Berisha: “Platforma politike e kryesocialistit është Bamiri dhe Kreshniku – po ndërtojnë një ‘UFO platform뒔
Rama, satelit në orbitën e humbjes - e votojnë më pak se 40 për qind e socialistëve
Shefi i ekzekutivit Sali Berisha analizoi dje gjatë mbledhjes tradicionale të grupit parlamentar të Partisë Demokratike, zhvillimet kryesore të politikës, duke u ndalur specifikisht te reforma zgjedhore dhe diskutimet që po bëhen për amendimin e Kodit elektoral.
Kreu i demokratëve tha se reforma zgjedhore do përfundojë brenda afateve ligjore, duke respektuar rekomandimet e OSBE/ODIHR si dhe propozimet e partive politike, me qëllim që më parë të kalojnë për shqyrtim te misioni i ODIHR-it.
Sipas kryeministrit, mazhoranca ka vullnetin e plotë për ta finalizuar reformën zgjedhore sa më shpejt ndërsa theksoi se çështjet e mëdha tanimë janë diskutuar. “Problem kryesor në projektin e avancimit të reformave për procesin e integrimit Europian mbetet reforma zgjedhore. Për reformën zgjedhore janë ngritur grupet e ngarkuara, në përpurthje me vendimin e parlamentit, të cilat kanë bërë një punë të rëndësishme dhe paketa, sipas çështjeve të mëdha, janë elaboruar dhe janë miratuar prej tyre. Ajo që dua të theksoj është fakti se nga mazhoranca ekziston një vullnet i plotë për ta finalizuar këtë reformë në kohën më të shpejtë të mundshme. Ekziston një trashëgimi, e cila prodhoi një legjislacion 100 për qind konsensual, por që tani është bërë e nevojshme të amendohet në përputhje me sugjerimet e bëra nga OSBE/ODHIR, nga observimi i zgjedhjeve të fundit 2009-2011. a një marrëveshje midis palëve dhe kjo marrëveshje ka përcaktuar metodën e punës, e cila është e njëjtë, identike me atë që u përdor për kodin zgjedhor në zgjedhjet e vitit 2009. Kjo marrëveshje u përcaktua nga vetë opozita, sepse ne dolëm me dy opsione dhe opozita përzgjodhi këtë opsion që është opsioni i punë së përbashkët, kompromisit dhe arritjeve. Unë mendoj se është plotësisht e mundshme të finalizohet. Ka një risi, sepse këtu kemi ekspertizë të shkëlqyer, nga ekspertët më të mirë të ODIHR-it në fushën e zgjedhjeve. Njerëz që njohin thellësisht doktrinën elektorale. Pra, edhe debatet që mund të lindin për problematika të caktuara janë krejt normale të sheshohen, pasi eksperienca e specialistëve të ODIHR-it është shumë e gjerë dhe ata njohin praktikat elektorale të mbarë botës”, tha Berisha.
Kreu i qeverisë iu referuar edhe listës së zgjedhësve, numërimit të votave në Tiranë dhe numërimin e votuesve. Në këtë pikë Berisha tha se Rama propozoi një amendament që doli se e kishte kërkuar më parë presidenti i Venezuelës, Hugo Çaves.
“Lidhur me listën e zgjedhësve, ne nuk kërkojmë asgjë tjetër, veçse respektimin e standardeve ndërkombëtare. Erdhi një amendament, dilte se e kishte kërkuar Çavesi në Venezuelë. Ka një kërkesë tjetër. Por praktikat elektorale janë praktika shumë të pasura, për arsye se janë të pasuruara jo vetëm nga ligjet, por dhe vendimet e gjykatave. Ato nuk lejojnë që të përdorësh listën si një mekanizëm përjashtimi. Lista nuk mund të bëhet shkak dhe nuk mund të jetë e tillë që të ndikojë në përjashtim, ose kërkesat për listën të çojnë në përjashtimin e atyre që s’kanë apo atyre që janë në nevojë e me radhë. Unë besoj se edhe këtu do të arrihet në kompromisin e duhur. Ekspertët e OSBE/ODIHR-it do të japin mendimin e tyre dhe nuk ka ndonjë problem madhor që të mos zgjidhet. Problemet e shqyrtimit të ankesave janë probleme tashmë të njohura. Është faktuar në zgjedhjeve lokale, por edhe në ato të përgjithshme, një boshllëk për sa i përket mënyrës së trajtimit të votave të hedhura në kutinë gabim. Kjo merr përgjigje të plotë. Ndonëse në ligj ato janë të vlefshme, do përcaktohet qartë procedura e trajtimit të tyre, në përputhje me kodet ndërkombëtare të zgjedhjeve dhe dy janë më kryesoret: Kodi i Komisionit të Venecias për zgjedhjet e mira dhe kodi ndërkombëtar i IFES që praktikohet në zona të tjera. Të dy këto kode parashikojnë numërimin dhe vlerësimin e votës së hedhur gabim. Kështu që ka disa qartësime që janë pozitive”, tha Berisha, ndërsa shtoi se numërimi i votave në Tiranë ka qenë kërkesë e Ramës, por sipas tij duhet të shtohen edhe qendrat e numërimit.
