Prokuroria, Topi: Debati, pozitiv
Presidenti Bamir Topi ka mbajtur dje fjalën në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, ku ka vënë theksin te reformat e ndërmarra nga Shqipëria në fushën institucionale, ligjore e ekonomike.
Duke folur për Kosovën, kreu i shtetit tha se asnjë krahasim i këtij vendi me Osetinë e Abkahzinë nuk qëndron. Ndërkohë, gjatë një interviste për "Zërin e Amerikës", Topi ka folur edhe për ligjin e Prokurorisë dhe Reformën Zgjedhore.
Ju bëtë thirrje që OKB-ja të pranojë Kosovën si vend anëtar, po shqyrtohet kërkesa e Serbisë që pavarësia t'i kalojë për shqyrtim Gjykatës Ndërkombëtare. Nga takimet që keni pasur, e keni krijuar një ide nëse kjo kërkesë do pranohet?
Kërkesa e Serbisë duket një kërkesë jashtë çdolloj konteksti racional dhe ajo që unë kam ndjerë jo vetëm në takime me homologë të rajonit, por edhe me interlokutorë të rëndësishëm të politikës ndërkombëtare, çështja e Kosovës është një çështje e konsoliduar nga pikëpamja jo vetëm e njohjes, por edhe projektimi i këtij vendi drejt sfidave të integrimit euroatlantik. Kjo tentativë e Serbisë për të rikthyer në vëmendje këtë çështje, e cila ka filluar të dalë në plan të parë në axhendën e takimeve bilaterale të lidershipit kosovar, besoj që ecën në një plan jo fort të pranueshëm nga pjesa më e madhe e lidershipit politik botëror.
Ju u shprehët se çdo ndërmarrje kundër forcimit të Kosovës, ekonomike, politike, ushtarake, nuk është veçse një përpjekje e pashpresë kundër integrimit të rajonit në BE e NATO. A keni parasysh politikat e Rusisë me Kosovën?
Rusia në një lidhje të shkurtër me interesat e Shqipërisë e ka kontestuar dhe do e kontestojë çështjen e pavarësisë së Kosovës. Kosova është një rast sui generis, ka një kontekst dhe background historik dhe në të drejtën ndërkombëtare po të shohim çështjen e Kosovës në kompleksitet, janë dashur mjaft vite që të vijmë deri në momentin kur Kosova u shpall e pavarur. Asnjëherë përpjekjet që bëhen nga politika serbe e ruse nuk sjellin në vëmendje që ndërhyrja e NATO-s në vitin 1999 ishte një ndërhyrje për të shpëtuar popullin e Kosovës nga gjenocidi i ushtruar nga Millosheviçi. Sot jemi vite mbrapa, politika botërore ka filluar ta njohë Kosovën. Madje edhe shtete të rajonit të Ballkanit, të cilat nuk janë shprehur për njohjen e pavarësisë, kanë lënë të kuptojnë që ato do të mbajnë një pozicion sikurse mbajnë shtetet e BE-së e NATO-s, sepse sfidat e tyre integruese i diktojnë ato që të jenë sinergjiste në marrjen e vendimit për njohjen e pavarësisë së Kosovës. Ndonëse sot kemi 47 vende që e kanë njohur, janë 22 vende mjaft të rëndësishme në arenën ndërkombëtare, nga pikëpamja politike dhe ekonomike, vendet e tjera gradualisht, falë edhe takimeve bilaterale, janë të tilla që krijojnë premisa që Kosova do njihet në një proces hap pas hapi.
Maqedonia dhe Mali i Zi nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës. Keni biseduar me homologët tuaj për këtë çështje?
Me homologët fqinj ne mbajmë kontakte të vazhdueshme, kemi pasur takime pune, takime në OKB dhe kam rastin të them që ka një predispozicion të dukshëm, që në sfidat e tyre euroatlantike t'i japin zgjidhje edhe çështjeve që kanë mbetur për t'u deklaruar. Nuk ka asnjë deklaratë eksplicite të këtyre vendeve për momentin, por ne si politikanë shikojmë tendencat dhe besoj se tendencat në këtë lloj konteksti që ju e shtruat pyetjen janë mjaft pozitive. Unë shpresoj që vendet e rajonit do jenë koshiente që pavarësia e Kosovës do të thotë stabilitet në rajon. Stabiliteti i Kosovës, Maqedonisë, i rajonit i fut këto vende në sfidat e integrimit euroatlantik. U takon këtyre vendeve që të japin një shembull të qartë, që edhe vendet e tjera që sot shprehin dyshim ta kenë më të lehtë që të shprehen për pavarësinë e Kosovës. Kam bindjen se njohja e Kosovës në radhë të parë do vijë nga vendet e rajonit.
