E Shtunë, 31 Tetor 2026

Qeverisja vendore duhet t’i kthehet administrimit të territorit

27-03-2012 / Gazeta 55

Në Konferencën kombëtare “Qeverisje vendore e fortë dhe efektive nëpërmjet rritjes së bashkëpunimit drejt qeverisjes së mirë”, kryeministri Berisha ka bërë thirrje për rivitalizimin e taksës së pronës si dhe për administrimin e mbetjeve, si një parakusht për një sezon turistik të mbarë

“Nuk ka asgjë më të madhe që mund të bëjë qeveritari vendor në komunën apo bashkinë e tij se sa ta shndërrojë atë në një kopsht të bukur për banorët  e vet dhe për Shqipërinë”. Kështu u shpreh dje kryeministri Sali Berisha gjatë fjalës së tij në konferencën kombëtare me temë “Qeverisje vendore e fortë dhe efektive nëpërmjet rritjes së bashkëpunimit drejt qeverisjes së mirë” e zhvilluar në kuadrin e programit për forcimin e strukturave të qeverisjes vendore dhe rajonale në Shqipëri, organizuar nga Ministria e Brendshme në bashkëpunim dhe me mbështetjen e Këshillit të Evropës dhe Zyrës së bashkëpunimit zviceran në Shqipëri.
Duke marrë fjalën e rastit, kryeministri Berisha falënderoi dhe përgëzoi qeveritarët vendorë në të gjithë Shqipërinë për punën shumë të mirë që ata bëjnë në qeveritë direkte të qytetarëve shqiptarë, si dhe për konsolidimin gjithnjë e më tepër të një qeverisje të mirë në përballjen me eficencë të problemeve të tyre të përditshme.
Gjithashtu, kryeministri falënderoi përzemërsisht ambasadoren zvicerane, si dhe përfaqësuesit e Këshillit të Evropës dhe Komisionit Evropian për ndihmën e çmuar që kanë dhënë në drejtim të konsolidimit të qeverisjes vendore, si dhe për decentralizimin dhe përsosjen e kësaj qeverisje.
Duke vlerësuar të pazëvendësueshëm rolin e qeverive vendore në procesin e zhvillimit të vendit, kryeministri theksoi se autonomia e tyre është kushti më i rëndësishëm për ta bërë më eficente këtë qeverisje, si dhe për të për të konsoliduar demokracinë në Shqipëri. Në këtë kontekst, Kryeministri garantoi se qeveria qendrore mbetet e vendosur që në bashkëpunim të ngushtë me qeveritë vendore të thellojë dhe të konsolidojë këtë autonomi, në interesin më të mirë të demokracisë dhe të vendit.
Në sesionin e hapjes së konferencës të drejtuar nga Ferdinand Poni, Zëvendësministër i Brendshëm, ishin të pranishëm Ministri i Brendshëm, Bujar Nishani, Shefi për Demokracinë, Ndërtimin e Institucioneve dhe qeverisjen Kie, Alfonso Zardi, Kryetari i Delegacionit të BE në Shqipëri, ambasadori Ettore Sequi, ambasadorja e Zvicrës në Tiranë, Yvana Enzler, drejtues vendorë të bashkive dhe komunave të vendit, etj.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›