Berisha: Politika dështoi në luftën kundër korrupsionit
28/12/2004 Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, tha dje se politika shqiptare ka dështuar në luftën kundër korrupsionit dhe konsolidimit të shtetit ligjor. Sipas Berishës, korrupsioni gjatë vitit që po lëmë pas ka arritur në majat më të larta të tij. "Ne lëmë pas një vit, në të cilin mund të themi se përpjekjet tona për konsolidimin e shtetit ligjor, në luftën kundër korrupsionit, për ta bërë shoqërinë më të drejtë, për të ecur më shpejt drejt integrimit, nuk kanë pasur rezultatin që do të donim", tha Berisha. Fajtor për këtë gjendje, sipas liderit demokrat, është regjimi kleptokratik që ka vendosur qeveria aktuale. "PD bashkë me shoqërinë civile kanë zhvilluar një betejë të pandërprerë kundër ‘kancerit’ të vërtetë, që po bluan sot shoqërinë shqiptare. Për shkak të regjimit kleptokratik, Shqipëria ngjiti dhe po ngjit dhe 16 kate më lart në piramidën e korrupsionit", tha Berisha. Si zgjidhje për të dalë nga kjo situatë, demokratët shohin zgjedhjet e lira dhe të ndershme, të cilat do të shërbejnë për integrimin e vendit në strukturat evropiane. "BE është në pritje që zgjedhjet e ardhshme të jenë të lira dhe të ndershme, dhe unë ju siguroj se ne do të bëjmë çdo përpjekje që këto zgjedhje, me çfarë të kemi ne në dorë, të jenë të lira sikundër duhet t'u siguroj se do të bëjmë çfarë të jetë e nevojshme që zgjedhjet e cënuara të mos pranohen, pavarësisht nga çmimi që mund të kërkohet”, tha Berisha duke premtuar njëkohësisht dhe partneritetin me shoqërinë civile. Këto deklarata Berisha i bëri gjatë një pritjeje të organizuar në ambientet e Hotel Tiranës me rastin e festave të fundvitit, ku ishin ftuar gazetarë të mediave elektronike dhe asaj të shkruar.