Eurobarometër: “Papunësia arriti kulmin në Maqedoni dhe Turqi”
Maqedonia dhe Turqia janë vendet me papunësinë më të lartë në Europë. Sipas raportit të publikuar nga Eurobarometër, sektori i analizës së opinionit publik në Komisionin Europian, në vendin fqinj niveli i papunësisë është 66 për qind, ndërsa në Turqi 68 për qind. Kriza ekonomike globale ka prishur bilancet e papunësisë edhe në vendet me industri të zhvilluar. Në Finlandë, niveli arrin në 44 për qind, në Çeki 43, në Holandë 42, Suedi 41 dhe Sllovaki 38. Sipas raportit, 1/3 e personave që janë pa punë, shprehen të shqetësuar pasi kriza mund të shkaktojë largimin e tyre nga tregu. Rreth 3.5 për qind e europianëve kanë pësuar humbjen e vendit të punës si pasojë e krizës ekonomike, në një kohë që 24 për qind e dinë që kolegët e tyre janë pushuar nga puna. Goditjet më të mëdha të rritjes së nivelit të papunësisë janë ndier në Letoni, Lituani, Spanjë dhe Irlandë, në një kohë që Luksemburgu, Greqia dhe Holanda kanë pasur më pak shkurtime. Problemet që raporti shtron duket se janë komplekse, kjo nisur edhe nga fakti se 6 në 10 europianë mendojnë se e keqja më e madhe e krizës globale ende duhet të vijë, në një kohë që 28 për qind mendojnë se ajo ka kaluar.
28 Korrik 2009