Kohët e fundit është hapur një debat për ligjin për Prokurorinë. Ka pasur kritika dhe shqetësimi i një diplomati amerikan për përpjekje për të vënë nën trysni këtë institucion. A jeni të shqetësuar nga kjo situatë dhe nga përmbajtja e këtij p/ligji?
Fakti që në Shqipëri ka debat, kjo është një predispozitë pozitive, çka do të thotë se në Shqipëri ka një terren demokratik ku debatohet, unë jam shprehur që është shumë e rëndësishme që gjërat e rëndësishme që kanë të bëjnë me ndryshimet kushtetuese, me ligjet e rëndësishme që i takojnë sistemit të drejtësisë, detyrimisht duhet të paraprihen nga një debat i gjerë politik, nga një debat i gjerë dhe i thellë profesional, nga një kombinim i interesave të politikës, që është ajo që merr vendime të rëndësishme, por edhe i grupeve të interesit, që janë në institucione dhe jashtë tyre, por janë patjetër të interesuara që çështjet në sistemin e drejtësisë të jenë të kopsitura mirë, të jenë ndryshime që bëhen në favor të forcimit të kësaj linje, që në Shqipëri në mënyrë definitive të kthehet shteti i së drejtës, të merren në konsideratë interesat e qytetarit që kërkojnë më shumë drejtësi, të luftohet problemi i korrupsionit. Unë mendoj se në Shqipëri po punohet mirë në dy linja: po punohet në një linjë të debatit politik, por edhe njëlloj autoreformimi brenda sistemit të drejtësisë që i takon KLD-së, gjykatave dhe grupeve të interesit. Është një proces transport, uroj të intensifikohet që njerëzit të shikojnë që ata që do t'i përfaqësojnë në krye të gjykatave të jenë njerëz që dalin në mënyrë transparente para publikut, por mjaft e rëndësishme është që këto gjëra të arrihen në kohë. Një nga standardet që kërkohet për në BE dhe NATO, është që sistemi i drejtësisë të dalë plotësisht në standardet që kërkohen nga partnerët perëndimorë. Për sa i përket reformës elektorale, kam qenë dhe do të jem katalizator i nxitjes së dialogut politik, që reforma elektorale ndryshe nga retrospektiva, kur jemi mësuar që ajo të bëhet në minutat e fundit para zgjedhjeve, ajo të bëhet në kohë dhe jam i besimit se komisioni i posaçëm parlamentar që është ngritur në Parlament për hartimin e një ligji zgjedhor, të marrë në konsideratë të gjithë interesat e shqiptarëve, të partive politike, në mënyrë që zgjedhjet të kemi mundësi t'i realizojmë në kohë, të përgatisim një infrastrukturë zgjedhore, ku dhe partitë të kenë kohë për të bërë fushatën elektorale dhe njerëzit të kenë kohë për të reflektuar dhe më së fundi të kemi mundësi dhe unë jam i besimit se zgjedhjet politike të vitit 2009 të jenë zgjedhje të lira, të ndershme, të denja për një Shqipëri që kërkon të integrohet në Evropë. Të kemi zgjedhje të pakontestueshme do të thotë që Shqipëria të futet pa asnjë lloj paragjykimi në këto struktura dhe të jetë plotësisht në standardet që kërkohet.
Marrë me shkurtime nga VOA
“Kosova jo si Osetia”
Në përjgigje të deklaratave të Presidentit Tadiç, Topi u shpreh se pavarësia e Kosovës e çliron përfundimisht këtë pjesë të Evropës nga makthi i luftës. "Shqipëria i konsideron të pabaza përpjekjet për të vendosur paralele midis Kosovës dhe rajoneve të Gjeorgjisë, Abkhazisë dhe Osetisë së Jugut. Argumente të panumërta historike, juridiko-kushtetues, politike, demografike, etj., dëshmojnë se rasti i Kosovës është unik, sui generis, dhe zgjidhja e zbatuar për të është unike. Si i tillë, ai nuk shërben, as nuk mund të shërbejë si model për zgjidhjen e konflikteve të tjera as në rajon, as jashtë tij", deklaroi Topi. Në fund kreu i shtetit i bëri thirrje OKB-së që të bëjë Kosovën anëtare të saj.