E Diel, 1 Nëntor 2026

Gjykata lë në burg ekspertin e pyjeve, mohon korrupsionin

 

VLORE - Gjykata e Vlorës la dje në “burg pa afat”, ekspertin e pyjeve Besnik Kuçin, me akuzën e “korrupsionit pasiv me anë të mashtrimit” dhe “ekspertimit të rremë”. I arrestuari me 10 mijë euro në dorë, të cilat korrespondonin me numrat e serive të regjistruara nga ana e policisë, mohoi akuzat. Sipas tij, prangosja ishte një kurth i sajuar, me qëllim që çështja për të cilën ai kreu aktin e ekspertimit të dëmit të ilqeve, të jetë në favor të të pandehurve. “Ishin ata që më kërkuan takim e më pas më lanë në dorë diçka të mbështjellë me letër. Unë nuk e mora vesh se çfarë ishte mbështjellë. Mbasi u largova nga lokali ku isha takuar me Qatip Veshin, policia behu e më mori nga dora letrën e mbështjellë. Vetëm kur u hap unë pashë që brenda saj kishte para”, u shpreh i arrestuari dje, në seancën ku do të merrej ndaj tij masa e sigurisë. Sipas tij, gjithçka ishte e sajuar dhe e drejta do të dalë. Kuçi shprehu mungesë besimi që çështja e tij të gjykohej në mënyrë të ndershme nga ana e Gjykatës së Vlorës. Ndaj ai i kërkoi trupit gjykues, që dosja e tij t’i kalojë Gjykatës së Fierit. Gjithashtu, Kuçi kërkoi edhe ndryshimin e prokurorit. Besnik Kuçi është eksperti i përcaktuar nga Prokuroria e Vlorës për vlerësimin e dëmit në çështjen e shumëpërfolur të pyjeve të Vlorës, ku në hetim janë gjithsej 18 persona, 7 prej të cilëve zyrtarë. Ai bëri vlerësimin e dëmit prej 36 milionë lekë për Qatip Veshin, pronar i një firme të shfrytëzimit të pyjeve, si dhe për një punëtor tjetër të tij. Por më pas, për të ndryshuar këtë vlerë, eksperti u kërkoi atyre 10 mijë euro. Por Veshi bashkë me të pandehurin tjetër të ilqeve, të cilët gjykohen në gjendje të lirë, iu drejtuan Prokurorisë. Kjo e fundit e mbajti për disa ditë në përgjim Besnik Kuçin, derisa në bashkëpunim me policinë i vunë prangat, në momentin që ai mori shumën e 10 mijë eurove.                  q.b

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›