Berisha: Policia përmbushi me nder dhe dinjitet misionin e saj të rëndësishëm
Policia e Shtetit festoi dje 100 vjetorin e krijimit të saj
“Pa punën tuaj, përkushtimin, vendosmërinë dhe trimërinë tuaj, pas vitit 2005 në luftën kundër bandave që në simbioze me pushtetin u bënë famëzeza në mbarë Europën, dhe 206 grupeve kriminale që bënë ligjin në rrugë, Shqipëria dhe shqiptarët, nuk do të ishin anëtarë të NATO-s”
Policia e Shtetit festoi dje 100-vjetorin e krijimit të saj dhe në nderim të këtij jubileu u organizuan një sërë aktivitetesh në Tiranë. Axhenda e tyre nisi me vendosjen e kurorave me lule tek memoriali kushtuar të rënëve në Qendrën e Formimit Policor ku kanë qenë të pranishëm ministri i Brendshëm, Famur Noka, drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Hysni Burgaj si dhe familjarë të të rënëve në krye të detyrës. Më pas aktivitetet kanë vijuar me prezantimin e një dokumentari mbi historikun dhe zhvillimet e Policisë së Shtetit, shpërndarjen e Medaljeve të akorduara nga Ministri i Brendshëm si dhe shpërndarjen e Certifikatave të Lavdërimit punonjësve të vlerësuar.
Ndër këto aktivitete ishte një tjetër konferencë kushtuar pikërisht rolit të Policisë së Shtetit, ku duke marrë fjalën në këtë aktivitet, kreu i qeverisë shqiptare, Sali Berisha vlerësoi faktin policia përmbushi me nder e dinjitet misionin. Sipas tij, Policia e Shtetit vjen në këtë jubile krenare për përmbushjen me nder dhe dinjitet të misionit të saj të rëndësishëm.
“Sot dua të përulem me nderimin më të madh para qindra e qindra oficerëve, efektivave, inspektorëve dhe punonjësve të policisë së shtetit që gjatë këtyre 100 viteve, ranë për tu bërë të pavdekshëm në mbrojtje të rendit, qetësisë dhe pasurisë së qytetarëve shqiptarë. Mirënjohje dhe nderimin më të madh familjeve të tyre. Funksioni i saj bazohet në ligje të reja, në norma e standarde të reja por funksioni i saj bazohet në përkushtimin, trimërinë, vendosmërinë dhe ndershmërinë e efektivave të saj”, deklaroi kreu i ekzekutivit.
Berisha nënvizoi se “në këto vite i keni bërë kombit shërbime të jashtëzakonshme. Pa punën tuaj, përkushtimin, vendosmërinë dhe trimërinë tuaj, pas vitit 2005 në luftën kundër bandave që në simbioze me pushtetin u bënë famëzeza në mbarë Europën, dhe 206 grupeve kriminale që bënë ligjin në rrugë, Shqipëri dhe shqiptarët nuk do të ishin anëtarë të NATO-s”.
Ministri i Brendshëm, Flamur Noka duke përshëndetur policinë në këtë ditë të shënuar vlerësoi se
“Policia e Shtetit, sot në 100-vjetorin e themelimit të saj mbart pjekurin dhe standardet e nevojshme për të përmbushur me sukses misionin e saj, në mbrojtje të komunitetit”. Sipas Nokës, “Policia e shtetit me punën e saj bëri të mundur garantimin e shtetit të së drejtës, duke respektuar jetën e gjithsecilit. Falë punës së policisë së shtetit, theksoi Ministri i Brendshëm, Shqipëria nuk cilësohet më si vend tranzit i drogave të forta dhe tashmë ka hyrë në një etapë të re në luftën kundër krimit të organizuar”.
Ndërsa Kreu i Policisë së Shtetit, Hysni Burgaj, duke siguruar vijimësi të punës për mbrojtjes së komunitetit, në respektimin të drejtave lirive themelore të njeriut u shpreh se në këtë 100 vjetor jubilar, Policia e Shtetit vjen si një organizatë moderne, që është e aftë të prodhojë siguri.
Sipas tij, reformat e thella ligjore, mbështetja e pakursyer e partnerëve tanë ndërkombëtarë, ka bërë që sot të kemi një organizatë moderne policore.
Duke vlerësuar dhe nderuar punonjësit e policisë që dhanë jetën në krye të detyrës, Burgaj tha se, në themel të arritjeve tona qëndron mundi dhe sakrifica e punonjësve të policisë.
Aktivitetet në këtë ditë të rëndësishme për Policinë e Shtetit u transferuan më tej në sheshin “Skënderbej”, ku Presidenti i Shqipërisë, Bamir Topi përpara nisjes së paradës së trupave elitare të Policisë së Shtetit në sheshin “Skënderbej”, dekoroi Policinë e Shtetit me “Urdhrin e Flamurit Kombëtar”.
Gjatë fjalës së tij, presidenti Nishani theksoi se ky 100-vjetor duhet të shërbejë si një ditë për të reflektuar mbi sfidat e së ardhmes.
“E ardhmja jonë është padyshim një e ardhme e sigurt dhe e ndritur në familjen europiane. Ndaj në cilësinë e Presidentit të Republikës kërkoj që të rrisni standardet e shërbimit dhe aftësitë profesionale në mbrojtje të jetës dhe pronës qytetare, duke respektuar liritë dhe të drejtat e njeriut”, u shpreh presidenti Nishani.
Kreu i shtetit shprehu nderimin e tij për policët e rënë në krye të detyrës.