiane të Investimeve. Shkupi ka në plan t‘i përdorë këto para për të subvencionuar interesat për kreditë e kompanive vendase, si dhe për të garantuar aftësinë e tyre paguese.

Kryeministri Nikola Gruevski, i cili qe nismëtari për ndërprerjen e marrëdhënieve me Fondin Monetar Ndërkombëtar, tha se "nuk ka ardhur ende situata në atë pikë sa të kërkohet ndihma e FMN-së".

Maqedonia është goditur nga kriza botërore si të gjitha vendet e tjera të varfra përmes zvogëlimit të tregtisë së jashtme, rënies së investimeve të huaja dhe rënies së remitancave. Shkupi ka aktualisht vështirësi në mbushjen e deficitit buxhetor në kushtet e zvogëlimit të mundësive për të marrë hua në tregun ndërkombëtar. Pavarësisht këtyre problemeve, dinari maqedonas ka ruajtur stabilitetin shumëvjeçar në kursin e këmbimit me euron. Dinari është e vetmja monedhë në Evropën Lindore që nuk është prekur nga kriza.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›