“Për sa i përket komisionit zonal për Tiranën, e vërteta është se kjo formë ekzistuese ka qenë një kërkesë me insistimin e Edi Ramës dhe nuk mendoj se e ka pasur gabim. Por, nëse kërkojnë ta shndërrojmë Tiranën njëlloj si zonat e tjera, dakord, nuk kemi asnjë kundërshti. Uroj dhe shpresoj që të shtojmë qendrat e votimit”, tha ai.
Berisha e ka cilësuar gjithashtu si të drejtë rritjen e numrit të votuesve në qendër, por sipas tij ky vendim duhet të arrihet bashkë me një detyrim që të sigurohet transporti për ata zgjedhës, të cilëve do tu heqim qendrën e votimit aty ku është.
“Po ashtu ka një kërkesë nga ana e socialistëve, për numrin e votuesve. Në tërësi është e drejtë që të rritet minimumi i votuesve në qendër. E vetmja gjë është se kjo kërkesë ose ky vendim, nëse arrihet, të shoqërohet edhe me një detyrim për të siguruar transportin. Ne e dimë sesa të përhapura janë fshatrat tanë dhe nëse jua heq qendrën e votimit aty ku është, është e domosdoshme që të merret përsipër transporti i tyre, sepse nëse u duhet të bëjnë një orë e gjysmë apo dy orë vetëm për të votuar, këtë edhe e bëjnë, edhe nuk e bëjnë. Fjala këtu është që kodi, ligjet e vendimet të mos favorizojnë mospjesëmarrjen në votime, apo edhe përjashtimin për një arsye apo për një tjetër”, tha ai.
Exit poll-et - Ramën e votojnë vetëm 40 për qind e socialistëve
Kreu i qeverisë Sali Berisha akuzoi kryesocialistin, Edi Rama se nuk është lider i vërtetë i së majtës politike, pasi sipas një sondazhi të fundit, vetëm 40 për qind e socialistëve do ta votonin atë. Berisha tha se aktualisht Rama është i pashpresë që të bindë socialistët, të cilët i ka çuar nga disfata në disfatë, ndërsa me dy “aleatët” e rinj në sfond, PS humb 2-3 deputetë.
Për këtë shkak, tha kryeministri, vëmendja është përqendruar pikërisht te Bamiri dhe Kreshniku të cilët përbëjnë “UFO – platformën”, që kryesohet nga sateliti në orbitën e humbjes, Edi Rama. “Dua t’ju informoj se një exit-poll i fundit dëshmon se vetëm 40 për qind e socialistëve do ta votojnë Edi Ramën. Ndaj edhe vëmendja është spostuar te Bamiri dhe Kreshniku dhe tek ‘UFO-platforma’. Pse ka ndodhur kjo? A e votojnë Sali Berishën, ata? Jo, nuk e votojnë, se janë besnike të partisë së tyre, por nuk mund të besojnë kurrë që kryetari i tyre, që i udhëhoqi nga disfata në disfatë, do t’i çojë në fitore. Ata kanë instinktin politik, i cili i bën ata të mos gabojnë. Por të të votojnë vetëm 40 për qind e mbështetësve të tu, je i pa shpresë! Kjo ka ndodhur, ndaj edhe zotëria nuk bën platformë, por thotë kemi Bamirin me Kreshnikun. Mirëpo ato çfarë tregojnë exit poll-et, janë se ata i rrëzojnë atij nga 2 deputetë, duke luftuar kundër nesh dhe këtë jua them me përgjegjësi të plotë”, u shpreh Berisha.
Ai theksoi dhe njëherë se reforma zgjedhore do shkojë drejt konkludimit brenda afateve ligjore, pavarësisht ndasive që shpreh kryesocialisti, i cili siç tha kryeministri, është satelit në orbitën e humbjes.
