E Diel, 1 Nëntor 2026

PD: “Edi Rama vazhdon të heshtë për 100 milionë lekët, pallatin e bashkëshortes dhe lidhjet financiare me xhepistin Barjaba”

14-01-2013 / Gazeta 55

Partia Demokratike reagoi dje pas konferencës për shtyp të kryesocialistit, Edi Rama, duke kërkuar sërish sqarim për lidhjet e tij, financiare e familjare me Kosta Barjabën.


Zëdhënësja e PD, Laura Vorpsi u shpreh se Rama vazhdon të fshehë origjinën e 100 milionë lekëve, për pallatin pajë të bashkëshortes së tij, ndërtuar mbi lulishten e sheshit të pallateve në rrugën “Qamil Guranjaku” si dhe vazhdon të heshtë për lidhjet e tij financiare me familjen e Kosta Barjabës. “Z. Rama pas pushimeve të zgjatura në resortet më luksoze, refuzoi t’u përgjigjet pyetjeve të gazetarëve për lidhjet e tij financiare familjare me Sekretarin e Çështjeve Sociale, xhepistin Barjaba, fshehjen e origjinës së 100 milionë lekëve kredi pa interes të bashkëshortes së tij Lindita Basha, si dhe pallatin pajë të bashkëshortes së tij, ndërtuar në lulishten e sheshit të pallateve në rrugën ‘Qamil Guranjaku’ dhe që kanë të bëjnë me standardin minimal të transparencës që duhet të demonstrojë çdo politikan, e aq më tepër drejtuesi i partisë më të madhe të opozitës”, deklaroi zëdhënësja e PD.


Duke mos pasur asnjë përgjigje nga lidershipi socialist, për asnjë nga çështjet e sipërpërmendura, PD i risolli dhe njëherë tjetër në vëmendje 7 pyetjet, dhe i kujtoi Ramës se “përgjigjja ndaj tyre si dhe ndaj çdo pyetje tjetër që ka të bëjë me historinë e pallatit pajë, kredisë pa interes dhe lidhjet financiare familjare me xhepistin Barjaba, ka të bëjë me standardin më minimal të transparencës së domosdoshme për çdo person publik”. Sa projekte ka ndarë zonja Lindita Basha me Kosta Barjabën gjatë viteve të bashkëpunimit të ngushtë të tyre? Në rast se ka nevojë për dokumente, ne jemi të gatshëm ta ndihmojmë. Cili është historiku i vërtetë i pallatit 5 katësh dhe një kat nën tokë i bashkëshortes dhe familjarëve të saj, ndërtuar në lulishten e pallateve me firmën tuaj? A keni qenë ju në konflikt interesi në rastin e lëshimit të dy lejeve të ndërtimit për këtë pallat të bashkëshortes suaj dhe familjarëve të saj? Lejet e ndërtimit për këtë pallat, janë lëshuar për një truall që mbante klasifikimin ligjor të sheshpushimit midis pallateve dhe për të cilat ligji shprehimisht i ndalon bashkitë të lëshojnë leje ndërtimi. A ndjeheni përgjegjës, se ju për interesa familjare, keni shkelur ligjin me lëshimin e këtyre lejeve të ndërtimit? Investitorë të pallatit në kohën e ndërtimit, rezultonin një pensionist dhe një i vetëpunësuar me të ardhura të pakta. Si është paguar firma e ndërtimit të pallatit të gruas suaj Linda Basha, me para’, apo mos ndoshta firmat e ndërtimit janë shpërblyer me leje ndërtimi, kontrata të tjera të favorshme nga bashkia? Apo pallati është ndërtuar me para të gjobave 20%-she që të kanë paguar kompanitë e ndërtimit sipas akuzave të tyre publike? Pse nuk është deklaruar as sot origjina e 100 milionë lekëve kredi pa interes që gruaja juaj Linda Basha ka dhënë apo marrë? Pse nuk deklarohet marrësi apo dhënësi i kredisë pa interes në ILDKP siç e kërkon ligji i këtij institucioni? A janë deklaruar në organet tatimore dhe a janë paguar taksat nga gruaja juaj për 100 milionë të kredisë pa interes?”, përfundon deklarata për shtyp e Partisë Demokratike.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›