E Diel, 1 Nëntor 2026

“Firojnë” 91 kg nga floriri i kapur në Tiranë

 

TIRANE – “Zhduken” 91 kilogramë nga floriri i bllokuar prej policisë në Tiranë, tri ditë më parë gjatë aksionit “Ora e florinjtë”. Një matje e gabuar e bërë paraprakisht nga policia është bërë shkak për deklaratën e bujshme, por të pasaktë të policisë, se ishin bllokuar plot dy kuintalë flori në kryeqytet. Në fakt, sipas të dhënave zyrtare të konfirmuara, bëhet fjalë për një sasi ari të bllokuar që në të vërtetë është vetëm gjysma e asaj që ka deklaruar policia. Në këtë mënyrë, matja reale ka zbuluar se në shtëpinë e dy vëllezërve Astrit dhe Genci Lamçe, nuk janë kapur 200 kilogramë flori siç deklaroi policia, por vetëm 109 kilogramë të tilla. Fryrja e sasisë së floririt në deklaratën e policisë ka ardhur për shkak se uniformat blu kanë matur peshën e mallit të sekuestruar kur floriri ishte brenda kutive dhe ambalazheve të zakonshme, pra kanë matur arin me gjithë arkat duke thënë më pas se kishin kapur 200 kilogramë flori. Nga ana tjetër, Prokuroria ka sqaruar dje se edhe dy shufrat e argjendit që u janë bllokuar të arrestuarve, nuk i përkasin Thesarit të Shtetit të humbur në 1997, siç kishte deklaruar policia e kryeqytetit. Në të vërtetë, sipas të dhënave zyrtare të hetimit, mësohet se shufrat nuk kanë formën dhe as shenjat dalluese për të lënë dyshime se mund të kenë qenë pjesë e Thesarit. “Dyshojmë se lingotat janë marrë nga Banka e Shqipërisë dhe do t’i kërkojmë këtij institucioni të dhëna për të konfirmuar këtë, por nuk ka asnjë dyshim apo provë që shufrat të jenë vjedhur nga Thesari i Shtetit”, thanë burimet zyrtare. Sipas tyre, pas arrestimit dy vëllezërit e kapur në Tiranë me 109 kilogramë flori, kanë arritur të paraqesin dokumentacion që vërteton ligjshmërinë e mbi 70 për qind të 109 kileve flori, duke shfryrë kështu akoma më shumë suksesin e policisë. Në këtë mënyrë, edhe Prokuroria po shikon mundësinë e klasifikimit të akuzës nga ajo e kontrabandës për të cilën pati pretendime policia në referimin e një vepre penale të fushës fiskale, pasi nuk provohet kontrabanda, madje ka prova që e hedhin poshtë atë për 70 për qind të sasisë së floririt të bllokuar prej 109 kilogramësh.                      tr.so

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›