“Mendoj se në rast se nuk ekziston vullneti për të justifikuar disfatën e ardhshme të vitit 2013, nëpërmjet mungesës së zbatimit të rekomandimeve, reforma mund të kompletohet në njësi kohe rekord dhe dëshmon një vullnet pozitiv nga të gjitha palët, për një proces qendror të shoqërisë. Nuk mund të them se cili do të jetë qëndrimi i Ramës, sepse ai është satelit në orbitën e humbjes. Absolutisht, që të gjitha variantet e tij nuk e nxjerrin dot nga ajo orbitë. Imagjinoni njeriun që ka 8 muaj që ju thotë bashkëpunëtorëve të mi do të fitojmë nga kuqezinjtë! Por lideri që është lider nuk e bazon fitoren tek realitetet inekzistente, por e bazon fitoren, tek pushtimi i mendjes dhe zemrës së qytetarëve dhe frymëzimi i mbështetësve të tij, se ai i udhëheq në fitore”, tha ai.
Shefi i ekzekutivit u ndal dhe te programi politik i Partisë Socialiste, ku ironizoi sloganin “Rilindje Shqiptare”, të cilin e quajti si “Rilindje të Bllokut”.
Sikundër u shpreh kryeministri, Rama ka kthyer neo-bllokmenët në krye të PS-së, si rilindja e vetme e PS-së. Duke iu referuar takimit të fundit të krysocialistit me biznesmenë, Berisha tha se Rama u paraqit para tyre me platformën e dajës së tij, Spiro Koleka, për t’i luftuar ata përmes taksës marksiste.
“Edi Rama flet për Rilindjen! Po çfarë Rilindje bëri ai, përveçse Rilindjen e Bllokut. Çfarë ka ndodhur në PS? Që të premtosh duhet të tregosh çfarë ke bërë ti. Çdo ndryshim fillon nga vetja jote. Ndryshimi kurrë nuk ndodh, nëse nuk ndodh tek ti. Atëherë, cila është rilindja e PS-së, përveçse kthimi i neo-bllokut në krye të PS-së. Me këtë do t’i bindë ai, shqiptarët?! Megjithatë janë qytetarët që po i japin përgjigjen e merituar. Unë dua të përshëndes biznesmenët që e kuptuan se ai lufton me ta, për taksat e etërve të tij. I thirri aty dhe po u jepte mendjen e Gramoz Ruçit për biznesin. Do t’i jepte leksion biznesit, në një kohë kur u nxori platformën e Spiro Kolekës, sepse për platformën ekonomike ka qenë përgjegjës daja i tij. Propozon taksën marksiste. Por ka kërkime shkencore dhe është e faktuar se çdo dollar i ulët në taksën e fitimit dhe të ardhurave personale, 0.54 e tij shkon për punëtorin, zgjeron vendet e punës, përmirëson kushtet e punës. Ky premton rilindjen e së shkuarës! U premton bizneseve shqiptare si rilindje, të shkuarën e hidhur të vendit. Megjithatë mendoj se përgjigjen më të shkëlqyer ia dha biznesi dhe unë i garantoj biznesmenët që nuk do të ketë rritje taksash, por e kundërta do të shqyrtohet. Nuk mund të ketë, për arsye se janë ata dhe jo qeveria, vektori kryesor i zhvillimit të vendit, janë ata që krijojnë vendet e punës, janë ata që krijojnë të mirat materiale, janë ata që me projekte e tyre zhvillojnë çdo ditë dhe më shumë vendin. Një model i vlerësuar si model suksesi në të katër anët, kërkohet të zëvendësohet me një model marksist të dështuar. Ndaj edhe biznesmenët socialistë nuk e votojnë, ndaj i dalin exit poll-et 40 për qind. Vetëm 40 për qind e socialistëve e votojnë, kjo është e vërteta”, deklaroi më tej kryeministri Berisha. Ndërkaq, kreu i qeverisë i bëri thirrje liderit të opozitës, të çlirohet nga ideja e humbjes së ardhshme elektorale dhe të kontribuojë për reformat e vendit, në rrugën e integrimit. “Pavarësisht nga prognoza dhe sinoptika elektorale, është në interesin më të mirë të z. Rama, që të kompletojmë reformat e kërkuara për procesin e integrimit, me të cilat, në mënyrën më të padiskutueshme, opozita merr pjesën e vet të mirësisë, të kreditit, të rolit të pamohueshëm. Të paktën, kur nuk i çon dot në fitore, mos jua nxij imazhin, mos i nxirr bllokues!”, tha ai.