Grabitësi tenton dy herë vetëvrasjen brenda burgut
TIRANE - Vjedhësi i banesës së Gjergj Bojaxhiut tenton dy herë të vrasë veten në qeli, tashmë ka përfunduar në gjendje të rëndë në Spitalin e Burgjeve. Lajmi konfirmohet zyrtarisht nga Drejtoria e Burgjeve sipas së cilëve, 23-vjeçari Demir Mema tentativën e parë të vetëvrasjes e ka kryer disa javë më parë kur kishte sajuar një lak me çarçaf dhe në momentin që po e shtrëngonte në fyt, ka ndërhyrë shoku i qelisë, i cili e ka ndaluar dhe më pas ka njoftuar gardianët. Por tre ditë më parë, Mema ka përfituar nga humbja e vëmendjes së policëve të burgjeve dhe brenda pak çastesh ka qëlluar me grusht xhamin e njërës prej dritareve të korridorit dhe me një copë, ka qëlluar veten në qafë. Si pasojë ka marrë dëmtim serioz për jetën, por fatmirësisht i ka shpëtuar vdekjes falë ndërhyrjes në kohë të gardianëve, të cilët e kanë dërguar në Spitalin e Burgjeve ku i është nënshtruar ndërhyrjes së mjekëve. Arsyeja që e çonte drejt fundit të jetës, sipas 23-vjeçarit ishte harresa e tij në qeli prej Prokurorisë që nga 20 prilli i këtij viti. Ndërkohë, ai ka pretenduar se nuk e ka kryer vjedhjen për të cilën akuzohet, ndaj kërkon përfundimin e hetimeve sa më parë. fa.ma.