E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: Përpjekje për liberalizimin e vizave

 

Kryeministri Sali Berisha tha dje se qeveria po bën të gjitha përpjekjet për të siguruar liberalizimin e vizave me vendet e Bashkimit Evropian. Deklarata e kreut të qeverisë u bë gjatë një konference të përbashkët me homologun e tij të Luksemburgut, ku u shpreh se gjatë këtij takimi u bisedua edhe për këtë çështje. "Me Kryeministrin Juncker diskutuam për liberalizimin e vizave. Unë e njoha mikun tim me të gjitha përpjekjet e qeverisë sime për të arritur standardet e nevojshme që shqiptarët e meritojnë të lëvizin lirisht në hapësirën evropiane. Sikundër e njoha me të gjitha reformat e tjera që kemi ndërmarrë për përmirësimin e klimës së biznesit dhe luftën kundër korrupsionit, me qëndrimin me zero tolerancë ndaj krimit të organizuar dhe suksesin e kësaj lufte", u shpreh Kryeministri Berisha gjatë konferencës për shtyp. Nga ana tjetër, Kryeministri i Luksemburgut theksoi se Shqipëria ka bërë përparime në luftën kundër korrupsionit dhe kriminalitetit si dhe ka krijuar një imazh të mirë në botë. "Reformat në fushën e politikës fiskale dhe shoqërore janë mbresëlënëse. Këto suksese të mëdha përbëjnë vizionin e ardhshëm të Shqipërisë në Aleancën e Atlantikut të Veriut. Kjo do të ndodhë para Samitit të ardhshëm të Aleancës, që do të mbahet në prill të vitit të ardhshëm dhe Shqipëria më në fund dhe në mënyrë  formale do të kthehet në gjirin e familjes së madhe evropiane, së cilës ajo i përket dhe nga e cila e larguan vendimet e kobshme të ndarjes së kontinentit", u shpreh kreu i qeverisë së Luksemburgut, Jean-Claude Juncker.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›