E Diel, 1 Nëntor 2026

Prokurorët: Qeveria të mos na kërcënojë me buxhetin

 

Trazhgim Sokolaj

Prokurorët kërkojnë që Ministria e Drejtësisë dhe Qeveria të përmbushin rekomandimet e organizmave evropianë për garantimin e një buxheti të mjaftueshëm dhe të pavarur, për institucionin e akuzës. Shoqata Kombëtare e Prokurorëve ka bërë dje publike qëndrimet e saj rreth draftit të Ministrisë së Drejtësisë, duke kërkuar që me ligj, organit të akuzës t’i garantohet buxhet i mjaftueshëm. “Nëse kërkohet të luftohet kriminaliteti dhe korrupsioni, me Prokurorinë nuk duhet të ndodhë që buxheti i saj të ulet nga viti në vit siç ka ndodhur aktualisht. Buxheti i Prokurorisë për vitin 2008 është rreth 30 për qind më u ulët se ai i vitit 2007”, thanë prokurorët. Sipas tyre, është e nevojshme të përcaktohet me ligj se të paktën, buxheti i Prokurorisë nuk duhet të pësojë rënie në një vit të caktuar në krahasim me vitin paraardhës. Gjithashtu prokurorët thonë se buxheti i institucionit duhet të jetë tërësisht i administrueshëm nga Prokuroria, në mënyrë që të krijohen më shumë mundësi për pavarësinë financiare të këtij institucioni. Aktualisht buxheti i Prokurorisë përcaktohet nga qeveria në bazë të projektit, që paraqet organi i akuzës. Shpeshherë “lojërat” me buxhetin janë konsideruar edhe si presione që ekzekutivi i ka adresuar organit të akuzës.
Kundërshtimet
Shoqata Kombëtare e Prokurorëve ka bërë edhe vlerësime për projektligjin e Ministrisë së Drejtësisë, në pjesën ku flitet për transferimin e përfaqësuesve të akuzës nga një detyrë në tjetrën, e cila duhet të bëhet me pëlqimin e të interesuarit. Nga ana tjetër, prokurorët shtojnë se janë të vendosur të kundërshtojnë deri në fund, tentativat që me anë të draftit të hiqet imuniteti formal që ata gëzojnë, i cili i mbron nga incidentet e rëndomta që mund të shkaktohen prej vetë punës së tyre. Pika e dytë e propozimeve të Shoqatës së Prokurorëve, kërkon heqjen nga ligji të përcaktimit për raportimin e ministrit të Drejtësisë në Kuvend çdo gjashtë muaj për inspektimet në Prokurori, duke i lënë të drejtë prokurorit të Përgjithshëm të paraqesë mendim për këtë. Sipas prokurorëve, një përcaktim i tillë mund të bëhet shkak për përfshirjen e kryeprokurorit në debate politike në Parlament. Shoqata e Prokurorëve kërkon që paga e kryeprokurorit të jetë e barabartë me atë të kryetarit të Gjykatës së Lartë, ndërsa vijojnë se edhe ndryshimet në ligj për konfliktin e interesit janë të panevojshme pasi rregullohen në Kodin aktual të Procedurës Penale. Nga ana tjetër, prokurorët kërkojnë se institucionit të akuzës t’i jepet çdo vit, 20 për qind e shumave të përfituara nga shteti prej pronave të sekuestruara nga Prokuroria gjatë luftës kundër krimit. Deri më tani, për fitimet e ardhura shtetit nga pronat e sekuestruara prej Prokurorisë, qeveria i ka kaluar shuma të pakta Prokurorisë duke përcaktuar vetë masën e kësaj vlere.

Propozimet e prokurorëve

1. Të qëndrojë neni 36 i ligjit aktual, pra të mos hiqet imuniteti i prokurorëve
2. T’i hiqet e drejta ministrit të Drejtësisë për të raportuar në Kuvend çdo gjashtë muaj për Prokurorinë
3. Paga e prokurorit të Përgjithshëm të jetë ekuivalente me atë të kreut të Gjykatës së Lartë
4. Të zbatohen rekomandimet e Komisionit Evropian për buxhet të mjaftueshëm e të pavarur për Prokurorinë
5. Të hiqet nga drafti pjesa për konfliktin e interesit të prokurorëve, është e rregulluar në K. Procedurës Penale
6. Këshilli i Prokurorisë të ketë 9 anëtarë, shtatë prokurorë, një përfaqësues të Ministrisë së Drejtësisë dhe një nga KLD
7. Në rast shkarkimi, prokurorët të kenë të drejtë ankimi në Gjykatën e Lartë dhe të kthehen në punë nëse kjo gjykatë vendos në favor të tyre
8. Të shtohet në ligj, krijimi i një strukture sigurie në Prokurorinë e Përgjithshme për ruajtjen e prokurorëve të rrezikuar        

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›